Ministria për Donacione Fetare (Wakf) tha të premten se do të përvetësojë të gjitha xhamitë që janë pjesë e Vëllezërve Musliman në përputhje me një vendim të qeverisë për ngrirjen e pasurive të të gjitha organizatave bëmirëse dhe organeve të tjera që janë pjesë e këtij grupi islamik.
Të hënën, qeveria tha se kishte ngrirë asetet e 1.130 OJQ-ve dhe 138 shkolla pas një vendimi të gjykatës që ua ndalon Vëllezërve Musliman, lëvizje nga e cila u rrëzua presidenti i zgjedhur Muhamed Mursi.
Në shtator, Gjykata e Egjiptit për Çështje Urgjente urdhëroi shpërbërjen e organizatës Vëllezërit Musliman, dhe konfiskoi të gjitha zyrat dhe fondet e këtij grupi.
Të mërkurën, qeveria i shpalli Vëllezërit si “organizatë terroriste” pasi i fajësoi ata për hedhjen e një bombe të martën në një ndërtesë që la të vdekur 16 njerëz, kryesisht policë, akuzë kjo e mohuar kategorikisht nga kjo organizatë.
Sipas një deklarate nga Ministria e Wakfit, kjo ministri do të kërkojë nga Ministria e Solidaritetit Social që t’i sigurojë një listë përfundimtare të organizatave bëmirëse dhe xhamive që do të jenë pjesë e këtij vendimi.
Ministria do të “sigurojë imamë që do ta mbushin këtë vakum dhe do të parandalojë përdorimin e tyre nga ndonjë fraksion ekstremist” thuhet në deklaratë./mesazhi/