Ahmed Shahin / a.sahin@zaman.com.trNuk duhet të jetë e vërtetë thënia se gjëja më e vlefshme për njeriun është paraja. Sepse ekzistojnë edhe gjëra më të vlefshme se paraja, për të cilat duhet të jemi të vetëdijshëm. Dijetarët islamë para se gjithash na tërheqin vëmendjen për rëndësinë e vlerësimit të kohës: “El-vaktu hajrun minen-nakd”. Që do të thotë se koha është më e vlefshme se paraja. Sipas dijetarëve islamë, nëse koha vlerësohet mirë, atëherë mund të fitohet edhe paraja. Mirëpo, koha e kot që harxhohet me para, është e pamundur që të kthehet përsëri. Me të vërtetë, nëse brenda dite e përdorni kohën deri në maksimum, duke punuar deri në mbrëmje, do të keni mundësi të fitoni edhe para. Mirëpo, ditën që do ta harxhoni së koti me paratë e fituara, nuk mund ta ktheni më prapa. Sepse, koha e harxhuar ka shkuar pa kthim. Nuk mund të kthehet më prapa.
Atëherë koha, e cila është edhe më e vlefshme se paraja, duhet të vlerësohet mirë. Do të thotë se ne seriozisht duhet të qëndrojmë larg nga harxhimi i kohës në vende të pavlefshme dhe të merremi me çështje jo të rëndësishme.
Pejgamberi ynë (s.a.s.), një ditë, duke kaluar rrugës, vëren se si disa njerëz ishin tubuar pranë një personi, duke dëgjuar disa gjëra prej tij:
-Çfarë është duke thënë ky person, të cilin e kanë rrethuar këta njerëz?
-Është duke lexuar poezi, i janë përgjigjur. Poezi që kanë të bëjnë me të kaluarën arabe.
Atëherë, Pejgamberi ynë (s.a.s.) atë gjendje e ka komentuar në këtë mënyrë:
-Do të thotë se kohën e harxhojnë për një dijeni për të cilën nuk kanë as dobi, por që nuk kanë as rrezik nga mos dija!
Me këtë nënkuptojmë se koha, e cila është shumë më e vlefshme edhe se paraja, nuk duhet të harxhohet me gjëra të tilla që nuk kanë vlerë.
Kohën tuaj shfrytëzoni për çështje të rëndësishme, nga dija e së cilës do të keni dobi, kurse nga mos dija edhe rrezik.
I Dërguari i Allahut, në një porosi të tij na paralajmëron që të jemi të vetëdijshëm për nimetet (mirësitë) që i posedojmë, sidomos na e tërheq vëmendjen në këto dy mirësi:
-Janë dy nimete (mirësi), për të cilat njerëzit zhgënjehen ngaqë nuk mund të arrijnë të kuptojnë rëndësinë e tyre. Njëra është shëndeti i tyre, kurse tjetra është koha.
Po, me të vërtetë, njëra nga gjërat që s’ua dimë vlerën sa duhet është shëndeti, kurse tjetra është koha, të cilën e harxhojmë së koti. Do të na vijë një kohë e tillë, kur shëndetin që e posedojmë sot nuk do të mund ta gjejmë, kurse kohën që kemi mundësi ta vlerësojmë sot, nuk do të kemi mundësi ta vlerësojmë nesër. Çfarë duhet të bëjmë nëse ende nuk e kemi kuptuar siç duhet vlerën e të qenit të shëndetshëm, por as edhe rëndësinë e kohës siç e meriton. Rëndësinë e këtyre do të mund ta kuptojmë vetëm pasi t’i kemi humbur ato. Mirëpo, kjo do të jetë një vlerësim i vonuar i këtyre vlerave.
Kështu, një ditë, një i ri e pyet një plak që ishte duke kaluar rrugën në një gjendje të mjeruar:
-Xhaxha, pse je duke ecur me kokë të përkulur dhe në gjendje të mjeruar?
Plaku i përgjigjet të riut në këtë mënyrë:
-Djalosh, e humba rininë dhe tani jam duke e kërkuar atë. Nëse e gjej, menjëherë do ta marrë me vete. Mirëpo, nuk kam shpresa aspak, ngaqë më iku një herë. Sikur t’ia dija vlerën e rinisë që më herët, sot nuk do të isha nisur ta kërkoj atë në një gjendje të mjeruar.
Reagimin që e shfaqi muhaddisi (transmetuesi i haditheve) i madh nga tabiinët (gjenerata pas sahabeve), A’meshi, duke e nxjerr këmishën nga trupi, me të cilën dëshironte të tregojë rëndësinë e vlerësimit të kohës, nuk është harruar gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Hazreti A’meshi një ditë, në një mbledhje, u ul dhe filloi t’i dëgjojë bisedat që zhvilloheshin në të. Ai pa se gjërat që bisedoheshin në atë mbledhje ishin gjëra të gabuara dhe jo të vërteta, për të cilat nuk vlente të harxhohej kohë.
Aty për aty e nxjerr këmishën nga trupi dhe fillon që t’i fshijë qimet ndër sqetulla. Personi që ishte duke biseduar, kur e sheh këtë gjë, ia tërheq vërejtjen në mënyrë serioze:
-O plak, çfarë je duke bërë? A bëhet një gjë e tillë në mesin e një mbledhjeje?
Përgjigjen ia kthen kështu:
-Atë çka e bëj unë është më e vlefshme nga ajo që e bën ti. Të paktën, unë e vlerësoj kohën me sunnetin që ka të bëjë me pastrimin e sqetullave. Kurse ti e harxhon kohën tërësisht me gënjeshtra dhe fjalë të gabuara.
-Çfarë gënjeshtre, çfarë shtrembërimi të fjalëve, çfarë po fol ti ashtu?
-A nuk the që më parë se këto janë fjalë që i kam dëgjuar nga A’meshi?
-Po, thash.
-Unë jam A’meshi. Kur e paskam thënë unë një fjalë të tillë?
Ky reagim i muhaddithit të madh, ka shërbyer si paralajmërim për të gjithë ata që e kalojnë kohën me çështje jo të rëndësishme.
Nëse dëshironi, këtë çështje të rëndësishme do ta lidhim me një fjalë të Hazreti Hasan Basriut, personi që i ka bërë fqinjësi sahabeve. Ky person shpirtlartë e shpjegon në këtë mënyrë vlerën e kohës:
-Nga mesi i sahabeve kam parë persona të tillë siç jeni ju, duke u kujdesur që paratë të mos harxhohen në gjëra të kota. Ata tregonin kujdes më të madh që të mos harxhonin kohën e tyre në gjëra të kota, në fakt dridheshin.
-Fatebiru ja ulil ebsar! O ju që posedoni mendje, mendoni mirë….