Kujt i bën hyzmet Lëvizja “Gylen”
Me çështjen “Gülen movement” me të vërtetë merret çdo institucion, përpos hapësirës shqiptare, që nuk merret me këtë. Është habi dhe dëshmi se ne nuk jemi seriozë; pandërprerë institucionet fetare dhe shtetërore merren me “selefizmin”, “vehabizmin”, me “mjekrat”, kurse me këta nuk merren. Edhe në Turqi, si shtet amë i këtyre, për këta dhe rreth këtyre bëhen analiza të thella. Por vërejmë se kjo lëvizje mundohet t’i mbikëqyrë në hapsirën shqiptare institucionet, siç janë ato të bashkësive fetare islame, për të cilat besoj se jeni të vetëdijshëm se kanë peshë të madhe, dhe atë së pari investojnë, e pastaj bashkëpunojnë, e më pastaj i udhëheqin ato.
Shkruan: Ismail BARDHI
Kur thashë se për “selefizmin” flitet çdo gjë, kurse ndaj këtyre heshtet, me pretekst se këta i luftojnë ata të parët, është e vërtetë se e bëjnë një gjë të tillë, por nuk tregojnë pse dhe si. E dallimi midis këtyre nuk është i madh. Këta nuk kanë mjekra, d.m.th. rruhen për çdo ditë, ndërsa ata të parët vetëm e lëmojnë mjekrën. Këtu janë identik, por në anën tjetër, selefistët dhe selefizmi në një mënyrë e luftojnë dyfytyrësinë, ndërsa këta nuk e tregojnë kurrë fytyrën, bëhen me fytyra e fytyra… Selefistët kanë ideal fetar, kurse këta akoma nuk kanë treguar se ç’është ideali i tyre fetar. “Fetvaja” më e madhe e “Gülen movement” ka qenë me rastin e ndalimit të mbulesës në Stamboll, se “parukeja” është shpëtim. Kjo është dëshmi se si këta i harrojnë radhitjen e burimeve fetare, Kur’ani-Sunneti-ixhmaja e në fund kijasi. Këta, unë si teolog e kuptoj, se janë mbështetur mbi kijasin/analogjinë, por vaj halli nëse mbështeten mbi analogjinë, sepse ajo na çon shumë larg, aq larg sa që, me gjuhën moderne, bëhet martesë me kukullat. Nuk po e vazhdoj më tutje, por një gjë e tillë është turp, papjekuri e madhe, gjë që këta e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë si një fetva shumë të rëndësishme.
Pastaj, qëndrimi i këtyre ndaj muslimanëve është krejtësisht tjetër, e ndaj jomuslimanëve krejtësisht tjetër: ndaj muslimanëve nuk kanë shumë kujdes, e ndaj jomuslimanëve tepër, pa marrë parasysh se kush është në të drejtë. Këtë e kanë dëshmuar edhe nëpër shkollat/kolegjet e tyre, ku për fat të keq ndaj nxënësve shqiptarë nuk sillen siç duhet, natyrisht mendoj për shqiptarët në Maqedoni, me ata në Shqipëri sillen më mirë. Kjo është temë që duhet të diskutohet dhe të analizohet nga institucionet tona fetare e kulturore, e deri tek ministritë, kurse këta me një përgatitje të gjymtuar sillen kinse janë “ekspertë” të lëndëve të tyre. E të gjorët prindër shqiptarë paguajnë shuma të mëdha.
Në bisedë me një shok në SHBA, më tregoi për disa çështje shumë të rëndësishme, për arsye se metoda e veprimit të këtyre dallon nga vendi në vend. Thashë më parë se teologjia e tyre nuk është e pastër, jo për arsye se ne nuk e kuptojmë, por për arsye se ata nuk tregojnë se cilën teologji e ndjekin, ashtu që ne sot nuk e dimë teologjinë e tyre, përpos “dialogut”, kolegjeve dhe disa universiteteve. E të gjitha këto faktikisht në botën moderne i kemi shumë më të rregulluara, më të formësuara dhe më të avancuara, natyrisht mendoj për atë që është e mirë dhe që mbështetet mbi rregulla. Këtu në Perëndim, siç e dini, muslimanët janë organizuar nëpër qendra dhe xhami të ndryshme. Në SHBA, Komuniteti Musliman ka një histori të lakmueshme, sepse shqiptarët janë ndër të parët që kanë themeluar xhami. Por, për fat të keq në këtë kohë me këtë nuk mund të mburremi. Por, sidoqoftë, komuniteti musliman shqiptar dhe ai boshnjak janë duke funksionuar; edhe njëri edhe tjetri i kanë xhamitë dhe qendrat kulturore. Ai i boshnjakëve është zhvilluar me një hov të madh dhe sot, përafërsisht, në gjithë SHBA-të ka rreth 60 xhami, me një hierarki shumë të mirë. Kurse komuniteti musliman shqiptar ka mbetur në ato 14 xhami, nga të cilat disa madje nuk funksionojnë më. Çfarë bëjnë këta, siç i ka quajtur njëri në një tekst të “Hizmet” biznesit: ata mundohen të depërtojnë nëpër këto qendra, jo në emër të kolegjit, jo në emër të Gülenit, por në “x” emër tjetër, si “Hizmet”, duke krijuar sejjar imamë. Këta sejjar imamët bëhen dhe prezantohen si imamë “pa para”, “in the name of God”. Urdhëroni e besoni kësaj! Edhe pse është shumë vështirë t’i besohet kësaj, megjithatë ka prej atyre që besojnë, sepse nga dembellëku dhe “idiotizmi” i bordeve të ndryshme, u nënshtrohen këtyre ofertave duke e përjashtuar imamin e xhamisë, siç paska ndodhur në një xhami në Dallas. Shembuj të këtillë ka shumë. Këta “harrojnë” ose “nuk e dinë” se një veprim i tillë e shkatërron institucionin fetar dhe bëjnë keqpërdorimin e tipave të ndryshëm nëpër borde (kryesi) të xhamive. Dhe, çka bëjnë, u nënshtrohen ofertave të tilla, vetëm e vetëm që institucionet t’i përplasin për toke. Për fat të keq, për këtë virus vetëm bisedohet, kurse ne imamët heshtim, ose flasim si “gratë”, le të më falin motrat.
Përpos kësaj, këta kanë një nacionalizëm të fshehtë, që më ka habitur kur shoh se edhe turqit që i urrejnë shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës këtu flasin shqip dhe organizojnë 28 nëntora, shkurta etj. U habita për një gjë të tillë, duke e ditur se këta nuk merren me politikë, kur një imam tha se ka edhe gjëra të tjera, se këta kanë organizuar dhe festuar edhe 8 marsin. Po, me të vërtetë janë në gjendje dhe e bëjnë një të të tillë.
Prapë po e them se rreth kësaj duhet bërë një analizë më e thuktë, më serioze, pa marrë parasysh se është turp të shkruajmë për gjëra të tilla, për arsye se mendja e shëndoshë është në siklet të madh të shkruajë për këtë. Por, si është e mundur që çështjet si serioziteti, sinqeriteti, besimi, kombësia, teologjia, filozofia të keqpërdoren nga grupe të ndryshme, kurse ata që janë më së tepërmi të dëmtuar nga këta, pra nga “Gülen movement” dy institucionet tona fetare, ajo shqiptare e boshnjake, heshtin. Këta thonë se nuk merren me fe, e në anën tjetër në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni me sjelljen dinake shkojnë nëpër shtëpitë e muslimanëve të pasur, e mbledhin zekatin, edhe sadakatë, edhe kurbanet dhe i varfërojnë institucionet tona fetare që mezi mbijetojnë. Sikur “harrojnë” se ato i kanë medresetë, fakultetet… Pastaj këta merren me dialogun ndërfetar. Tamam, sepse këta dialogut fetar nuk i besojnë, ngaqë edhe nuk e respektojnë.
Besoj se ky tekst informativ rreth “Gülen movement” duhet të vazhdojë, që me të vërtetë të dalë në shesh realiteti, sepse pasojat do të jenë shumë të mëdha. Me mashtrime, me puthadorë dhe shitblerje të njerëzve të zakonshëm, intelektualëve dhe politikanëve, nuk bëhet punë e mirë. Feja është si namuzi, rapistat thonë “feja është si gruja, ma preke …”