Pejgamberi ynë s.a.s. në një rast shprehet në këtë mënyrë: “Shembulli im me atë të botës, është sikurse shembulli i një udhëtari që ri nën hije të një peme për të pushuar dhe më vonë largohet nga pema për ta vazhduar udhëtimin”. Prej këtu kuptojmë se bota është kalimtare. Në një botë kalimtare edhe problemet janë të tilla, ato shërbejnë vetëm për sprovë.
Në suren Mulk urdhërohet në këtë mënyrë: “Ai është krijuesi i jetës dhe i vdekjes, për t’ju sprovuar se kush nga ju do të bëjë vepra më të mira”. Atëherë, lehtësimet dhe vështirësitë nga minimumi e deri në maksimum janë një shkas për sprovë. Andaj dhe është e pakuptueshme të gëzohesh pa masë me rehatinë që e ke dhe të shqetësohesh pa masë për shkak të fatkeqësive.
Njerëzit dëshirojnë gjëra pa kufi. Çiftet e martuar duan fëmijë. Kjo është një ndjenjë që na ka dhuruar Krijuesi ynë. Fëmija bëhet ose jo. Si çdo punë edhe kjo është një vlerësim që do ta bëjë Allahu xh.xh. Ashtu siç mund të jetë një sprovë për njeriun mos posedimi i një fëmije, edhe posedimi i fëmijës, gjithashtu është një lloj sprove. Të posedosh fëmijë do të thotë të marrësh mbi supe përgjegjësinë e një njeriu. Të mendosh për ushqimin, veshjen, shëndetin, arsimimin, sjelljen, moralin, edukimin fetar….. Nuk është aspak e lehtë.
Fëmija mund të jetë i shëndoshë që nga lindja ose mund edhe të mos jetë i shëndoshë. Edhe kjo është një sprovë e veçantë. Shërbimi që do t’u bëhet fëmijëve me aftësi të kufizuara nga ana e nënës është një reflektim i mëshirës së Zotit. Një nënë e tillë, pak sa të largohet nga fëmija e saj, menjëherë i ndalet fryma, ngaqë mendjen e ka tek fëmija. Pasi të qëndrojë 5 minuta në atë gjendje, menjëherë mbledh veten dhe shkon që ta shohë fëmijën. I le të gjitha punët dhe vrapon drejt tek fëmija i sëmurë. Çdo krijesë e ka nga një detyrë. Tek dritarja e ndërtesës që gjendet përballë, kanë filluar të rriten fije të gjelbra, edhe pse nuk ka as ujë e as tokë të mjaftueshme. “Jo”, ka thënë gjelbërimi, “Zoti më urdhëroi që të rritem, kështu që unë do të lëshoj filiz dhe do të hap gjethe”. Sipas meje, një gjelbërim i këtillë është i jashtëzakonshëm.
Fëmijët nuk mund t’i koordinojnë punët e tyre, vetëm kur të rriten mund t’i dalin zot vetes. Mirëpo, fëmijët me aftësi të kufizuara nuk mund t’i dalin zot vetes edhe atëherë kur rriten dhe gjithmonë janë të varur. Këta fëmijë ndoshta nuk mund të përkujdesen për prindërit e tyre, ndoshta nuk mund t’i përqafojnë, ndoshta nuk mund t’u buzëqeshin apo t’u tregojnë problemet që i kanë, kurse në anën tjetër, ata edhe kur rriten kanë përkujdesjen e prindërve. Zoti ata i ka ngarkuar me një detyrë të tillë. Ja, edhe prindërit që i kanë kushtuar jetën fëmijëve të tyre, janë hero në njëfarë mënyre.
Në fund të kësaj jete ekziston një shpërblim shumë i madh, siç është xheneti. Është më se e vërtetë se ato krijesa të Zotit, të cilët do t’i kryejnë detyrat apo përgjegjësitë me të cilat janë ngarkuar nga Krijuesi i Gjithësisë në këtë jetë, do të jenë fituesit e një shpërblimi të tillë.
Pronari i gjelbërimit, por edhe i diellit, është Allahu xh.xh. Koordinuesi i nënave, baballarëve dhe i fëmijëve është vetëm Allahu xh.xh.
Në komunën Yskydar të Stambollit e kam një shok që punon si berber. Djali i tij nuk mund t’i lëvizte këmbët që nga lindja. Djali bëri një jetë pasive plot 18 vjet. Prindërit ishin gjithmonë në shërbim të tij. Pasi ndërroi jetë djali, më tha: “Kisha dëshirë që ende të ishte në jetë. E kërkoj përsëri. Ai ishte lumturia dhe begatia e shtëpisë sonë. Jemi duke e ndjerë dhimbjen e mungesës së tij”. Djali i tij ishte rritur dhe ishte bërë i madh. Prindërit e ushqenin dhe e pastronin atë në atë moshë, mirëpo nuk ankoheshin. Ishin të lumtur. Ngaqë ata janë të vetëdijshëm se kjo botë nuk është pa pronar dhe se njeriu nuk është një gur që ka ra nga mali në tokë. Krijuesi ynë është Allahu xh.xh., dhe është Ai që i mbron krijesat e Tij.
Njerëzit që janë të shëndoshë nuk duhet ta harrojnë një gjë: Kufizimi ynë i vërtetë do të jenë veprat që do të na e djegin kokën (mendjen) në ditën e gjykimit. ■
Hekimoglu Ismail / [email=hek%C2%ADi%C2%ADmo%C2%ADglu@ti%C2%ADmas.com.tr]hekimoglu@timas.com.tr[/email]
Huazuar nga Revista Zaman shqip