E mira të mbron - Kodi:
-
Teksti i Tregimit
Tregohet se në shkretëtirë, jetonte një fis endacak, të cilët endeshin lart e poshtë në kërkim të ujit. Mes tyre jetonte dhe një burrë që quhej Ibnu Xhedan, njeri i mirë dhe i dashur. Ai kishte një fqinj tepër të varfër, i cili kishte shtatë vajza për të ushqyer. Kush e ka parë jetesën e beduinëve, e di sa të vështirë e kanë jetën.
Një ditë, ai i dhuroi fqinjit të tij të varfër një deve, me qëllim që të ushqejë familjen me qumështin e saj.
Në periudhën e thatësirës, toka u ça, bari u tha dhe bagëtia kërkonte ujë. Ibnu Xhedan, doli bashkë me tre djemtë e tij në kërkim të ujit. Kur mbërritën tek disa shkëmbinj, Ibnu Xhedan vuri re ca të çara, nga të cilat kuptoi se mund ta çonin tek një burim uji nëntokësor. Menjëherë u përvesh dhe zbriti poshtë, ndërkohë që djemtë e tij prisnin jashtë.
Kaluan orë dhe ai nuk po dukej. Djemtë e thirrën por nuk u përgjigjej. U orvatën të hyjnë, por ishin të bëshëm me trup dhe nuk mundën. Në darkë, kur u bindën se i ati mund të kishte vdekur, e lanë dhe u kthyen në shtëpi. “Ku i dihet, mund të ketë rënë nga një lartësi, ose e ka kafshuar ndonjë gjarpër” thanë dhe ikën.
Vajtën në shtëpi dhe ndanë pasurinë e të atit mes tyre. Djali i mesëm, u tha:”Babai ynë i ka dhënë një deve fqinjit tonë. Mendoj që t’ia marrim se nuk e meriton, aq më tepër që nuk na pyeti fare kur ia dha. Le ti japim një deve tjetër të pavlerë në vend të devesë që i dha babai.”
Të gjithë u pajtuan me mendimin e tij, prandaj dhe vajtën tek fqinji dhe i thanë:”Babai të ka dhënë një deve të mirë, e cila na duhet neve. Merr këtë tjetrën në vend të saj dhe na e kthe devenë tonë!”
Fqinji u tha:”Babai juaj ma dhuroi pa ia kërkuar. Me qumështin e saj unë ushqej fëmijët dhe mbaj familjen!”
Djemtë iu përgjigjën:”Merre këtë devenë tjetër dhe na jep atë që të dha babai!”
Fqinji i pyeti:”Nuk ua jap devenë pa folur me babanë tuaj më parë.”
Djemtë iu përgjigjën:”S’ke punë me babanë, se ka vdekur!”
Fqinji i pyeti:”Ka vdekur?! Si dhe qysh vdiq?!”
Ata i thanë:”Vajtëm të kërkojmë ujë, ai hyri në një të çarë tek shëmbinjtë dhe nuk doli më që andej.”
Fqinji:”Mirë, merreni devenë tuaj, por më çoni tek vendi ku humbi babai juaj!”
Ata e çuan fqinjin e tyre tek e çara dhe ikën. Fqinji mori një litar, ndezi një pishtar dhe hyri brenda të çarës derisa mbërriti tek një vend ku i duhej të ecë këmbadorazi. Humbi thellë mes të çarave. Atje dëgjoi rrënkimin e Ibnu Xhedanit, i cili dukej sikur ishte në çastet e fundit të jetës. Iu afrua dhe pa që merrte frymë, edhe pse kishte kaluar një javë nga dita e humbjes. Me vështirësi e tërhoqi dhe e nxorri jashtë. Atje i dha për të ngrënë ca kokrra hurma arabie dhe disa gllënjka ujë. Mandej e mbajti në shpinë dhe e çoi në shtëpinë e vet. Kështu, i shpëtoi jetën. Ndërkohë, fëmijët e tij nuk dinin asgjë.
Pasi e mori veten, e pyeti:”Pash Zotin më trego si ke qëndruar i gjallë për një javë në atë vend të ngushtë dhe pa ushqim!”
Ibnu Xhedan iu përgjigj:”Do të tregoj diçka të çuditshme që më ka ngjarë atje. Pas tre ditësh, i humba shpresat se mund të shpëtoja dhe iu dorëzova vullnetit të Zotit. Në një moment, ndjeva ca pika qumështi që më derdheshin në buzë. Shihja një enë e cila qëndronte lart dhe nga ajo pikonin pika qumështi deveje. Kjo më ndodhte tre herë në ditë. Por pas dy ditësh nuk u shfaq më dhe nuk e kuptova shkakun.”
Fqinji i tij i tha:”Po ta dije shkakun, do të çuditeshe akoma më shumë. Fëmijët e tu kujtuan se ti ke vdekur dhe ma morrën devenë që më pate dhënë ti dhe me të cilën ushqeja fëmijët. Besimtarit i bën dobi e mira që ka bërë, ajo e ruan nga të këqijat.”
Share this: