Sektori antiterrorizëm i policisë australiane ka kryer kontrolle në dy shtëpi mëngjesin e kësaj të hëne, që kanë lidhje me agresorin që shkaktoi vdekjen e 50 personave në dy xhami të ndryshme të Zelandës së Re javën e kaluar.
Shtëpitë ndodheshin në qytezat Sandy Beach dhe Lawrence të shtetit New South Wales, që të dyja shumë pranë qytetit të Graftonit, ku agresori Brenton Tarrant është rritur.
“Objektivi i parë i këtij kontrolli është sigurimi formal i materialeve që mund të ndihmojnë policinë neozelandeze në hetimin që po zhvillojnë”, tha policia në një deklaratë për mediet.
Sipas tyre, familja e Tarrant “vazhdon të ndihmojë policinë në hetimin e saj”, ndërkohë që nuk ekziston asnjë dyshim “për një kërcënim aktual apo të afërt” ndaj komunitetit.
Tarrant, i vetëshpallur supremacist i bardhë, kaloi rininë e tij në Grafton, por ka udhëtuar shpesh jashtë shtetit përgjatë dekadës së fundit, ndërkohë që vitet e fundit ka jetuar në Dunedin të Zelandës së Re.
Ai akuzohet tashmë për vrasje atje, pas masakrës së të premtes që i mori jetën 50 vetëve dhe plagosi edhe rreth 50 të tjerë në dy xhami të Christchurchit.
Ministri i Brendshëm australian, Peter Dutton tha të hënën se, Tarrant kishte kaluar vetëm 45 ditë në Australi përgjatë 3 viteve të fundit dhe se nuk ishte pjesë e “listës nën mbikëqyrje” të terroristëve të dyshuar.
Ai refuzoi dhe i quajti të turpshme kritikat se agjencitë antiterrorizëm të Australisë e kishin neglizhuar kërcënimin e ekstremistëve të krahut të djathtë, siç ishte edhe ai i Tarrant, për shkak të fokusit të tyre në luftën kundër ISIS-it. Sipas tij, Organizata australiane për Kundërzbulimin dhe Sigurinë (ASIO), agjencia kryesore antiterrorizëm në vend, ndjek nga afër të gjitha aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë.