Ballina Lajmet
“Opozita planifikon atentate dhe sulme terroriste në Venezuelë”
March 24, 2019

Zëvendëspresidenti i Venezuelës, Jorge Rodriguez akuzoi liderin e opozitës dhe presidentin e vetëshpallur të përkohshëm Juan Guaido për planifikim të aktiviteteve terroriste në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kriza e thellë politike në Venezuelë është përshkallëzuar më tej të enjten, kur u arrestua shefi i kabinetit të Guaidos Robert Marrero, i cili u akuzua për veprime antikushtetuese, nxitje të terrorizmit dhe dhunës si dhe për planifikim të atentatit ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Me miratimin e Prokurorisë, Rodriguez në një konferencë për media ka treguar një pjesë të mesazhit dhe përmbajtjes me telefonin celular të Morerros, në të cilin dyshohet se konfirmon pretendimet e aktakuzës.
Rodriguez thotë se opozita ka angazhuar forcat paramilitare nga Amerika Latine dhe u ka dhënë atyre një listë të njerëzve të rëndësishëm që duhet të jenë objektiv i atentateve.
“Aktualisht, në Venezulë kemi paraushtarakë të cilët janë trajnuar në Kolumbi. Ushtria venezueliane është në kërkim të tyre. Këta paramilitarë kanë planifikuar të kryejnë sulme ndaj rrjetit kabllor dhe metros në Karakas”, tha Rodriguez.
Ai tha gjithashtu se ushtria ka arrestuar tashmë Wilfred Torres Gomez, me emrin e koduar “Neco”, që ishte kreu i grupit famëkeq paramilitar kolumbian Rastrojos.