Parlamenti britanik ka vazhduar me seancat me hapje shtetërora para negociatave kyçe me Bashkimin Evropian (BE) për Brexit-in, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbretëresha Elizabeth dorëzoi programin e qeverisë së kryeministrit Boris Johnson në Dhomën e Lordëve, duke hapur zyrtarisht parlamentin me fjalimin e saj.
Fjalimi i saj përfshinte politika rreth krimit, shëndetësisë, mjedisit dhe Brexit-it.
“Prioriteti i qeverisë sime gjithmonë ishte që të sigurojë ndarjen e Mbretërisë së Bashkuara nga Bashkimi Evripian më 31 tetor”, tha Mbretëresha.
“Qeveria ime ka për qëllim që të punojë drejt një partneriteti të ri me Bashkimin Evropian, të bazuar në tregti të lirë dhe bashkëpunim miqësor”, tha ajo.
Qeveria e kryeministrit Johnson do të sjellë marrëveshjen e re të Brexitit nëse ekipi negociues mund të arrijë marrëveshje me BE-në deri në samitin e Këshillit Evropian në fund të kësaj jave në Bruksel dhe do të kërkojë miratimin e tij në dy dhomat e parlamentit deri në afatin përfundimtar të 31 tetorit.
Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe BE janë pajtuar që të përfshihen në bisedime intensive për arritjen e marrëveshjes dhe sipas burimeve lokale, palët akoma po bisedojnë.
Kryeministrit Jonhson i nevojitet që të kërkojë prolongim të afatit të Brexit-it nëse nuk mund të sigurohet marrëveshje deri më 19 tetor. Parlamenti do të mbajë seancën historike për Brexit-in në po të njëjtën ditë.
Kryeministri britanik ka insistuar se vendi i tij do të braktisë BE-në në afatin përfundimtar dhe vazhdimisht ka thënë se ai nuk do të kërkojë prolongim, përkundër urdhërit të parlamentit.
Votuesit britanikë vendosën që të braktisin BE-në në një referendum të mbajtur në qershor të vitit 2016.