Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| | [Teme islame] Para se të vijë dita e pendimit | |
Para se të vijë dita e pendimit Besimtari e do pozitën, pasurinë, paratë dhe çdo lloj mundësie tjetër vetëm e vetëm për t’i përdorur në drejtim të kënaqësisë së Allahut Teala. Ai largohet duke shfaqur kujdes të veçantë që të mos zhytet në shpresa afatgjata, në gjëra boshe, të padobishme dhe të pakuptimta. Hazreti Imam Gazaliu, i cili ishte prej mendimtarëve të shekullit të njëmbëdhjetë, që ka shkruar afërsisht pesëqind vepra dhe që ka edukuar nxënës për vite të gjata në Medresenë Nazimije të Bagdadit, nga e cila është përhapur civilizimi dhe dija në të gjithë botën, në veprën e tij me titull “Ihjau Ulumi’d-Din” jep si shembull një popull që ka hipur në anije:“Kapiteni e ndaloi anijen në bregun e një ishulli. Pastaj i nxori në tokë ata që gjendeshin në anije. Ai u dha leje atyre aq sa t’i kryenin nevojat e tyre dhe të ktheheshin. Për sa i përket kthimit, ai i paralajmëroi shumë herë që të mos bëheshin vonë. Një pjesë prej udhëtarëve, pa humbur aspak kohë, i kryen nevojat e tyre dhe u kthyen në anije duke u shqetësuar që të mos u largohej. Kur u kthyen, zunë vendet më të mira.Ndërsa një pjesë tjetër e tyre arritën të ktheheshin me vonesë te anija për shkak se u zhytën në joshjen që u jepnin ngjyrat e llojllojshme, lulet, arrat, vreshtat dhe ndërtesat. Atyre befasisht u erdhi në mendje kthimi. Për këtë arsye,menjëherë vrapuan drejt anijes. Si rezultat, arritën të gjenin një vend të ngushtë dhe të mundimshëm.Ndërsa disa të tjerë prej tyre u dehën nga pasuria e thesari i atij ishullit dhe e humbën veten, por në momentin e fundit ia vunë gishtin kokës. Ata nuk i lanë në asnjë lloj mënyre gjërat që i morën nga ishulli dhe për të cilat pandehnin se ishin të vlefshme. Këto gjëra mezi i mbartën deri te anija, por prapë se prapë u detyruan t’i mbanin në kurrizin e tyre, ngaqë në anije nuk kishte ngelur vend. Gjithashtu, pas kishin ngelur edhe disa shokë të tyre. Ata i mbyllnin veshët dhe nuk dëshironin ta dëgjonin sirenën e anijes. Edhe pse deshën të ktheheshin në momentin e fundit, nuk gjetën vend në anije. Kështu që ngelën pa ujë, pa ushqim dhe ballë për ballë me rreziqe të tmerrshme. “Ja, pra!” – thotë Imam Gazaliu: “Një rob me zemër të pastër dhe me kokën lart që nuk mashtrohet nga kjo botë, që e pranon atë vetëm si një mjet dhe që nuk e lejon zemrën e tij të kaplohet nga ajo, menjëherë zgjedh rrugën që e shpie te Krijuesi i tij, zë vendin e duhur dhe e përgatit veten për të dhënë llogari.” Sa qartë që e shpjegon ky shembull gjendjen në të cilën do të bien përgjatë tubimit të madh në Ditën e Gjykimit ata që zhyten në bixhoz, lojëra, argëtime, muzikë, filma dhe gjëra të tjera të ngjashme me këto, që e kalojnë jetën pa ndonjë qëllim dhe që e harrojnë Ahiretin! I Dashuri i Allahut, i Nderuari ynë, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë në një hadith që transmetohet nga Tirmidhiu: “Çfarë (lidhjeje) ka ndërmjet meje dhe kësaj bote! Gjendja ime dhe e kësaj bote i ngjan gjendjes së një kalorësi që po ecën në një ditë vere. Kalorësit në fjalë i del një pemë përpara. Ai fle një orë nën hijen e asaj pemë. Pastaj e lë atë dhe vazhdon rrugën e tij.” Nëse i hedhin një sy dijetarëve osmanë dhe udhëheqësve të edukuar të asaj periudhe, do të shohim se ata shfaqnin një kujdes të veçantë për të mos e çuar kohën dëm duke i respektuar rregullat që i ka vënë Suneti i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ata e respektuan mysafirin, e mbajtën shoqërinë,i organizuan bisedat fetare dhe i kryen vizitat ndaj njëri-tjetrit gjithmonë duke i zbatuar rregullat. Për këtë arsye, prindërit e ditëve të sotme duhet të bëhen shembull për të rinjtë edhe në të folur, edhe në sjellje. Ata nuk duhet t’i lejojnë të rinjtë që të rrëshqasin nëpër gjëra të padobishme, gjëra që i pëlqejnë nefsit, lojërat me tepri, organizime me muzikë të çmendur, filma dhe veprime që nuk përputhen me të vërtetën e realitetin. Kështu, ajeti i shtatë dhe i tetë i sures Inshirah, e cila është surja e 94-t e Kuranit Fisnik, janë udhëzuesi më i madh për ta kaluar kohën të mbushur plot: “Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” Nisur nga ky aspekt, veçanërisht besimtarët e rinj, në çdo moment duhet ta ndjejnë veten se janë nën mbikëqyrjen e Allahut Teala dhe gjithmonë duhet të preokupohen me punë të dobishme dhe produktive. Për këtë arsye, është quajtur “masiva” çdo gjë që e lëshon njeriun në shkujdesje dhe që e pengon për të përparuar. Domethënë, kur besimtarët përpiqen t’i kryejnë punët me duart dhe fizikun e tyre, duhet të kenë si synim që t’i nxjerrin nga zemrat e tyre të gjitha dashuritë përveç dashurisë ndaj Allahut të Madhëruar dhe të Dërguarit të Tij (s.a.s.). Nëse nuk veprojmë në këtë mënyrë, shkujdesja vazhdimisht vjen duke u shtuar dhe perdja duke u trashur. Si rezultat, mund të bëhemi lodër e shejtanit, Allahu na ruajttë, duke menduar: “Gjithmonë do të jemi të shëndetshëm dhe të rinj.” Myslimanët që nuk shfaqin kujdes ndaj urdhrave dhe ndalesave të Allahut Teala, fillojnë çdo gjë ta marrin si të zakonshme. Ja pra, për njerëz të tillë Kurani Fisnik thotë kështu në ajetin e 108-të të sures Nahl:“Këta janë ata të cilëve Allahu ua ka vulosur zemrat, të dëgjuarit dhe të parët; pikërisht këta janë të shkujdesurit.” Ndërsa në ajetin e parë dhe të dytë të sures Enbija, Allahu Teala thotë:“Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta). Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë, duke u tallur me të...” Ne duhet të shpëtojmë nga mungesa e dijes që na lëshon në shkujdesje shpirtërore akoma sa jemi të ri e të shëndetshëm dhe para se të vijë koha e sëmundjes, pleqërisë dhe e halleve e vështirësive të ndryshme. Nëse i mbledhim pjesëtarët e familjes rreth nesh dhe bëjmë mësim të rregullt çdo mbrëmje duke lexuar prej librave të tefsirit, hadithit, sijerit dhe ilmihalit, kohën do ta kalojmë në mënyrë produktive, injorancën do të mposhtim dhe do të fitojmë kënaqësinë e Zotit (xh.sh.). Nëse fëmijëve ua japim këtë traditë, edhe ua përparojmë të lexuarit, edhe ua injektojmë traditën e të lexuarit. Në ajetin e 39-të të sures Merjem, Allahu i Lartësuar thotë duke na treguar se duhet t’ua injektojmë edhe të tjerëve ndjenjën e përgjegjësisë: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” Prandaj, së pari le ta zbatojmë vetë, pastaj t’i paralajmërojmë edhe të tjerët... | |
|