E kuptuam më herët rëndësinë e devotshmërisë dhe rrezikun e saj (nëse nuk stolisemi me të), dhe vlerën e saj të lart, siç e kuptojmë se fryti i devotshmërisë nuk realizohet përderisa nuk i plotëson pesë gjëra, e ato janë: Besimi, Nënshtrimi , Lërja e mëkateve, Pendimi dhe Sinqeriteti.
E nëse mungon një prej këtyre pesë pikave atëherë mungon devotshmëria.
Prej këtu e mësojmë se devotshmëria nuk është adhurimi – siç mendojnë shumë njerëz – sepse gjejmë besimtar i cili adhurimin e ka të shumtë, mirëpo adhurimi i tij nuk e ka ngrit në nivelin e devotshmërisë.
Në librin e Allahut dhe në fjalët profetike kemi argumente të shumta dhe prova të qarta për atë që e sqarova, ka thënë Allahu i madhëruar: "Edhe Ibrahimin (e dërguam) kur ai popullit të vet i tha: "Adhurojeni All-llahun dhe keni frikë prej Atij(bëhuni të devotshëm ndaj Tij)" (el-Ankebut16)
Dhe thotë i Lartësuari: "Ne e dërguam Nuhun te populli i vet (dhe i thamë): "Tërhiqja vërejtjen popullit tënd para se ata t'i godasë dënimi i rëndë!"Ai tha: "O populli im, unë jam i dërguar te ju, jam i qartë. Adhurojeni All-llahun, kini frikë prej Tij (bëhuni të devotshëm ndaj Tij) dhe mua më dëgjoni". (Nuh 1-3)
Kurse në ajetin tjetër i Lavdëruari thotë: "O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)." (el-Bekareh 21)
Shikojeni – Allahu ju mëshiroftë – si u bë dallimi në ajetet e lartpërmendura në mes adhurimit dhe devotshmërisë, Nuhu dhe Ibrahimi – paqja qoftë mbi ta – e urdhëruan popullin e tyre me adhurim dhe devotshmëri.
Në ajetin e tretë Allahu i urdhëroi njerëzit që ta adhurojnë Atë i cili i krijoi ata, dhe i krijoi ata që ishin para tyre, me shpresë që adhurimi i tyre ti ngrit në shkallën e devotshmërisë.
Kurse në udhëzimin e pastër profetik thotë i derguari i Allahut – paqja qoftë mbi të- " Keni kujdes nga dyshimi, sepse dyshimi është prej bisedave më gënjeshtare, mos gjurmoni (sekretet e besimtarëve), mos spiunoni (njëri tjetrin), mos mbani zili, mos e urreni (njëri tjetrin), mos ia ktheni (shpinën njeri tjetrit), por bëhuni robër të Allahut vëllezër, muslimani është vëlla i muslimanit nuk e poshtëron atë, nuk i bënë padrejtësi (zullum) dhe nuk e braktis atë, i mjafton njeriut për sherr që ta poshtëroj vëllanë e tij musliman, çdo musliman e ka të ndaluar (ta shpërfill) pasurin e muslimanit, gjakun e tij dhe nderin e tij, Allahu nuk shikon në fizionomitë dhe trupat tuaj por shikon në zemrat dhe punët tuaja. Devotshmëria është këtu, Devotshmëria është këtu, Devotshmëria është këtu, bëri me shenj drejt gjoksit të tij". (Transmeton Muslimi).
Nga këto fjalë profetike së pari kuptojmë se për ta arrit devotshmërinë duhet t'iu shmangemi të gjitha këtyre punëve të cilat u cekën në hadith, dhe së dyti kuptojmë se devotshmëria është sekreti në mes robit dhe Zotit të tij, dhe për këtë bëri me shenj i dërguari i Allahut drejt gjoksit të tij.
Dhe e mbështet këtë libri i Allahut: "Pra mos lavdëroni veten, se Ai (Allahu) e di kush është më i ruajtur(më i devotshmi)". (en-Nexhm 32).
Prej ajeteve më gjithpërmbledhëse i cili na tregon realitetin e devotshmërisë dhe na e sqaron se me këtë devotshmëri nuk begatohet njeriu me ngrohtësinë e saj,freskinë e saj dhe dritën e saj përderisa nuk i përvetëson bazat e moralit, dhe i kryen bazat e adhurimit, them prej ajeteve më gjithpërmbledhëse është ky ajet i nderuar: "Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit". (el-Bekareh 177).
Shikoni- Allahu ju mëshiroftë – në vetit fisnike dhe cilësitë e lavdëruara për të cilat na foli ky ajet dhe se si janë përmendur në të tri bazat e Sheriatit: Besimi, Adhurimi dhe Morali, dhe i ka përmbledh në vete pesëmbëdhjetë veti, dhe e ka bërë devotshmërinë fryt i tërë këtyre vetive, siç erdhi në fund të ajetit: " Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit". (el-Bekareh 177).
Pas kësaj që u përmend e kuptojmë sekretin dhe urtësinë e përmendjes së devotshmërisë në fillim të librit të Allahut.
O Zot na bënë prej të devotshmëve, për të cilët ke thënë: "Ato janë xhennetet që do t'ua trashëgojmë robve Tanë që ishin të ruajtur (të devotshëm)". (Merjem 63