Në seancën e sotme parlamentare ku u shtruan pyetjet e deputetëve,
BDI pyeti për masat e ndërmarra nga ana e MPB në lidhje me aktin vandal
të grisjes së flamurit shqiptar në ndeshjen e basketbollit që ndodhi
javën e kaluar. Për dallim nga përgjigjet tjera të dhëna nga
Jankullovska, për këtë rast ajo preferoi të përgjigjet e shkrim.
“Para një jave ishim dëshmitar të një akti vandal, akt i cili
tronditi gjithë shqiptarët, grisja e flamurit kombëtar shqiptar në një
ndeshje basketbolli. E dimë se kanë reaguar të gjitha partitë politike
reagoi edhe ambasada e Shqipërisë, por asnjë reagim nga MPB. Pyetja
është a janë marr masa për gjetjen dhe dënimin e aktorëve” tha Hajrulla
Misini, BDI.
“Në lidhje me ngjarjen konkrete do të bëjmë kontroll dhe do të
përgjigjemi me shkrim” tha Gordana Jankullovska ministre e Punëve të
brendshme.
Pas mospranimit të kërkesës së deputetit Buçkovski nga ana e
kryetarit të parlamentit që në seancë të merr pjesë edhe kryetari i
këshillit gjyqësor, pyetja iu drejtua numrit një të parlamentit
Veljanovski. Deputeti kërkoi që kryeparlamentari t’i mundësoj praninë e
tij në seancën e këshillit gjyqësor.
“Unë kërkoj nga ju që në përputhshmëri me ligjin për qasje të lirë te
informatave të më siguroni pranim te kryetari i këshillit gjyqësor, të
kem qasje në dy votime për shkarkim të gjykatësve ku sipas burimeve të
këshillit gjyqësor rezultati i votimit nuk ka qenë 10-4 por ka qenë 8-6
dhe kjo është arsyeja që me urdhër të ministrit Manevski janë fshirë
listingjet nga këto votime” tha Vllado Buçkovski, LSDM.
“Nuk varet nga unë nëse dëshiroj apo jo të ftohet dikush por a kam të
drejtë të thirret ndonjë funksionar që të përgjigjet para deputetëve në
parlament. Mund të shkoni atje dhe atë që kërkoni besoj se në
pajtueshmëri me ligjin për qasje të lirë të informatave do ti merrni
informatat ndërsa unë nuk kam kurrfarë obligimi që t’ju caktoj pranim në
këshillin gjyqësor” tha Trajko Veljanovski kryetar i parlamentit.
“Bëni precedent të rrezikshëm pasi nesër mund të jetë kryetar dikush
që ne e kemi votuar pas mbarimit të mandatit të Grçevit” tha Vllado
Buçkovski, LSDM.
Në seancën e sotme nuk munguan edhe çështjet që kanë të bëjnë me
duhanprodhuesit, çështjet në ekonomi, shëndetësi, diplomaci dhe siguri.