Tebuku sprova e besimit
Lajmet për rritjen e forcës së muslimanëve dhe të ithtarëve të Pejgamberit (s.a.v.) anekënd Arabisë, rastësisht arritën edhe te Herakliu, perandori i Perandorise Romake të Lindjes. Romakët e panë se bashkimi i Arabëve nën Islamin paraqiste një kërcënim të mundshëm për perandorinë dhe për këshilltarët dhe gjenaralët perandorakë, prandaj vendosën se do të ishte më mirë t'i sulmonin muslimanët, njëkohësisht, nga lindja dhe nga veriu dhe kështu të shkatërrojnë Islamin njëherë e përgjithmonë. Kishin kaluar dy vjet që kur Herakliusi u kishte rrëfyer atyre për letrën e Pejgamberit, në të cilën kërkohej t'i nënshtroheshin Islamit, por edhe tani, ashtu siç ndodhi atëherë, ata nuk deshën të dëgjojnë ide të tilla.
Kur Pejgamberi (s.a.v.) dëgjoi për planin e romakëve, vendosi se do të ishte më mirë, që me ushtrinë romake të takohen në Tebuk, nja 500 kilometra larg Medines në drejtim të Sirisë, se sa t'i presë të sulmojnë Medinen. Arsyeja për këtë vendim qëndronte në atë, se
Pejgamberi (s.a.v.) mendoi se në qoftë se muslimanët në Medine pësojnë disfatë, atëherë edhe qyteti do të pushtohej e kjo do të sillte si pasojë edhe fundin e Islamit. Ky ishte një vendim i vështirë për të, sepse jo vetëm që Tebuku gjendej shumë larg, por ishte edhe koha e korrjeve dhe bënte shumë nxehtë. Kësaj i duhej shtuar edhe fakti se armiku kishte një ushtri shumë të madhe.
Asokohe në Medine jetonin edhe njerëz që nuk ishin besimtarë të vërtetë. Ata i quanin "hipokritë", sepse shtireshin sikur besonin, por në të vërtetë e fshihnin atë që kishin në zemër. Kur Pejgamberi (s.a.v.) dha kushtrimin për luftë, këta hipokritë u përpoqën të mbjellin frikë dhe dyshim në mesin e muslimanëve, duke thënë: "Si mund të shpresojmë se do t'i mundim romakët, perandoria e madhe e të cilëve shtrihet nëpër tërë botën? Por edhe po të mundemi, ne nuk do ta arrijmë ta bëjmë këtë, sepse rruga e gjatë dhe i nxehti i madh do të na shkatërrojnë. Sidoqoftë, të lashtat janë gati për t'u korrur ndërsa frytet duhet të vilen; si mund t'i lemë ato? Ne do të merremi në qafë nëse e lejojmë një gjë të tillë."
Të tilla fjalë që u përsëritën disa herë, i vunë muslimanët përpara sprovave. Kush do të kishte mundësi ta vijonte luftën për fenë e tij me të tilla gjasa? Cili do të guxonte ta japë pasurinë e tij që të pajisë një ushtri? Sprova e besimit do të tregojë se cilët janë muslimanët e vërtetë. Mbi këtë çështje, Allahu shpalli ajetet vijuese: JETA E PROFETIT MUHAMED 86
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
"0 ju që besuat, Ç'është me ju, që kur u thuhet: "Dilni në (luftë) rrugën e Allahut", ju u rënduat në vend (si të ishit të gozhduar). A mos ishit më të kënaqur me jetën e kësaj bote, se sa me atë të ardhmen? Përjetimi i jetës së kësaj bote ndaj asaj të ardhmes, nuk është asgjë."
(Et Tevbe:38)
Për ta mbledhur e pajisur ushtrinë, Pejgamberit (s.a.v.) i nevojiteshin të holla dhe përkundër asaj që përhapnin hipokritët, shumë muslimanë, e veçanërisht shokët e afërt të Pejgamberit (s.a.v.) ishin të gatshëm t'i ndihmojnë. Për shembull, Uthman ibn Affani siguroi kuaj dhe armë për dhjetë mijë ushtarë, ndërkaq Ebu Bekri i dha të tëra ato që kishte në këtë botë. Edhe Umeri, gjithashtu dha një kontribut të madh, kështu që në këtë mënyrë Pejgamberi (s.a.v.) qe në gjëndje të tubojë rreth vetes një ushtri prej dyzet mijë ushtarësh.
Kur çdo gjë ishte bërë gati dhe ushtria po nisej, Pejgamberit (s.a.v.) i erdhën shtatë njerëz dhe iu lutën që të nisen me të. Për fat të keq, ai i refuzoi sepse nuk kishte mbetur e lirë asnjë deve apo kalë. Që të shtatë u shqetësuan shumë dhe ikën ashtu siç erdhën. Kur u nisën ushtarët, disa deve mbetën të lira. Atëherë Pejgamberi (s.a.v.) i lajmëroi ata shtatë njerëzit, të cilët u gëzuan shumë që do të mund t'i bashkohen atij për në luftë.
Romakët e kishin kuptuar se muslimanët ishin nisur të ballafaqohen me ta. Kur e dëgjuan këtë, ata u bindën edhe më tepër në fitoren e tyre, sepse besonin se ishte e pamundur që një ushtri e tillë të kalojë në shkretetirë pa ujë dhe nën diellin përcëllues. Edhe po të ndodhte ndonjë mrekulli dhe muslimanët të arrinin ta bënin këtë, ata do të lodheshin aq shumë, saqë ngadhnjimi mbi ta do të ishte një punë shumë e lehtë.
Koha ishte shumë e nxehtë, ndërsa udhëtimi tepër i vështirë, saqë disa muslimanë u kthyen prapa. Sidoqoftë Pejgamberi (s.a.v.) dhe pjesa më e madhe e ushtrisë e vazhduan udhëtimin derisa më në fund mbetën edhe pa ujë. Ekspedita dukej gjithnjë e më tepër e pashpresë sepse njerëzit i mundonte etja. Pejgamberi (s.a.v.) iu lut Allahut xh.sh. për ndihmë dhe posa mbaroi lutjen, filluan të bien pikat e para të shiut. Shiu vazhdoi të bjerë derisa të gjithë muslimanët u ngopën duke pirë ujë dhe e shuan etjen e tyre. Për herë të parë që nga koha që ishin nisur, ata fjetën të qetë, të freskuar nga uji dhe të bindur se Bilali do t'i zgjojë për të falur sabahun. Mirëpo, Bilalin e kishte zënë një gjumë i thellë, kështu që nuk u zgjua. Ishte hera e parë që muslimanët e kapërcyen faljen e tyre, andaj edhe u shqetësuan shumë. JETA E PROFETIT MUHAMED 87
Megjithatë Pejgamberi (s.a.v.) nuk u zemërua me Bilalin dhe u tha muslimanëve se nuk ka arsye të shqetësohen, sepse faljen nuk e kanë kapërcyer qëllimisht.
Pejgamberi (s.a.v.) dhe ushtria e tij e vazhduan rrugën nëpër shkretëtirë dhe më në fund arritën në oazet e Tebukut. Kur arritën atje u habitën shumë, sepse kuptuan se kur ushtria romake kishte dëgjuar për mrekullinë që u kishte ngjarë muslimanëve duke kaluar nëpër shkretëtirë, ishte tërhequr nga frika. Pejgamberi (s.a.v.) priti ca kohë tek oazet, por kur u bë e qartë se romakët nuk do të luftojnë ai dha urdhër që të kthehen në shtëpitë e veta. Armikun nuk e ndoqën pas, sepse Pejgamberi (s.a.v.) luftonte vetëm kur sulmohej.
Marshimi i gjatë deri në Tebuk ishte edhe një sprovë e besimit të muslimanëve. Madje edhe atëherë, në mesin e atyre që bënë atë udhëtim heroik, kishte të atillë që bëheshin hipokritë; shtireshin se janë të sinqertë, ndërsa në zemrat e tyre ishin armiq të Islamit.
Askush nuk mund të besonte se dikush që kishte bërë tërë atë udhë nëpër shkretëtirë bashkë me Pejgarnberin (s.a.v.), do të mund të ishte armik i tij. Duke parë këtë, disa hipokritë vendosën ta vrasin Pejgamberin (s.a.v.) duke e shtyrë nga majat e shkëmbijve të një gryke malore, që gjendej ndërmjet maleve të Akabesë.
Mirëpo, para arritjes së ushtrisë në këtë grykë malore, Allahu e paralajmëroi Pejgamberin (s.a.v.) për këtë plan të lig. Prandaj, Pejgamberi (s.a.v.) e urdhëroi tërë ushtrinë që të kalojë nëpër luginë, ndërsa ai me dy rojet e tij u nis nëpër shkëmbijtë. Kur komplotistët filluan t'i afrohen, ai u bërtiti me zë të lartë, kështu që ata e kuptuan se ai e dinte planin e tyre dhe shpejtuan t'i bashkohen ushtrisë e të fshihen ndërmjet ushtarëve të tjerë.
Më vonë, Pejgamberi (s.a.v.) i tuboi rreth tij ithtarët e vet dhe u rrëfeu për atë që kishte ndodhur. Ai nxorri para të gjithëve njerëzit që kishin kurdisur komplotin kundër tij dhe u tha të njëjtat fjalë që ata kishin folur mes tyre. Disa nga shoket e Pejgamberit (s.a.v.) thane se këta duheshin vrarë, por Pejgamberi (s.a.v.) i fali.
Posa arritën në Medine, Pejgamberi (s.a.v.) shkoi në xhami dhe u fal. Shumica e hipokritëve dhe e të ligëve, që nuk kishin shkuar me të në Tebuk, erdhën të shfajësohen për shkaqet e veprimeve të tyre të tilla. Tri njerëz, që kishin vlera shpirtërore dhe që nuk i ishin bashkangjitur ushtrisë, Pejgamberi (s.a.v.) i dënoi, që të leçitur të prisnin faljen nga Allahu. Pesëdhjetë ditë, askush nuk ndërroi një fjalë me ta. Më në fund, Allahu i shpalli Pejgamberit (s.a.v.) një ajet, në të cilin deklarohej se këta tri njerëz ishin të falur: JETA E PROFETIT MUHAMED 88
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
"Allahu ia fali Pejgamberit, edhe muhaxhirëve edhe ensarëve, të cilët në çastin e vështirë shkuan pas tij, kur (nga vështirësitë) zemrat e një grupi nga ata, gati u lëkundën, por Ai ua fali (i qetësoi zemrat e) atyre. Vërtet Ai është i butë, i mëshirshëm ndaj tyre. (Ai ua fali) Edhe atyre të treve, të cilëve iu pat shtyrë aq (pranimi i pendimit) saqë toka u bë e ngushtë për ta, përkundër gjerësisë së saj, kur u ngushtuan edhe shpirtërat e tyre saqë u bindën se nuk ka strehim prej Allahut (tjetërku), pos te Ai. Prandaj edhe atyre ua fali Ai, në mënyrë që të pendohen. Allahu pranon pendimin se është mëshirues. 0 ju që besuat! Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtit." (Et Teube:117-119) JETA E PROFETIT MUHAMED 89
Haxhi i Lamtumirës
Pejgamberi (s.a.v.) ishte duke u bërë prijësi më i fuqishëm në tërë Arabinë. Pas shembjes së idhujve të Qabes dhe islamit të kurejshëve, shumica e fiseve të tjera të Arabisë erdhën të deklarohen për Islamin. Viti, gjatë të cilit ata erdhën, më vonë do të quhej Viti i Delegimeve. Në çdo fis të ri që pranonte Islamin, Pejgamberi (s.a.v.) dërgonte nga një njeri të tij me qëllim që ti mësojë ata për fenë e re.
Gjithashtu, shumë njerëz vinin në Medine që personalisht ta pyesnin Pejgamberin (s.a.v.) për Islamin. Njëri prej fiseve dërgoi një njeri të madh e të fuqishëm, që njihej me emrin Dimam. Me të arritur në Medine, ai shkoi drejt e në xhami, ku rrinte Pejgamberi (s.a.v.) me shokët dhe u ndal para tij. Me zë të lartë dhe të vrazhdë ai pyeti: "Cili prej jush është i biri i Abdulmuttalibit?" Kur Pejgamberi (s.a.v.) u përgjigj, Dimami vazhdoi: "Unë do të të bëj një pyetje të vështirë, andaj mos më keqkupto. Kërkoj të betohesh në Allahun, Allahun tënd, Allahun e atyre para teje dhe Allahun e atyre që do të vijnë pas teje, se a thua vallë të ka dërguar Ai te ne si Pejgamberin e Tij?"
"Po, Ai më ka dërguar", u përgjigj Pejgamberi (s.a.v.)
" A të ka këshilluar të na udhëzosh që t'i shërbejmë Atij, të falemi pesë herë në ditë, të japim sadaka, të agjërojmë, ta bëjmë haxhin dhe të ndjekim ligjet e tjera të Islamit?", vazhdoi Dimami.
Kur Pejgamberi (s.a.v.) u përgjigj se Allahu me të vërtetë kështu e ka këshilluar, Dimami u bë musliman dhe duke ikur shtoi: "Atëherë unë do t'i bëj gjërat që na janë të lejuara dhe do t'u shmangem gjërave që i kemi të ndaluara, as më shumë e as më pak."
Ndërkohë, që Dimami përgatiste devenë e tij me qëllim që të nisej, Pejgamberi (s.a.v.) u tha njerëzve rreth tij: "Nëse ky njeri është i sinqertë, atëherë ai do të shkojë në xhenet." Kur Dimami arriti te njerëzit e tij, ata të gjithë menduan se është i marrë, mirëpo pas muzgut, kur ai mbaroi fjalimin e tij, në mesin e tyre nuk mund të gjendej njeri që s'e kishte pranuar Islamin.
Kur u afrua koha e haxhit vjetor, u shpall lajmi se edhe Pejgamberi (s.a.v.) do të shkonte në Meke. Muslimanët u grumbulluan në Medine nga të gjitha anët e Arabisë, vetëm e vetëm që t'i bashkohen atij në rrugën e tij për në Qabe. Ashtu si arrinin, fiset e vendosnin kampin e tyre rreth qytetit, derisa më në fund u bënë mbi tridhjetë mijë frymë. Pejgamberi (s.a.v.) së bashku me familjen dhe shokët e tij, doli që t'i presë dhe t'u prijë për në
, por para se të nisen ai u priu në lutjen e përbashkët. Pas lutjeve, Pejgamberi (s.a.v.) hipi mbi devenë e tij dhe u nis në drejtim të Mekës, i ndjekur nga JETA E PROFETIT MUHAMED 90
haxhilerët, shumica e të cilëve për herë të parë në shekujt e shkuar, e adhuronin të vetmin Zot, Allahun xh.sh.
Pejgamberi (s.a.v.) dhe shokët e tij u prekën thellë nga pamja madhështore e numrit të madh të muslimanëve që u shkonin pas në Meke, ku të gjithë ishin të paarmatosur dhe sypatrembur. Atyre nuk mund të mos u kujtohej arratisja e tyre nga Meka kur ishin aq të paktë në numër dhe kur u detyruan të ikin vetëm e vetëm që t'i shmangen zemërimit të kurejshëve.
Duke udhëtuar për në Meke, besimtarët përsëritnin lutjen që u kishte mësuar Pejgamberi (s.a.v.), të cilën pjesë-pjesë e kishte pranuar nga meleku Xhibril. Prej atëherë, kjo lutje e quajtur telbijje, është pjesë e ritualit të haxhit. Ajo është përgjigje në thirrjen, që kishte bërë Ibrahimi kur, së bashku me Ismailin, kishin përfunduar ndërtimin e Qabes.
Lebbejke All-llahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde venni'mete leke vel-mulk, la sherike leke.
Ja ku jam, o Allah, në shërbimin Tënd, Ja ku jam, Ti nuk e ke shokun, ja ku jam. Të gjitha lutjet dhe bekimet janë për Ty edhe Sundimi! Ti nuk e ke shokun!
Dhjetë ditë më vonë, në kohën e muzgut, haxhilerët kaluan nëpër të njëjtin vendkalim, nëpër të cilin kishin hyrë në ditën e pushtimit të Mekes. Kur arritën në Qabe, Pejgamberi (s.a.v.) qëndroi përpara saj dhe u fal, e pastaj së bashku me të gjithë muslimanët e tjerë i bënë shtatë rrathë përqark Qabes duke i thënë lutjet e tyre me zë të lartë. Pas kësaj, ashtu siç kishte bërë edhe Ibrahimi; ata u nisën në drejtim të malit të Mëshirës (Xhebelurr-Rrahme) në Arefat, të cilën rrugë Pejgamberi (s.a.v.) e kaloi hipur mbi devenë e tij.
Nga mali, ai u priu njerëzve gjatë lutjes së përbashkët dhe pastaj u foli të tubuarve në rrafshinën e gjerë që shtrihej nën të. Ajo që tha Pejgamberi (s.a.v.) njihet me emrin "Hutbeja e Lamtumirës", sepse ishte fjalimi i fundit i Pejgamberit (s.a.v.) para vdekjes së tij. Ai tha: "Ju me siguri do të takoheni me Zotin tuaj dhe Ai do t'ju pyesë për punët tuaja." Ai kërkoi nga muslimanët që të udhëhiqen nga Kurani dhe nga shembulli i tij personal. Kjo, tha ai, është mënyra më e mirë për të jetuar. Ai u urdhëroi ta braktisin mënyrën e jetesës që kishin para Islamit. Hakmarrja, njëra nga traditat më të vjetra në Arabi, mori fund njëherë e përgjithmonë; fajdeja u ndalua; prona duhet të respektohet. Gjërat, të cilat më parë ishin të ndaluara vetëm gjatë katër muajve tëe vitit, tani u ndaluan gjatë tërë vitit." Ai pastaj urdhëroi: "Ta dini se çdo musliman është vëlla i muslimanit", e cila ishte një ide JETA E PROFETIT MUHAMED 91
plotësisht e re për fiset që në të kaluarën kanë pasur shumë mosmarrëveshje midis tyre. Ai gjithashtu tha: "Allahu secilit i ka dhënë të vetën, pikërisht atë që meriton." Pas çdo çështjeje, Pejgamberi (s.a.v.) pyeste: "A e kam shpjeguar mirë? A është plotësisht e qartë?"
Të gjithë u përgjigjën: "Po". Sepse, këta njerëz ishin ata që do të duhej të bartnin porositë dhe këshillat e Pejgamberit (s.a.v.) për tek njerëzit e tjerë që nuk patën mundësinë të ishin aty, si dhe gjeneratave të ardhshme.
Pejgamberi (s.a.v.) tha: " Unë u kam lënë dy gjëra. Në qoftë se ju u përmbaheni, atëherë do të jeni të shpëtuar. Ato janë Libri i Allahut dhe fjalët e Pejgamberit tuaj." Pastaj pyeti: " Mos vallë nuk e kam përcjellur shpalljen?"
Të gjithë të tubuarit bërtitën: "Pafsha Allahun, po!"
"0 Allah, Ti je dëshmitar për këtë", përfundoi Pejgamberi (s.a.v.).
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
"...Tashmë, ata që mohuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni) andaj mos ju friksoni atyre, por m'u friksoni Mua. Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe..."
(El - Maide:3)
Muslimanëve të shumtë filluan t'u lotojnë sytë, sepse e dinin se Pejgamberi (s.a.v.) ka përfunduar shpalljen e tij e atëherë jetës së tij doemos i kishte ardhur fundi.
Pasi e kaluan pjesën tjetër të "Ditës së Arefatit" në lutje dhe në falje, muslimanët filluan të përmbushin haxhin duke u kthyer në Meke me lutjen e telbijjes në buzët e tyre. Natën e parë gjatë kthimit e kaluan në Muzdelife. Aty mblodhën guralecë, të cilët të nesërmen i bartën me vete deri në Mina. Aty qëndruan para një shkëmbi të madh dhe e gjuajtën me gurë, si përkujtim të takimit të Ibrahimit me shejtanin, takim i cili kishte ndodhur pikërisht në atë vend. Kur Ibrahimi kishte marrë urdhërin e Allahut xh.sh., që të flijonte të birin, Ismailin, si sprovë për besimin e tij, shejtani ishte përpjekur ta bindë që të mos veprojë ashtu. Ai kishte ardhur te Ibrahimi në Mina, i cili kishte qënë duke zbatuar urdhërin e Allahut xh.sh., por Ibrahimi kishte marrë ca gurë dhe i kishte hedhur mbi të dhe në këtë mënyrë e kishte larguar shejtanin. Hedhja e gurëve në Mina, gjatë "Haxhit të
Lamtumirës" të Pejgamberit (s.a.v.), u bë edhe një ritual, të cilin muslimanët e bënë gjatë haxhit vjetor të tyre, që gjithashtu nënkupton se JETA E PROFETIT MUHAMED 92
duhet të vazhdojnë flakjen e shejtanit atëherë kur ai përpiqet t'i zbrapsë ata nga nënshtrimi i tyre ndaj Allahut xh.sh.
Pas hedhjes së këtyre gurëve, haxhilerët flijuan dele dhe deve, kurse mishin ua dhanë të varfërve. Në këtë mënyrë përkujtohet besimi i lartë i Ibrahimit, të cilit kur ishte i gatshëm të flijojë Ismailin, në vend të të birit, Allahu i kishte dërguar një dash. Pastaj muslimanët e përfunduan haxhin duke bërë përsëri shtatë rrathë rreth e përqark Qabes -tavafe.
Ata pastaj i prenë flokët dhe thonjtë dhe i ndërruan rrobet e bardha që të tregojnë se përsëri i kthehen jetës së tyre të përditshme. Para se të kthehen në Medine, muslimanët kaluan tri netë në luginën e Mines, ku dhe bënë përgatitjet përfundimtare për t'u kthyer në shtëpi.
Sa i përket Pejgamberit (s.a.v.), ai bëri edhe një vizitë të fundit para nisjes nga Meka. Kjo qe vizita e varrit të gruas së tij të devotshme, Hatixhes, e cila kishte qenë njeriu i parë që besoi në Shpalljen e Allahut xh.sh., nëpërmjet tij. Pejgamberi (s.a.v.) e dinte se kjo është hera e fundit që viziton varrin e saj apo Meken, sepse gjatë kohës së haxhit kishte pranuar një sure nga Kurani, që quhet "Ndihmë", që ai e dinte se vdekja e tij nuk është shumë larg.
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
"Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhnjimi) dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma - turma në fenë e Allahut. Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falenderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai Vërtet pranon shumë pendimin, është Mëshirues i madh."
(En Nasr: l-3) JETA E PROFETIT MUHAMED 93
Vdekja e Pejgamberit (s.a.v.)
Një natë, menjëherë pas kthimit të tij në Medine, Pejgamberi (s.a.v.) u zgjua në mesnatë dhe e luti shërbëtorin e vet Abdullahun që t'i shalojë devenë e tij. Pastaj ata dolën nga shtëpia dhe u nisën për në Xhennetul Baki, ku ishin varrezat e muslimanëve. Pejgamberi (s.a.v.) u ndal atje dhe qëndroi para varreve ku ishin varrosur muslimanët dhe u lut për ta. Më vonë, Abdullahu rrëfente: "Pejgamberi (s.a.v.) me tha se i është urdhëruar që të lutet për të vdekurit dhe se edhe unë do të duhej të shkoja me të." Pasi Pejgamberi (s.a.v.) ishte falur, u kthye nga Abdullahu dhe i tha: "Unë mund të zgjedh ndërmjet të gjitha pasurive të kësaj bote, jetës së gjatë e pastaj xhennetit, apo ta takoj tim Zot dhe të hyj në xhennet menjëherë." Abdullahu e përbeu që të zgjedhë jetë të pasur e të gjatë që do t'i paraprijë xhennetit, mirëpo Pejgamberi (s.a.v.) i tha se ai tanimë e kishte zgjedhur: më mirë të takohet me Zotin e tij sesa të mbesë në këtë botë.
Të nesërmen në mëngjes, Pejgamberi (s.a.v.) u zgjua me një dhembje të tmerrshme të kokës, mirëpo, megjithë këtë ai u priu lutjeve në xhami. Nga fjalët që më pas u tha njerëzve të tubuar, ata e kuptuan se atij i ishte afruar vdekja. Pejgamberi (s.a.v.) lëvdoi mikun e tij më të ngushtë, Ebu Bekrin, i cili kishte filluar të qajë dhe u tha të gjithëve se përsëri do të mund të takohen të gjithë së bashku në xhennet. Pastaj shtoi se, megjithëse ishte i sigurtë se ata do të adhuronin vetëm Allahun xh.sh., kishte frikë se ndoshta do t’i tërheqin kënaqësitë e kësaj bote dhe do të fillonin të konkurojnë njëri-tjetrin për të patur përfitime materiale, duke harruar kështu vlerat shpirtërore.
Shpejt pas kësaj, Pejgamberi (s.a.v.) kërkoi që të vendoset në dhomën e Aishes, njërës nga gratë e tij. Me kalimin e ditëve, ethet i bëheshin gjithnjë e më të këqija, saqë një ditë u bë aq keq saqë nuk ishte në gjendje të shkojë as në xhami, e cila gjendej afër vendit ku banonte Aisheja. Pejgamberi (s.a.v.) i tha Aishes që t'u thotë muslimanëve ta lejojnë Ebu Bekrin, babanë e saj, t'u prijë gjatë të falurit, gjë që ata i pikëlloi shumë, sepse kjo ishte hera e parë që vendin e Pejgamberit e zinte dikush tjetër.
Më vonë, në ditën e 12-të të Rebiul Evvelit, në vitin e 11-të të Hixhrit (8 qershor, 623 e.r.), Pejgamberi (s.a.v.) dëgjoi ca zëra njerëzish që ishin duke u falur. Me mundime të mëdha ai u ngrit dhe nga dera i shikoi të gjithë ata muslimanë që ishin të rreshtuar në kolona prapa Ebu Bekrit; ai buzëqeshi me një kënaqësi të madhe. Ebu Bekri pasi e pa, bëri një hap prapa me qëllim që Pejgamberi (s.a.v.) të vijë në vendin e vet. Muslimanët u gëzuan shumë, sepse ata mendonin se ai do t'u printe atyre gjatë lutjeve, ashtu siç bënte edhe më parë, por Pejgamberi Muhammed (s.a.v.), i cili atë çast rrezatonte JETA E PROFETIT MUHAMED 94
me një bukuri shkëlqyese, u dha shenjë që të vazhdojnë me të tyren. Ai u fal i ulur në të djathtë të Ebu Bekrit, e pas kësaj përsëri u kthye brenda dhe e mbështeti kokën në prehërin e Aishes. Ai kishte aq dhembje të mëdha, sa e bija Fatimeja filloi të qajë me të madhe. Atëherë Pejgamberi (s.a.v.) i tha: "Për babanë tënd pas ditës së sotme nuk do të ketë më dhembje; me të vërtetë, vdekja më është afruar. Të gjithë ne duhet ta durojmë atë derisa të vijë Dita e gjykimit." Duke ndenjur ashtu i shtrirë, Aishes iu kujtua se njëherë kishte thënë: "Allahu kurrë nuk e merr Pejgamberin tek Ai pa i dhënë mundësi për të zgjedhur." Pastaj ajo e dëgjoi Pejgamberin (s.a.v.) duke folur. Fjalët e tij të fundit qenë: "Jo, më mirë bashkësia e lartësuar e Xhennetit."
Atëherë Aisheja tha me vete: "Pasha Allahun, ai nuk na zgjodhi neve!"
Kur njerëzit në xhami dëgjuan se Pejgamberi (s.a.v.) ka vdekur, ata u pikëlluan pa masë. Umeri nuk mundej dhe nuk deshi të besojë, prandaj edhe thoshte se kjo nuk ishte e vërtetë. Pastaj Ebu Bekri doli jashtë dhe iu drejtua njerëzve me një zë të qetë, duke u thënë: "Të gjitha lëvdatat i takojnë Allahut! 0 njerëz, kushdo që e adhuronte Muhammedin, Muhammedi është i vdekur. Por, për atë që e adhuron Allahun, Allahu jeton dhe nuk vdes kurrë." Pastaj i lexoi këto ajete nga Kurani, të cilat ishin shpallur pas betejës së Uhudit:
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
"Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i Dërguar. Edhe përpara tij ati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose nga lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t'i shpërblejë mirënjohësit. Askush nuk vdes pa vullnetin dhe lejen e Allahut. Ai është shënim i afatit të caktuar. E kush e dëshiron shpërblimin e kësaj bote, ne atij ia japim, e kush e dëshiron shpërblimin e botës tjetër, edhe atij do t'ia japim atë, kurse mirënjohësit Ne do t'i shpërblejmë."
(Ali Imran: 144-145) JETA E PROFETIT MUHAMED 95
Pas kësaj, njerëzit u zotuan për besnikëri ndaj Ebu Bekrit, të cilin Pejgamberi (s.a.v.) e kishte zgjedhur që t'u prijë njerëzve gjatë faljes së tyre. Ebu Bekri e pranoi këtë dhe atë që deshi të thotë e tha me këto fjalë:
"Mu bindni mua për aq sa unë i jam bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Por nëse unë tregoj mosbindje ndaj Allahut dhe Pejgamberit të Tij, atëherë asgjë nuk ju detyron të më bindeni. Ngrihuni për lutjen tuaj, Allahu ka mëshirë për ju!"
Njerëzit u ngritën dhe pyetën: "Ku do të varroset Pejgamberi (s.a.v.)?" Ebu Bekrit iu kujtua se Pejgamberi i kishte thënë: " Asnjë Pejgamber nuk vdes në qoftë se nuk varroset aty ku ka vdekur." Dhe kështu, Pejgamberi (s.a.v.) u varros në një varr që u hap në dyshemenë e dhomës së Aishes, në shtëpinë pranë xhamisë. Vendi u bë i njohur si "Harem en-Nebevi", ndërsa muslimanët nga e gjithë bota shkojnë aty që të falen dhe të bekojnë e urojnë paqe për Pejgamberin, Muhammedin (s.a.v.).
“Dhe ti padyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë!
Vërtet ti je në një shkallë të lartë të moralit!”
(El Kalem: 3-4) JETA E PROFETIT MUHAMED 96
Përmbledhje e Haditheve nga “Esh – Shemail” prej Tirmidhiut
Pamja dhe tiparet e Pejgamberit (s.a.v.)
Enes ibn Maliku thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kishte shtat mesatar, duke mos qenë as shumë i gjatë e as shumë i shkurtër. Fytyrën e kishte mjaft simetrike, ndërsa flokët nuk i kishte shumë kaçurrela apo shumë të drejta; pamja e tij ishte burrërore.
Ibrahim ibn Muhammed ibn Ali ibn Ebu Talibi thotë:"... Zemra e tij ishte shumë më e lirë se sa ajo e të tjerëve; por nga natyra ishte shumë më i butë nga të tjerët, në jetën shoqërore ishte më bujar se të tjerët. Kushdo që e takonte, papritmas ndjente repsekt për të; kushdo që njoftohej me të, nuk mundej të mos e donte. Rrëfyesi thotë se kurrë më parë nuk ka parë dikë të ngjashëm me të."
Hindi thotë se Pejgamberi (sa.v.) ishte i madh, në fakt ai ishte vetë madhështia. Fytyra e tij shndriste si hëna e plotë. Kishte peshë mesatare, printe nga gjatësia por ishte më i shkurtër se njerëzit e gjatë... Të ecurit e kishte të lehtë dhe të sigurt, sikur zbriste nga një shkallë më e lartë në një më të ulët. Sa herë që shikonte diçka, shikonte drejt në të; sytë e tij zakonisht ishin të ulur, më tepër të drejtuar nga toka sesa nga qielli. Gjërat e kësaj bote, Pejgamberi (s.a.v.) çdoherë i shikonte me bishtin e syrit. Ithtarët e tij i lejonte të ecin përpara ndërsa kur takohej me muslimanët e tjerë, i përshëndeste i pari.
Xhabir ibn Semureh thotë: "Pejgamberi i Allahut (s.a.v.) kishte gojë të gjerë. Sytë i kishte ngjyrë kafeje e të ndritshëm. Njëherë e pashë Pejgamberin (s.a.v.) në dritën e hënës. Ai kishte hedhur mbi trup një mantel të kuq dhe unë me qëllim e pashë kundruall hënës. Ai mu duk dukshëm më i bukur se hëna vetë."
Ebu Hurejre thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kishte një pamje sikur të ishte bërë prej argjendi. Në flokët e tij kishte një balluke.
Se'id Xhurejri rrëfen që e kishte dëgjuar Ebu Tufejlin duke thënë se e kishte parë Pejgamberin e Allahut:"... Pastaj Se'idi kërkoi nga ai që ta përshkruajë Pejgamberin (s.a.v.). Ai u përgjigj se Pejgamberi (s.a.v.) kishte pamje të skuqur në të bardhë, ishte i bukur dhe kishte sjellje të matur."
Ebu Bekri i tha Pejgamberit (s.a.v.) se megjithëse ishte në gjendje të mirë fizike, ishte gjë e çuditshme që dukej i plakur. Ai iu përgjigj se ajetet e përmendura më poshtë e kanë plakur atë, sepse në këto ajete përshkruhen Dita e Ringjalljes dhe xhehennemi.(Fjala është për ajetet e sures Hud, el-JETA E PROFETIT MUHAMED 97
Vakia, el-Murselat, en-Nebe dhe et-Tekvir). Atë e plakën ankthi dhe brenga për njerëzimin.
Ebu Se'id el Hudriu thotë se kur Pejgamberi i Allahut vishej me rroba të reja, atëherë thoshte se Allahut duhet t'i takojë çdo lëvdatë që i kishte dhënë rroba të reja, e pastaj do të fillonte të lutej për shenjtërinë e rrobave...
Semureh ibn Xhundub rrëfen se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë:
"Vishuni me rroba të bardha; ato me të vërtetë janë të pastra dhe të dlira; edhe kur të vdisni, mbështilluni me to."
Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë: "Kur dikush nga ju mbath këpucët, atëherë duhet të fillojë me këmbën e djathtë.
Kur t'i zbathë këpucët, duhet të fillojë me këmbën e majtë, ashtu që e djathta të jetë e fundit."
Aishja thotë se sa i përket shprehive personale, siç janë rregullimi i flokëve, mbathja e këpucëve dhe përgatitjet e tjera, Pejgamberi (s.a.v.) çdoherë fillonte nga e djathta.
Ebu Hurejre thotë se kurrë nuk kishte parë diçka më të bukur se Pejgamberi (s.a.v.), nga fytyra e të cilit dukej sikur shndriste dielli, si dhe nuk kishte parë askënd më të shpejtë në të ecur sesa Pejgamberi (s.a.v.), sepse kur ecte ai, dukej sikur vetë toka rrotullohej për të. Shokët e tij mundoheshin të mbajnë hapin me Pejgamberin (s.a.v.) madje edhe kur ai ecte me nge. Ibrahim ibn Muhammedi, i cili ishte njëri nga pasardhësit e Ali ibn Ebu Talibit, thotë se, kur Aliu e përshkruante Pejgamberin (s.a.v.), e kishte zakon të thotë se Pejgamberi (s.a.v.) ecte fuqishëm sikur çdoherë të ishte duke zbritur diku poshtë shkallëve.
Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit, në bazë të tregimeve të të atit, tregon se Pejgamberin (s.a.v.) e kishin pyetur se a thua ishte në gjendje të tregonte se cilat ishin mëkatet më të mëdha ... Pejgamberi (s.a.v.) u kishte thënë se ato ishin përpjekja për t'u matur me Zotin dhe mosbindja ndaj prindërve... Në vazhdim, Pejgamberi (s.a.v.) tha se edhe gënjeshtra mund të hyjë në mesin e mëkateve më të mëdha.
Ebu Ejub el-Ensari thotë se njëherë, duke qenë në shoqëri me Pejgamberin (s.a.v.), u kishin shtruar sofrën. Ushqimi që hëngrën në fillim ishte shumë më i bekuar se ai që hëngrën në fund. Ai pastaj kishte thënë: "0 Pejgamber (s.a.v.)! Si ndodhi kjo?" Pejgamberi (s.a.v.) ishte përgjigjur se, në fillim kur kishin filluar të hanë kishin përmendur emrin e Allahut, por më vonë duke ngrënë, atë nuk e kishin përsëritur më dhe se me ta kishte ngrënë edhe shejtani.
Aishja tregonte se Pejgamberi (s.a.v.) kishte thënë se, në qoftë se dikush harron të thotë "Bismil-lah" (Me emrin e Allahut), para se të fillojë të hajë, JETA E PROFETIT MUHAMED 98
atëherë duhet që emrin e Allahut ta përkujtojë në këtë mënyrë: “Qoftë me emrin e Allahut fillimi dhe mbarimi i kësaj”.
Umer ibni Ebu Selemeh thotë se shkoi te Pejgamberi (s.a.v.). Pejgamberi (s.a.v.) i tha: "0 bir, afrohu! Kujtoje emrin e Allahut dhe ha me dorën e djathtë dhe atë nga ajo anë që ke më afër." Ebu Se'id el-Hudrij thotë se kur Pejgamberi (s.a.v.) mbaronte së ngrëni, kishte zakon të thoshte: "Të gjitha lëvdatat i takojnë Allahut që na dha të hamë e të pimë e na bëri muslimanë."
Enes ibn Maliku thotë: "Allahu me të vërtetë kënaqet me ata që hanë një kafshatë e pinë një gllënkë e pastaj e lëvdojnë Atë."
Tregohet se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë: “Nëse dikujt prej jush i jepet një lule aromatike, atëherë ai nuk duhet ta refuzojë, sepse lulet vijnë nga xhenneti”.
Aishja thotë se Pejgamberi (s.a.v.) nuk ka folur shpejt siç bënin të tjerët, por ka folur qartë dhe duke theksuar çdo fjalë, ashtu që ai, i cili i ulej praën, të ishte në gjendje që të mbajë mend çdo fjalë.
Hind bint Ebu Halah... thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kryesisht rrinte i heshtur. Ai nuk fliste pa nevojë. Bisedën e fillonte dhe e mbaronte qartë. E folura e tij nuk ishte e kotë, por fliste me elokuencë. Kurrë nuk ishte i padrejtë ndaj dikujt e as nuk lejoi që dikush të mos përfillet... Bota dhe sendet në të nuk e shqetësonin. Mirëpo, kur nuk përfillej e vërteta, atëherë asgjë nuk mund ta qetësonte zemërimin e tij derisa detyrohej të zbatonte urdhërat dhe obligimet fetare. Ai nuk mbrohej nga asnjë aspekt i natyrës së tij, e as nuk hakmerrej ndaj dikujt... Kur ishte i zemëruar shikonte mënjanë, kurse kur ishte i kënaqur shikonte poshtë. Gazi më i madh i tij ishte buzëqeshja.
Ebu Hurejre tregon se Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë se fjalët më të mira, të cilat ndonjë poet arab i ka shkruar ndonjëherë, janë vargjet e Labidit, që fillojnë kështu: “Ruajuni! Çdo gjë prishet e vdes, përveç Allahut”.
El-Bera ibn Azib-i rrëfen se kur Pejgamberi (s.a.v.) shtrihej në shtrat, e kishte zakon që pëllëmbën e djathtë ta verë mbi faqen e djathtë dhe të thotë: "0 Allah! Më ruaj nga dënimi në ditën kur vullneti Yt do t'i ngrejë krijesat e Tua."
Kur Pejgamberi (s.a.v.) binte të flejë, thoshte: "0 Allah! Me emrin Tënd bie dhe me emrin Tënd ngrihem"; ndërkaq kur zgjohej thoshte; “Qoftë i lëvduar Allahu që na ngjalli, atëherë kur ishim bërë gati të vdesim; dhe ringjalljen do ta bëjë Ai”.JETA E PROFETIT MUHAMED 99
Aishja thotë se kur Pejgamberi (s.a.v.) binte të flejë, çdo mbrëmje i bashkonte dhe i hapte pëllëmbët e tij dhe lexonte këto sure të Kuranit: Kulhuvall-llahu ehad, Kul eudhu bi Rabbi'l Feiek dhe Kul Eudhu bi Rabbin-Nas. Pastaj me duart e tij mbështillte trupin e vet aq sa kishte mundësi. Pastaj e fërkonte kokën dhe fytyrën, si dhe pjesën e përparme të trupit të tij. JETA E PROFETIT MUHAMED 100
Agjërimi vullnetar i Pejgamberit (s.a.v.)
Enes ibn Malikun e kishin lutur që të vlerësojë agjërimin e Pejgamberit (s.a.v.). Ai u përgjigj se gjatë muajve të caktuar, Pejgamberi (s.a.v.) e zgjaste aq shumë agjërimin e tij, saqë njerëzit mendonin se nuk do ta ndërpresë kurrë, ndërkaq në muajt e tjerë, e ndërpriste aq shumë agjërimin, saqë të tjerët mendonin se nuk do të agjerojë më kurrë. "Po të deshit që ta shihnit Pejgamberin (s.a.v.) duke u lutur gjatë natës, atëherë çdo herë do ta shihnit të tillë, por edhe po deshit ta shihnit duke fjetur, edhe ashtu do ta shihnit."
Aisheja thotë se Pejgamberi (s.a.v.) agjëronte të hënave dhe të enjteve. Aisheja pastaj tregon se Pejgamberi (s.a.v.) më shumë agjëronte gjatë ditëve të muajit Sha'ban se sa gjatë ndonjë muaji tjetër.
Pejgamberi (s.a.v.) pëlqente vetëm ato veprime, të cilat personi përgjegjës i kryente rregullisht. Ebu Salihu thotë se kishte pyetur Aishen dhe Ummu Selemen, se cilat janë ato veprime që Pejgamberi (s.a.v.) i pëlqen më shumë. Që të dyja iu përgjigjën: "Veprimet që çdoherë mund të kryhen rregullisht, qofshin ato të vogla apo të mëdha."
Të lexuarit e Kuranit nga ana e Pejgamberit (s.a.v.)
Dikush e pyeti Ummu Selemen rreth asaj se, në ç'mënyrë Pejgamberi (s.a.v.) e lexonte Kuranin. Ajo i tha se leximi i Kuranit nga Pejgamberi (s.a.v.) ishte i qartë dhe se çdo shkronjë shqiptohej si duhet.
Ibn Abbasi thotë se leximi i Pejgamberit (s.a.v.) ishte i atillë, që kur ai lexonte brenda në dhomë, edhe njeriu që gjendej në oborr mund ta dëgjonte shumë qartë. JETA E PROFETIT MUHAMED 101
Përulësia e Pejgamberit (s.a.v.)
Enes ibn Maliku rrëfen se Pejgamberi (s.a.v.) e kishte zakon të vizitojë të sëmurët dhe të shoqërojë xhenazet e varrimit, t'i hipë gomarit e madje edhe t'i pranojë ftesat e robërve.
Husejni thotë se... babai i tij kishte thënë se kur Pejgamberi (s.a.v. erdhi në shtëpi, ai kohëqëndrimin e vet e kishte ndarë në tri pjesë. Njërën pjesë e ruajti për Allahun, të Plotfuqishmin, tjetrën për familjen, ndërsa atë që mbetej e mbante për vete. Pjesën e tij e ndau në mes vetes dhe të tjerëve.
Ai më pas vazhdon: "Sillini tek unë hallet e atij që nuk është në gjendje të vijë vetë, sepse këmbët e atij që i sjell këto lajme, për ata që nuk mund t'i sjellin vetë, në Ditën e Gjykimit do të qëndrojnë drejt."
Husejni thotë:"... babai i tij u përgjigj se Pejgamberi (s.a.v.) thirrej në emrin e Allahut edhe kur ulej edhe kur ngrihej në këmbë."
Sjelljet e Pejgamberit (s.a.v.)
Enes ibn Maliku thotë:"... për të gjitha ato që i bëri, Pejgamberi (s.a.v.) nuk e pyeti kurrë: "Pse e bëre atë gjë?" dhe as që Pejgamberi mori në përgjegjësi dikë për ndonjë gabim të bërë a lëshim e t'i thotë: "Pse nuk e bëre këtë?" Në bazë të sjelljeve që kishte, Pejgamberi (s.a.v.) ishte njeriu më i mirë i njerëzimit."
Aisheja thotë:"... ai nuk e ktheu të keqen me të keqe, por e kishte zakon të falë. Aisheja thotë se Pejgamberi (s.a.v.) kurrë dhe askënd nuk goditi, përveç gjatë xhihadit."
Enes ibn Maliku thotë se Pejgamberi (s.a.v.) asgjë nuk mbante për vete për të nesërmen. JETA E PROFETIT MUHAMED 102
Ëndërrimi i Pejgamberit
Abdullah ibn Mes'udi thotë se Pejgamberi (s.a.v.) i kishte thënë: "Kushdo që më sheh në ëndërr, në të vërtetë më sheh, sepse shejtani nuk mund të marrë trajtën time."
Familja e Pejgamberit (s.a.v.)
Bashkëshortet e Pejgamberit (s.a.v.)
Gruaja e parë e Pejgamberit (s.a.v.) ishte Hatixheja, e bija e Huvejidit. Ajo ishte një grua e ndershme dhe e pasur, që merrej me tregti, e cila para se të martohej me Pejgamberin (s.a.v.), kishte mbetur e ve dy herë. Ai atëherë ishte njëzet e pesë vjeçar, ndërsa ajo ishte dyzet vjeçe. Gjatë njëzet e pesë viteve të ardhshme, ajo qe gruaja e vetme dhe nëna e fëmijëve të tij: Zejnebes, Rukijes, Ummu Kulthumit dhe Fatimes. Gjithashtu kishte edhe dy djem, Kasimin dhe Abdullahun, të cilët vdiqën që foshnje.
Pas vdekjes së Hadixhes, Pejgamberi (s.a.v.) u martua me Sevdanë nga fisi Benu Amir. I ati i saj ishte ndër të parët që e kishte pranuar Islamin. Ajo ishte vejushë e njërit prej shokëve muslimanë që u shpërngulën në Abisini, por që vdiq gjatë kthimit në Meke. Asokohe ai ishte i fejuar me Aishen, të bijën e Ebu Bekr Es-Siddikut, shokut të Pejgamberit (s.a.v.). Pasi Aisheja ishte shumë e re për t'u martuar, martesa u shty për tri vjet më vonë. Pjesa më e madhe e haditheve vjen nga Aisheja.
Pastaj Pejgamberi (s.a.v.) u martua edhe me gra të tjera. Njëra prej tyre ishte Hafsa, e bija e Umer ibn ul-Hattabit. Kur i vdiq i shoqi pas plagëve të marra në betejën e Bedrit ajo mbeti vejushe. Ishte shumë e re kur mbeti e ve. Pejgamberi (s.a.v.) u martua me të tri vjet pas hixhrit.
Vejusha tjetër, me të cilën Pejgamberi (s.a.v.) u martua, ishte edhe Zejnebja, e bija e Huzejmit. Burri i saj vdiq si dëshmor në betejën e Bedrit. Ajo u bë e njohur si nëna e varfanjakëve, për shkak të zemërgjerësisë dhe kujdesit të posaçëm që tregonte ndaj të varfërve.
Ummu Seleme ishte bija e Ebu Umejjeh ibn el Mugire, njërit nga prijësit e kurejshëve. Në fillim ajo u martua me Ebu Selemen dhe së bashku u shpërngulën në Abisini. Kur më vonë, pas plagëve të marra në Betejën e Uhudit ai vdiq, ajo u bë njëra nga gratë e Pejgamberit.
Një vit pas betejës së Hendekut, Pejgamberi (s.a.v.) edhe një herë luftoi kundër Benu el-Mustalikëve dhe i mundi. Berrehu erdhi me plaçka të shumta në kampin e muslimanëve, si bija e prijësit të njerëzve të saj. JETA E PROFETIT MUHAMED 103
Pejgameri (s.a.v.) e mbrojti nga poshtërimet dhe u martua me të, ia ndërroi emrin në Xhuverije.
Zejneb bin Xhahsh ishte vajza e hallës së Pejgamberit (s.a.v.), motrës së Abdullahut. Pejgamberi (s.a.v.) e martoi atë me djalin e adoptuar të tij, Zejd ibn Harithin, i cili ishte një rob i çliruar. Pesë vjet pas hixhrit ata u shkurorëzuan. Islami nuk e njihte institucionin e adoptimit, andaj Pejgamberit (s.a.v.) iu shpall një ajet i Kuranit, në të cilin atij iu urdhërua të martohet me Zejneben.
Ummu Habibe, e bija e Ebu Sufjanit, e përkrahu Islamin dhe së bashku me të shoqin e saj të parë u shpërngulën në Abisini, ku ai u bë i krishterë. Si rezultat i kësaj, kjo martesë me Ummu Habiben u ndërpre. Më vonë burri i saj vdiq. Pejgamberi (s.a.v.) e kuptoi vështirësinë e saj dhe nëpërmjet Nexhashiut rregulloi martesën me të. Ajo dha pëlqimin e saj. Safija ishte bija e prijësit të fisit hebre Benu Nadir. I ati i saj ishte njëri nga armiqtë e përbetuar të Pejgamberit (s.a.v.). Kur ky fis u dëbua nga Medineja, babai i saj u vendos në Hajber. Pas rënies së Hajberit, në vitin e shtatë të hixhrit, Safija u zu rob. Ajo e pranoi Islamin dhe Pejgamberi (s.a.v.) u martua me të.
Mejmune ishte bija e Harithit nga fisi i Havazinëve dhe kunata e El Abbasit, xhaxhait të Pejgamberit. Ajo ishte e ve dhe jetonte në Meke. Pejgamberi (s.a.v.) u martua me të, kur pas shumë viteve të mërgimit, së bashku me ithtarët e tij hyri në Meke.
Pas marrëveshjes së Hudejbijes, Pejgamberi (s.a.v.) me ftesë personale ftoi Sirinë, Egjiptin dhe viset e tjera që t'i bashkohen Islamit. Mukaukisi, kryetari i koptëve të Egjiptit, i dërgoi Pejgamberit (s.a.v.) si dhuratë Marijen, e cila ishte një vashe kopte. Ajo ishte e vetmja grua pas Hatixhes, e cila i lindi Pejgamberit (s.a.v.) një djalë që e quajtën Ibrahim, i cili vdiq në fëmijëri.
Zejnebja u martua me Ebu el As Rebi'un, e ëma e të cilit ishte motra e Hatixhes. Rukijje dhe Ummu Kulthumi u martuan me Utben dhe Utejben, djemtë e Ebu Lehebit. Sidoqoftë, me ardhjen e Islamit këto martesa u prishën. Më vonë, Uthman ibn Affani u martua me Rukijjen, kurse pas vdekjes së saj, me të motrën Ummu Kulthumin.
Fatimeja u martua me Ali ibn Ebu Talibin, kushëririn e Pejgamberit (s.a.v.) dhe lindi fëmijët Hasanin, Husejnin dhe Zejneben. JETA E PROFETIT MUHAMED 104
Fjalorthi
Abbasi - Njëri nga xhaxhallarët e Pejgamberit (s.a.v.), kaloi në Islam dhe iu bashkua muslimanëve në çastin kur ata po hynin në Meke.
Abdullahu - Djali më i ri i Abdulmuttalibit. Babai i Pejgamberit (s.a.v.).
Abdullahu ibn Ebi Rebi'ah - Së bashku me Amr ibn el Asin u dërguan në Abisini.
Abdullah ibn Ubejji - Njëri nga sunduesit e Jethribit para hixhretit. Ai u bë musliman, por nga ana tjetër bëri komplot të fshehtë bashkë me mekasit kundër Pejgamberit (s.a.v.).
Abdulmenafi - Djali i Kusejjit; u bë prijës i kurejshëve pas vdekjes së të atit.
Abdulmuttalibi - I biri i Hashimit. Zuri vendin e të atit si kryepar i kurejshëve. Ai hapi burimin e Zemzemit.
Addasi - Shërbëtor i krishterë i njërit prej fiseve të mëdha të Taifit dhe njeriu i vetëm nga ky qytet që besoi në Pejgamberin (s.a.v.) kur ai erdhi në këtë qytet.
Aisheja - Gruaja e Pejgamberit (s.a.v.) dhe e bija e Ebu Bekrit.
Aliu - Djali i Ebu Talibit. Kushëriri i parë i Pejgamberit (s.a.v.). Më vonë, Aliu u martua me Fatimenë, bijën më të re të Pejgamberit (s.a.v.).
Allahu Ekber - Thënie që do të thotë: "Zoti është më i Madhi".
Amineh - Emineja, Amineh bintu Vehb - Nëna e Pejgamberit (s.a.v.)
Amr ibn el Asi - Njeri i mençur dhe i rëndësishëm në mesin e kurejshëve; u dërgua në Abisini për t'i kthyer prapë të shpërngulurit e parë muslimanë. Më vonë u bë njeri nga luftëtarët më të mëdhenj të Islamit.
Beduinë - Endacakë arabë të shkretëtirës, zakonisht barinj.
Behira - Një murg që jetonte në shkretëtirë, në rrugën e karvanit të kurejshëve për në Siri.
Benu Hashimi - Degë e kurejshëve, së cilës i takonte Pejgamberi (s.a.v.)
Benu Kurejdheh - Një fis hebre që jetonte në Jethrib në kohën kur Pejgamberi (s.a.v.) arriti atje. Ata e shkelën disa herë marrëveshjen e tyre me Pejgamberin (s.a.v.), duke e detyruar atë që të luftojë me ta.
Bilali - Robi i Umejje ibn Halerit. Ai u bë musliman përkundër vullnetit të zotërisë së tij, prandaj edhe hoqi shumë, por kurrë nuk e humbi besimin e tij. Më vonë u bë muezin i parë (njeriu që thërret ezanin).
Bismil-lahirr-Rahmanirr-Rahim - Thënie që do të thotë: "Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!"
Burak - Kafsha, së cilës i hipi Pejgamberi (s.a.v.) gjatë ngritjes në qiell ( Isra' dhe mi'raxhi ). JETA E PROFETIT MUHAMED 105
Ebrehe - Mbreti i Jemenit, i cili erdhi në Meke me një ushtri të madhe për të shkatërruar Qaben.
Ebu Bekri - Tregtar i pasur dhe i nderuar nga Meka. Burri i parë që besoi në Pejgamberin (s.a.v.) dhe përqafoi Islamin. Ai ishte shoku dhe miku më i mirë i Pejgamberit (s.a.v.).
Ebu Duxhane - Njëri nga luftëtarët më të mëdhenj Ensarë. Ky ishte ai, i cili u vra në betejën e Uhudit, kur me trupin e tij i shpëtoi jetën Pejgamberit (s.a.v.).
Ebu Lehebi - Njëri nga xhaxhallarët e Pejgamberit Muhamed (s.a.v.), i cili ishte armik i madh i Islamit. Në Kuran është përmendur në suren 111.
Ebu Sufjani - Njëri nga udhëheqësit kurejshë, që u priu mosbesimtarëve në luftrat e tyre kundër Pejgamberit (s.a.v.). Më në fund u bë musliman. Gruaja e tij ishte Hindi.
Ebu Talibi - Xhaxhai i Pejgamberit (s.a.v.), babai i Aliut, njëri nga njerëzit e ndershëm të kurejshëve, u kujdes për Pejgamberin (s.a.v.) pas vdekjes së gjyshit të tij dhe vazhdoi ta mbrojë derisa vdiq.
Ebu Xhehli - Njëri nga njerëzit më të rëndësishëm të kurejshëve. E kundërshtoi ashpër Islamin dhe bëri shumë gjëra për t'i bërë dëm Pejgamberit (s.a.v.). U vra në betejën e Bedrit.
Ensarë - Banorë të Medines që u bënë muslimanë dhe e ftuan Pejgamberin (s.a.v.) që të vijë e të jetojë me ta.
Esselamu alejkum ue rahmetull-llahi ue berekatuhu - Thënie që përdoret gjatë përshëndetjes së muslimanëve, e cila do të thotë:" Paqja, Mëshira dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi ju."
Ezani - Thirrja për t'u falur në namaz.
Faltore - Vend i shenjtë; vendstrehim.
Hadith - Shprehje apo fjali që Pejgamberi (s.a.v.) e ka thënë, e ka bërë, apo me heshtjen e tij e ka aprovuar.
Hatixheja - Gruaja e parë e Pejgamberit Muhamed (s.a.v.) deri në vdekjen e saj. Ajo ishte e para që besoi në Pejgamberin (s.a.v.) dhe e pranoi si të vërtetë Shpalljen, që ai e solli nga Allahu xh.sh.
Halid ibn Velidi - Luftëtar i madh, shumë i shkathët në punët e luftës. Ai e planifikoi disfatën e muslimanëve në Uhud, por më vonë e pranoi Islamin dhe për besimin e tij të ri luftoi edhe me më tepër zemër.
Halimeja - Një grua beduine nga fisi i Benu Sa'dëve, e cila u kujdes për Pejgamberin (s.a.v.) në kohën e fëmijërisë së tij.
Hamza - Xhaxhai i Pejgamberit (s.a.v.); njëri nga muslimanët më të guximshëm e më trima. Luftoi në Bedër, ndërsa u vra në Uhud. JETA E PROFETIT MUHAMED 106
Hashimi - Djali i Abdulmenafit. Organizonte udhëtimet e karvaneve të kurejshëve për në Siri dhe Jemen. Si pasojë e kësaj, Meka u bë qendër e madhe dhe e rëndësishme tregtare.
Haxhereja - Gruaja e dytë e Ibrahimit dhe nëna e djalit të parë të tij, Ismailit.
Haxh - Udhëtim për në vend të shenjtë, në Qabe.
Herakliu - Perandori i Perandorisë Romake të Lindjes.
Hindi - Gruaja e Ebu Sufjanit.
Hira - Shpellë afër Mekës ku për herë të parë i zbriti Shpallja Muhamedit (s.a.v.).
Hixhreti - Shpërngulja nga Meka në Medine.
Ibrahimi (Abrahami) - Babai i themelimit të tri feve monoteiste (adhurimin e vetëm të Allahut) - hebraizmit, krishtërimit dhe Islamit. Pasardhësit e të birit, Ismailit, e formuan fisin e kurejshëve, i cili është fisi i Pejgamberit Muhamed (s.a.v.).
I Dërguar - Njeri që vjen me porosi nga Allahu xh.sh.
Imam - Njeri që u prin muslimanëve në kohën kur ata falen.
Islam - Feja e shpallur Pejgamberit (s.a.v.) nga Allahu xh.sh.
Ismaili - Djali i parë i Ibrahimit nga gruaja e tij, Haxhereja. U vendos në Meke ku i ndihmoi babait për të rindërtuar Qaben. Pasardhës të tij janë kurejshët.
Karvan - Një grup udhëtarësh, zakonisht tregtarë me mallrat e veta.
Klan - Familje e madhe apo fis.
Kopt - Egjiptian i krishterë.
Kurejshët - Pasardhës të Ismailit, djalit të Ibrahimit, të cilët u bënë fisi më i rëndësishëm në Meke. Fisi i Pejgamberit (s.a.v.).
Kusejji - Njëri nga udhëheqësit e kurejshëve i cili u bë sundues i Mekes. Ai ruante çelësat e Qabes. (Ai është stërgjyshi i stërgjyshit të Pejgamberit (s.a.v.).
Mejsereh - Robi i Hatixhesë. E shoqëronte Pejgamberin (s.a.v.) gjatë udhëtimeve të tij me karvanët e Hatixhesë.
Minare - Kullë e lartë nga e cila bëhet thirrja për t'u falur, për namaz.
Musliman - Ai që i nënshtrohet Allahut; u referohet ithtarëve të Pejgamberit (s.a.v.).
Oaze - Vend i vogël në shkretëtirë ku ka ujë dhe bimë.
Sa'd ibn Mu'adhi - Njëri nga Ensarët (banorët e Jethribit). Ai luftoi pranë Pejgamberit (s.a.v.) në Bedër dhe në betejat e tjera. Vdiq menjëherë pas luftës së Hendekut.
Sara - Gruaja e parë e Ibrahimit dhe nëna e djalit të tij të dytë, Is'hakut. JETA E PROFETIT MUHAMED 107
Sidret ul Munteha - Fundi i qiellit.
Sure - Kaptinë e Kuranit.
Shehid - Ai që vdes në rrugën e Allahut.
Shejh - Prijës i fisit, njeri plak, i ndershëm dhe i ditur.
Shpallja - E vërteta e dërguar te njeriu nga Allahu xh.sh.
Tavaf - Ecja rituale rreth e përqark Qabes.
Theur - Shpella ku u fshehën Pejgamberi (s.a.v.) dhe Ebu Bekri nga mushrikët kur bënë hixhretin.
Ubejd ibn Harithi - Njëri nga tre muslimanët e zgjedhur nga Pejgamberi (s.a.v.), të cilët e filluan luftën në Bedër.
Umer ibn el Hattabi - Njëri nga trimat më të mëdhenj kurejshë, i cili ndikoi shumë në drejtim të Islamit atëherë kur e pranoi vetë.
Uahshi - Robi abisinas që vrau Hamzain.
Xha'fer ibn Ebi Talibi - Kushëriri i Pejgamberit (s.a.v.) dhe vëllai i Aliut; ai ishte folësi i muslimaneve që u shpërngulën në Abisini.
Xhami - Faltore në të cilën falen muslimanët.
Xhennet - Vend ku shkojnë shpirtrat e njerëzve të mirë pas vdekjes.
Xhibrili - Engjëlli, i cili Pejgamberit të Allahut (s.a.v.) i dorëzoi shpalljen e Kuranit.