Ja ç’të jep përkatësia islame!
Islami është dhunti! Përkatësia Islame së paku katër gjëra të dhuron, e ti kur ato i ndjen, dije se, do të jesh njeriu më i lumtur në fytyrën e tokës!
"Atë që All-llahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin".– Kur'an, 6:125
Islami është dhunti! Përkatësia Islame së paku katër gjëra të dhuron, e ti kur ato i ndjen, dije se, do të jesh njeriu më i lumtur në fytyrën e tokës!
I. Në përkatësinë tënde islame ndjehesh plotësisht i sigurt se atë që beson, je i bindur dhe vepron, është e përkryer. E si dhuratë, t'u dha ndjenja e qetësisë, sigurisë dhe paqes. Këtë siguri e fiton kur i je nënshtruar Zotit që çdo gjë krijoi, Allahut xh.sh.. Kështu që, gjithçka që Ai të kumton në Librin e Tij famëlartë, Kur'anin, nuk heziton të mos e dëgjosh, por e pranon plotësisht si të favorshme dhe që përshtatet me natyrën tënde njerëzore. E ti sado që të përpiqesh të sjellësh diçka a të veprosh diçka ndryshe me atë që Zoti yt e shpalli në Kur'an, sigurisht që është e kot, pasi Ai që krijoi njeriun, krijoi dhe program e sistem për të. E kur për program e sistem zgjedh atë që caktoi Zoti që të krijoi, s'ke pse të mos ndjehesh edhe ti i përkryer, apo, i qetë, i sigurt dhe në paqe me vetveten dhe me gjithçka të rrethon.
Po, ti mund të dëshirosh diçka, por shpesh ndodhë që dëshirat e tua të të kenë shpjer në dëshpërim! Edhe të mos kesh dëshiruar diçka, por që në fund të të ketë shpjer në ngadhënjim! E këtu dëshmohet paaftësia jonë për të sistemuar jetën tonë pa fjalën e Zotit tonë. Sepse, vetëm Allahut nuk i fshihet asgjë, ndërsa krijesave po! E Kur'ani të edukon të thuash: mund të dëshiroj diçka, por është e urrejtshme për mua, dhe mund të urrej diçka, por është e favorshme për mua. Po, të edukoi edhe të thuash: gjithçka ndodh, ndodh nën hijen e vullnetit absolut të Zotit tonë, Allahut xh.sh., e pse vallë, për gjithçka që ndodh të shqetësohemi; mjafton ta adhurojmë drejtë!
Zoti yt thotë: "A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë." – Kur'an, 67:14. E pasi Zoti yt depërton në thellësitë e sekreteve e di gjithçka, e si guxoj të mos jem i sinqertë, të paktën, të përpiqem! E padyshim, aq më i sinqertë që do të jesh, aq më tepër siguri ndjen.
II. Përkatësia jote Islame të dhuroi edhe ndjenjën e të qenët i vendosur, i palëkundur dhe i ekuilibruar. Kjo ndjenjë që Zoti yt ta dhuroi, edhe sikur t'i falënderoheshe tërë jetët e jetëve, nuk do të ishte mjaftë kurrë! Nuk ka ndjenjë më të bukur sesa të jesh i vendosur. Të mos dyshosh, e të mos lëkundesh e të mos hutohesh. Nuk shikon njerëzit ç'bëjnë, e s'i dëgjon se ç'thonë etj., etj., je i përqendruar në një pikë, dhe asgjë nuk mund të të hutoj prej asaj pike. E pra, kjo vërtetë është dhunti për atë musliman që vërtetë ndjen përkatësi islame!
E si të mos ndjehesh i vendosur, kur je plotësisht i sigurt se koha, vendi, rrethana, janë diçka jashtë vullnetit tënd. Nuk i drejton ato! Ti ato i gjete. E kur ti programit të Zotit tënd i dorëzohesh dhe i bindesh, e di se, Zoti yt që gjithçka krijoi, është i Gjithëpushtetshëm e i Gjithëdijshëm, e Atë falënderon për çdo gjë që ndodh, qoftë mirë a keq. E kjo të bën të vendosur, sepse nuk të bën të lëkundesh a të hutohesh as koha, as vendi, as rrethana. Gjithçka është nën sundimin e Sunduesit të Vërtetë, Allahut dhu-l-xhelal!
III. Kur ti i bindesh Zotit tënd, e sheh sesi Ai drejton çështjet tua, fillon të ndjesh respekt të thellë dhe t'i nënshtrohesh plotësisht Allahut xh.sh.. E përkatësia jote islame, pra jo vetëm që të bën të ndjesh respekt ndaj Zotit tënd, por edhe të ndihesh i respektuar kur ti thirresh "rob i Allahut", në formë përkëdhelëse! E ky respekt, të bën t'i nënshtrohesh plotësisht Zotit tënd, duke ia dorëzuar qenien dhe të gjitha çështjet tua Zotit të Gjithësisë! E kjo ty, o i dashur në Islam, ta lehtëson jetën, e gjithçka që lidhet me ty.
Nuk ke më pse të hulumtosh për mbështetje a përkrahje tjetër. Ke Zot që për ty përkujdeset! Ti Atë e respekton dhe tanimë Atij i je nënshtruar. E lum ai pra që Allahut të Gjithëpushtetshëm qenien dhe tërë çështjet e veta ia ka nënshtruar!
Ti s'hamendëson. S'je njeri i hutuar. Ke kë të dëgjosh e kë të pasosh. Ke Zot e shpalljen e Tij, e ke të Dërguarin e Tij, shëmbëlltyrë, udhërrëfyes e mëshirë! Po as merakosesh për asgjë fare, sepse ti kur i je nënshtruar të Urtit e të Gjithëfuqishmit, gjithherë e më shumë e ndjen veten se s'je thjesht krijesë, por madje e nderuar dhe e respektuar. Po, edhe nën mbikëqyrje!
Ty Zoti të edukon. Ty të këshillon. Të urdhëron të mirën e të ndalon të keqen. Ti thua: dëgjoj dhe respektoj! Ja se si Zoti ynë na edukon: "O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar." – Kur'an, 5:90. Na thërret me "O ju që besuat", pa dashur të ushtroj forcë mbi ne, por na e kujton besën, respektin dhe nënshtrimin që shprehëm ndaj Tij. E duke na urdhëruar për mirë e duke na ndaluar nga e keqja, na tregon se duke respektuar, gjejmë shpëtim!
IV. Ti ke diçka që s'e ka askush! Ke identitet. Ke përkatësi hyjnore. S'je rob i askujt. Je nën kujdesin e Zotit Fuqiplotë. Nuk i ke frikë askujt. Pra, ti ndjehesh njeriu më i çliruar dhe më i pavarur në fytyrën e tokës! Nuk i nënshtrohesh gjësë që është paracaktuar të vdes; je i kapur për të Pavdekshmin, për Atë, që jep jetë dhe merr jetë. Me Atë, që gjithçka prej Tij filloi dhe tek Ai do të përfundojë! Vallë, a mund të ketë njeri tjetër përveç teje me përkatësi islame, të ndjehet më i lirë, më i çliruar e më i pavarur se ti! Kurrsesi!
Ti kur njerëzit vështron, në to sheh krijimtarinë e Zotit. E ti kur sheh botën përreth e gjithçka të rrethon, e di se të kujt janë! Ke pra, pavarësi prej tyre, e vetëm një Zoti i falesh dhe adhuron. E kjo, o i dashur në islam, është dhunti që Islami ta dhuroi, të ndjehesh pra i lirë dhe i pavarur nga çdo gjë tjetër, përveç Zotit tënd, që të krijoi!
Kjo dhuratë të bën të mposhtësh gjithçka. Ti sundon epshin, sundon dëshirat që humbin. E s'ka pra pasuri më të madhe se sa të sundosh vetveten! Një luftë që shumica e njerëzve tjerë pa përkatësi islame dështojnë dhe përfundojnë të dëshpëruar.
Zoti im, i yti dhe i çdo gjëje thotë: "Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët." – Kur'an, 23:1. E pra, s'mund të ketë kënaqësi më të madhe se, kur ti ndjehesh njeri që adhuron vetëm një Zot, Allahun azze ve xhel, e të thotë Zoti yt në Librin e Tij, se je i shpëtuar!
El-hamdu lilahi rabbi-l-alemin!