Takimi mes ministrit Davutoglu dhe Assadit që zgjati mbi
gjashtë orë dha rezultate të përziera. Duket se tensioni i vazhdueshëm
mes Turqisë dhe Sirisë do të zhvillohet drejt një konflikti me
dimensione të ndryshme.Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu të martën u takua dhe bisedoi
për më shumë se gjashtë orë me presidentin sirian Bashar al-Asad dhe
zyrtarë të lartë të qeverisë së tij. Për shkak të dhunës së vazhdueshme
kundër popullit të vet udhëheqja siriane aktualisht e ka ndërperë
pothuajse plotësisht dialogun me botën perëndimore. Prandaj takimi ishte
i rëndësishëm për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës aktuale.
Rezultatet e para të takimit paraqisnin një tablo të përzierë. Në
ditën e takimit, trupat siriane sulmuan një qytet pranë kufirit turk.
Menjëherë pas takimit, presidenti al-Assad u zotua se do të zhvillojë
një luftë të pamëshirshme kundër “grupeve terroriste”, duke sfiduar në
këtë mënyrë iniciativën e Turqisë. Të mërkurën, tanket siriane vazhduan
sulmet e tyre në disa qytete, por filluna të tërhiqen nga kryeqendra e
protestave, qyteti Hama.
Tensionet në rritjeBazuar në paralajmërimet e think tank-ut të Qendrës për Studime
Strategjike të Lindjes së Mesme “ORSAM” tensionet në rritje midis
Ankarasë dhe Damaskut mund të çojnë Turqinë dhe Sirinë drejt një kursi
të ri të konfliktit. “Turqia për herë të parë ia ka bërë të qartë
al-Assadit se duhet të heqë dorë nga pushteti përmes një procesi
demokratik dhe paqësor. Baschar al-Assad në anën tjetër refuzon të japë
dorëheqjen dhe ka vendosur që të sfidojë iniciativën e Turqisë”, shkruan
profesori Vejsel Ajhan nga Qendra për Studime Strategjike të Lindjes së
Mesme “ORSAM”. “Ne parashikojmë që pas takimit të Al-Assad-it me
ministrin Davutoglu, tensioni i vazhdueshëm mes Turqisë dhe Sirisë do të
zhvillohet drejt një konflikti. Ky konflikt mund të ketë dimensione të
ndryshme. Nga sanksionet ekonomike deri te një ndërhyrje ushtarake”,
vlerëson ai.
Turqia ngadal humb duriminTurqia ka qenë një nga miqtë më të çmuar të Sirisë në rajon. Në vitet
e fundit Ankaraja kishte investuar shumë në marrëdhëniet politike,
ekonomike dhe të sigurisë me fqiun e saj dhe të dy vendet ishin duke
biseduar me njëra tjetrën për krijimin e një modeli të integrimit
ekonomik për rajonin. Megjithatë, goditja e përgjakshme e protestave
anti-qeveritare ka tendosur edhe marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe
Sirisë.
Kryeministri turk Erdogan paralajmëroi javën e kaluar se Ankaraja
“ngadal po e humbet durimin” me zhvillimet në Siri. “Durimit tonë po i
vie fundi. Prandaj unë po nisë në Siri ministrin e Jashtëm për të
dërguar atje një mesazh të qartë”, ka deklaruar kryeministri Erdogan.
Ai gjithashtu tha se të drejtat civile në Siri nga Turqia nuk shihen si
një subjekt i politikës së jashtme por do të trajtohen si një çështje e
brendshme.
Ndërkaq këshilltarja e Assadit, Bouthaina Shaaban u kundërpërgjigj me
kritika edhe më të forta në adresë të Ankarasë. “Nëse Davutoglu po vjen
në Siri për të dhënë një mesazh të prerë atëherë ai do të dëgjojë fjalë
edhe më të prera lidhur me qëndrimin e Turqisë… Ajo çfarë duhet të
bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera është të
ndihmojnë Sirinë në rrugën e saj demokratike në vend se të kritikojnë.”
Diplomatët turq janë të kujdesshëmPavarësisht nga kjo luftë e fjalëve në shtyp, diplomatët turq janë më
të matur në prononcimet e tyre. Deklaratat siriane shihen si lëvizje të
regjimit për “të ruajtur fytyrën”.
Sipas një ambasadori turk, takimi në mes të al-Assadit dhe Davutoglus
është zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe ajo çfarë është shumë e
rëndësishme: “Al-Assadi ka për të ofruar diçka konkrete, dhe atë pa
vonesë.”
(DW)