Komuniteti Mysliman ka vijuar me shtrimin e iftareve për besimtarë të shumtë edhe në javën e dytë të Ramazanit.
Iftaret e organizuara nga Komuniteti Mysliman në Tiranë po shtrohen çdo natë në Medresenë e Tiranës. Të ftuarit e radhës ishin besimtarë të disa xhamive të kryeqytetit, si Dine Hoxha, xhamia e Saukut, xhamia e Xhurës, tregtarë dhe njerëz të biznesit, si dhe qytetarë të ndryshëm të Tiranës.
Të rinj e të vjetër, femra dhe meshkuj, kanë përjetuar gëzimin e një dite të kaluar me agjërim, duke shpresuar dhe lutur Zotin për pranimin dhe shpërblimin e këtij adhurimi shoqëruar me bindje e përkushtim.
Ashtu si në të gjitha të gjitha iftaret e mëparshme edhe këtu ka pasur një bisedë të shkurtër, e cila është fokusuar në dobitë e shumta të Ramazanit dhe pozitën që ky muaj ka te Zoti i Lartë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, nën cilësinë e institucionit përfaqësues zyrtar të myslimanëve në Shqipëri, këto organizime i sheh si mundësi reale për afrimin e besimtarëve me njëri-tjetrin dhe forcimin e ndjenjave vëllazërore mes tyre. Përveç kësaj, ato i shërbejnë qëllimit final të funksionimit të KMSH, që është prezantimi i Islamit për masat e gjera të shoqërisë shqiptare.
Kjo nismë po ndiqet nga të gjitha myftinitë e Shqipërisë.
(KMSH)