[color:bd41=#666]
Film mbi trafikimin e organeve Gazetat serbe ditëve të fundit po i kushtojnë rëndësi të dorës
së parë trilerit me elemente horrori të titulluar “Captifs” (Robërit),
të regjisorit të ri francez Yann Gozlan, ku rrëfehet historia e tregtisë
me organe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Por, ndryshe nga raporti i zviceranit Dick Marty, filmi i
produksionit francez serbët nuk i prezanton si viktima të tregtisë me
organe, por si kryesit e këtij krimi.
Ky detaj i vogël i ka prekur tej mase serbët, të cilët që tani filmin
“Captifs” e kanë cilësuar si film të financuar nga shqiptarët, shkruan
gazeta serbe “Novosti”. Filmi sipas kësaj gazete, është hedhur në treg
një muaj para se Dick Marty ta prezantojë raportin e tij kontradiktor
para Këshillit të Evropës.
“Captifs” flet për një grua me emrin Carole, e cila punon si
aktiviste humanitare në ish-Jugosllavi dhe kur niset në drejtim të
Kosovës me dy kolegë rrëmbehet nga një bandë e maskuar, të cilët në fakt
janë trafikantë me organe njerëzore.
Edhe pse të rrëmbyer ata ushqehen me rregull dhe trajtohen mirë që të
jenë në gjendje të mirë shëndetësore, gjë që shkakton huti te viktimat.
Kur ata e zbulojnë arsyen pse ndodh kjo thuajse vdesin nga frika.
Sipas skenarit, Zorani dhe miku i tij kanë një varrezë veturash, ku i
rregullojnë makinat e ushtarëve amerikanë që punojnë në UNMIK.
Por, në bodrumin e “shtëpisë së qetë familjare” të rrethuar me kodra
të ulta ndodhen disa qeli si të burgut dhe në fund të korridorit të
gjatë ndodhet edhe thertorja e pashmangshme, ku ndryshe nga pjesa tjetër
e shtëpisë drita është gjithmonë e ndezur.
Për ta bërë situatën edhe më dramatike në murin e ftohtë ngjyrë gri
ndodhet i kapur një telefon – gjetje kjo sipas medieve serbe origjinale e
regjisorit- cingërima e të cilit është uverturë e vrasjes së njërit nga
të burgosurit.
Siç tregohet në film, telefonin e ngrit gjithmonë mjeku i veshur me
mantel të bardhë por që nganjëherë e vesh edhe mantelin e gjelbër të
përgjakur nga operimi. Shikimin mjeku e ka akullt fare pa ndjenja.
Personazhi tjetër negativ në shpinë e ka tatuazhin me fjalinë “Zoti e
ruan Serbinë” gjë që sipas medieve serbe, do të duhej të ishte një
dëshmi e fuqishme që ai ka marrë pjesë në ndonjë luftë ballkanike gjatë
viteve të nëntëdhjeta si pjesëtar i njësiteve paramilitare. Gjithmonë ky
personazh shfaqet duke folur pisët, ku çdo e dyta fjalë e tij është “të
q...fsha”. Serbët paraqiten në film si organizatorë të trafikimit me
organe njerëzore. Në role janë të angazhuar aktorë francezë dhe disa nga
Ballkani.
Filmi përfundon me ikjen nga burgu të Caroles, personazhit kryesor
bashkë me një vajzë të burgosur dhe vrasjen e serbëve, që në film
prezantohen në role negative.