Islami në Gjermani
Gjermanët hedhin hapa përqafues me Islamin
Islami po fiton terren dhe po konsolidon praninë e tij në një shoqëri perëndimore me probleme të mprehta sociale dhe me një distancim të thelluar nga bazat e natyrshmërisë njerëzore. Përhapja e shpejtë në Evropë por edhe më gjerë, ka nxitur njerëz të medias dhe studiues të ndryshëm që të zbulojnë arsyet që çojnë njerëzit në pranimin e tij. Një studim mbi këtë trend ka kryer edhe rrjeti i njohur mediatik Deutche Welle. Gazetarët e tij për disa javë kanë analizuar jetët e individëve të ndryshëm për të mësuar motivet që i shtynë ata për të kaluar në besimin e predikuar nga Muhamedi (a.s.).
Nga raporti i tyre kemi shkëputur rrëfimet e dy zonjave të nderuara. E para është Nikol, 28 vjeç kurse e dyta, Tulia, 35 vjeç.
Nikol tregon se ka qenë 20 vjeç në momentin kur vendosi të bëhej myslimane. Ajo thotë se në jetën e saj nuk kishte shfaqur kurrë interes për besimin apo praktikat fetare. Por, megjithatë, kur ishte 14 vjeç vendosi që të pagëzohej për t’u bërë qejfin prindërve dhe bindur veten se po kryente diçka të mirë.
Sipas Nikol, problemet u shfaqën më vonë, pikërisht atëherë kur si një vajzë e rritur nuk ishte në gjendje që të identifikohej me krishterimin.
“Përgjigjet e priftërinjve për të gjitha paqartësitë e mia ishin: “Është thjesht kështu”. Për dallim, në Islam është e shpjeguar çdo gjë. Aty njeriu gjen përgjigje për gjithçka që e mundon”, thotë ajo.
Duke ecur e treguar më tepër detaje, Nikol shprehet se prindërit e kanë respektuar dhe e kanë mbështetur qysh në fillim në zgjedhjen që ajo ka bërë. “Për aq kohë sa nuk janë të detyruar të më shohin me shami, të cilën e shohin si jo të përshtatshme, zgjedhja ime është ok”, thotë Nikol.
28 vjeçarja gjermane, nënë e dy fëmijëve, e ndien veten mirë në atë që bën dhe nuk ndihet e penduar për vendimin që ka marrë.
Tulia është një tjetër qytetare e konvertuar. Në bisedën me të ajo tregon se vendimin për të pranuar Islamin e ka marrë pas martesës me një shtetas arabo-mysliman.
“Edukimi im nuk ka pasur pika takimi me religjionin. Njohja me besimin (si term) ndodhi në kohën kur njoha bashkëshortin tim, që është me origjinë nga Siria. Prej tij mësova dhe arrita të kuptoj se çfarë do të thotë Islam”, rrëfen Tulia.
Më poshtë ajo pranon se shumë vlera të edukatës dhe moralit, të cilat Islami i përmban dhe i predikon, i ka trashëguar nga familja. “Sinqeriteti, synimi që te njeriu gjithmonë të shihet e mira, këto vlera m’i kanë mësuar prindërit që në fëmijërinë time të hershme”, nënvizon 35-vjeçarja gjermane.
Në rrëfimin e saj të gjatë anëtarja e re e Islamit e cilëson udhëtimin e saj si tejet mbresëlënës por njëkohësisht edhe të vështirë. Ajo që e ka mrekulluar më tepër janë të vërtetat e paraqitura në Kuran. Ajo thekson se nuk mund ta çonte ndërmend që një libër me një jetëgjatësi 1400 vjeçare të kishte shpjeguar në mënyrë precize zhvillimin e embrionit të fëmijës.
“Im shoq një herë më rrëfeu për disa ndër mrekullitë e shumta shkencore të Kuranit. Befasia ime ishte e madhe. Nuk mund t’ia shpjegoja vetes, por nga ai moment vendosa të bëhem myslimane”, përfundon rrëfimin e saj Tulia.
Duke filluar nga vitet ‘80 e këtej në Gjermani janë regjistruar mbi 25 mijë raste konvertimi. Specialistët e statistikave këtë fenomen e shpjegojnë me interesin në rritje ndaj Islamit veçanërisht gjatë dekadës së fundit. Sipas tyre, me këto ritme nuk është çudi që në një të ardhme të afërt lista e Islamit të pasurohet edhe me emra të tjerë qytetarësh gjermanë.
Referuar statistikave zyrtare, Gjermania aktualisht numëron mbi 4 milion myslimanë.