Kosovë
“Komercializohen” minaret e xhamive
Minaret e xhamive, në të cilat hipej dikur për të thirrur ezanin, tani janë kthyer në objekte biznesi dhe po shërbejnë për përfitime materiale. Lartësia e tyre ideale mbi objekte përreth ka bërë që ato të mund të shfrytëzohen për përçuesit e valëve të telefonisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Kompanitë e telefonive mobile që operojnë në Kosovë kanë vendosur antenat për telefoni celulare në minaret e disa xhamive, që është një veprim jo i rëndomtë afarist i kontraktuar me përfaqësuesit e bashkësisë lokale islame.
Kjo për zyrtarë e Bashkësisë Islame nuk është asgjë e pazakontë. Ahmet Sadriu, nga Bashkësia Islame e Kosovës, thotë se antenat e vendosura në minaret e xhamive janë në marrëveshje me këshillat lokalë të BIK-ut.
“Antenat nuk pengojnë asgjë nëse vendosen në minare“, thotë Sadriu.
Për antenat e vendosura në minare, zyrtarët e operatorëve të telefonisë mobile thonë se kanë leje.
“Për antenën e vendosur në këtë lokacion telefonia mobile IPKO posedon leje nga qendra e Bashkësisë Islame, dhe çdo instalim në këtë pikë është bërë në pajtim me këtë institucion”, thotë Alban Kastrati nga kompania IPKO.
Sipas trendëve të pagesës, për vendosjen e antenave qiraja mujore sillet prej 300 deri në 500 euro. Banorët përreth xhamive kanë qenë shumë të befasuar kur e kanë parë antenën në minaren e xhamisë në lagjen “Dodona” në Prishtinë.
“Nuk kemi parë diku tjetër të shfrytëzohen minaret për vendosjen e antenave apo gjërave të tjera prej të cilave përfitohet”, thotë Arben Krasniqi.
Xhamitë përpos qirasë do të kenë përfitime edhe nga shfrytëzimi i gjeneratorit të rrymës, i cili po ashtu është pjesë e infrastrukturës së siguruar nga operatori i telefonisë.