Po na erdhi 14 shkurti, apo ndryshe dita e të dashuruarve, dhe si çdo vit njerëzit vazhdojnë të mashtrohen me mashtrimet e kësaj dite, e cila ka marrë epitetin “dita e të dashuruarve”. Nga erdhi kjo ditë, kush e zbuloi? Mos vallë njeriu vetëm një ditë paska nevojë për dashuri!? Sa çudi! Nëse dikush qenka dakord për të pasur një ditë dashuri, atëherë un nuk jam i mendimit të tillë. Unë jam njeri që çdo ditë e konsideroj të njëjtë dhe dashurinë e kam në zemër në çdo ditë të jetës sime.
Në këtë ditë mjetet e informimit, interneti, televizionet, radiot, etj. flasin për këtë ditë, duke e konsideruar si diçka të veçantë, mirëpo pa ditur se nga vjen kjo ditë, nga e ka prejardhjen dhe nuk e dinë fare se çfarë po festojnë.
Për këtë gjë duhet të dijë çdo musliman, të paktën vetëm gjërat kryesore. Ne nuk duhet të festojmë festat e huaja, e sidomos kur nuk e dimë se nga e ka prejardhjen ajo.
Si shumë festa të tjera, që festohen nga të krishterët, edhe kjo e ka prejardhjen nga paganët e Romës antike. Romakët e festonin këtë për nder të hyjneshës Juno, që konsiderohej hyjneshë e mirësisë. Kur Romakët e pranuan krishterimin, atëherë këtë festë pagane e shndërruan në festë krishtere, e që më pas do ta emërojnë “Dita e Shën Valentinit”.
Kush ishte Shën Valentini!? Ai është një person mitik, domethënë se nuk ka ekzistuar si i tillë kurrë, por vetëm është menduar kot në mendjet e njerëzve.
Sipas Enciklopedisë Katolike janë së paku tre Shën Valentina, të tretë të ndryshëm, të tretë martirë, të cilët përmenden në disa shënime, ku shkruan se janë ekzekutuar në të njëjtën ditë: me 14 shkurt 269…! I pari është një prift me shërbime ne Romë. I dyti si një ipeshkëv i qytetit Interamna, që sot ky njihet me emrin Terni dhe i treti është Shën Valentini në Afrikë. Pasi se këto s’kanë kurrëfarë shënime historike, Kisha Katolike i ka larguar nga Kalendari Zyrtat Kishtar.
Deri në shekullin XIV Dita e Shën Valentinit festohej si festë pagane, kurse prej atij shekulli asaj iu shtua edhe një risi, filloi të quhej si Dita e të dashuruarve. Këtë risi e bëri Geoffrey Chaucer. Tani vjen pyetja kush është ky njeri, dhe besoj se do t’iu interesojë. Po, do të flasim edhe për këtë mashtrues.
Pasi se evropianët besonin se në fund të javës së dytë, të muajit të dytë, që është mesi i muajit shkurt, zogjtë, shpezët, fillojnë të çiftohen; e këtë e shfrytëzoi shkrimtari anglez Geoffrey Chaucer, i cili tha “Kur zogjtë, shpezët, çiftohen – pse të mos çiftohen edhe njerëzit, gjithë kjo rini, me dashuri.”
O njerëz, neve a ky njeri do të na mësojë se c’është dashuria?! A ky njeri do të na caktojë ditët e dashurisë?! Për neve ky nuk do të jetë më Shën Valentini, por SHERR VALENTINI, sepse neve nuk na solli asgjë, as dashuri as mirësi, por vetëm sherr.
Prandaj, të mbledhim mendjen dhe të mos mashtrohemi me pretendimet e disa njerëzve injorantë, të cilët vetëm për përfitime personale duan të na imponojnë festa të ndryshme pagane. Dashuria nuk është vetëm për një ditë, nuk caktohet nga një njeri, nuk mund të imponohet nga askush, por ajo është një ndjenjë që u krijua nga Allahu dhe vetëm Ai na mundësoi ta shfrytëzojmë atë. Atëherë mos të biem pre e disa mashtruesve, por le ta ndjekim rrugën e drejtë që na e mësoi Allahu i gjithëdijshëm, i cili në Kur’an thotë: “Vërtet, Zoti im është mëshirues, shumë i dashur.” (Hud, 90).
Kështu që mos të bëhemi si ata që thonë “çka të bëjnë të gjithë, do të bëjmë edhe ne”, sepse ne jemi muslimanë dhe duhet të largohemi nga gjërat e ndaluara dhe të dyshimta.
Shkruan: Zenel Latifi