Qindra protestues shqiptarë dhe maqedonas në Shkup shprehën revoltën kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptarë nga polici Jakim Trifunovski. Protestuesit, të rinj dhe të moshuar, i thanë STOP dhunës policore, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe ndihmësit të saj, Ivo Kotevski. Ashtu siç ishte paralajmëruar protesta filloi nga sheshi Nënë Terezë, vazhdoi përpara ndërtesës së kuvendit dhe përfundoi në afërsi të Ministrisë së Brendshme.
“Duam dorëheqjen e ministres Jankullovska, duam dorëheqjen e zëdhënësit Kotevski, duam mekanizma të pavarura për kontrollin e policisë që do të jenë jashtë ingerencave të policisë, dhe duam të plotësuan të gjitha standardet siç janë testet psikologjike dhe të ndryshohen aktet ligjore që kjo polici të bëhet polici e qytetarëve”.
“Policia është përgjegjëse, dhe tani le të më fal zonja Jankullovksa unë i bëj thirrje që ajo duhet të dije se duhet të vendos rend, dhe do ta them edhe këtë për ministër të policisë duhet të jetë një burë me mustaqe, ajo edhe të thotë diçka s’ka se çfarë bën, ajo mirë flet por duhet të ketë përmbajtje”.
“Kjo polici është kundër popullit, mu baba 7 vjet 8 tetë më ka humbur në këtë Maqedoni, nuk është kurrkund hiq, çfarë policie, çfarë shteti është ky, a mbron popullin a kë e mbron dikë tjetër”.
“Edhe një djalë në verë e humbën maqedon edhe ai djalë nëne, çka bëjmë me këtë polici ne, a është kjo polici diktatore, barbare, ne të mblidhemi si popull pavarësisht a jemi maqedon a shqiptare a jemi mysliman të mblidhemi dorë për dore dhe ta humbim këtë polici, se kjo polici ka me i marr të gjithë djemtë e nanës..”.
“Ne si student e dënojmë ashpër këtë krime, sepse ky krim është bërë nga institucione shtetërore maqedonase, dhe e ngrisim zërin shumë lartë dhe i ftojmë gjithë shqiptarët të jenë të vetëdijshëm në këtë aspekt se nuk bëhet nga individët por nga institucionet”.
Protestuesit në shenjë respekti dy viktimat i nderuan me një minutë heshtje.
Protestuesit në afërsi të Ministrisë së brendshme u bllokuan nga kordoni policor, dhe u ndaluan të afroheshin përpara ndërtesës të kësaj ministrie. Në shenjë revolte qytetarët ua kthyen shpinën policëve.
Protestat në Shkup u organizuan në shenjë mbështetjeje të protestave në Gostivar, kundër vrasjes së dy të rinjve Shehabit dhe Mehmetit dy ditë më parë, dhe për të kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të policisë. Iniciatorët iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që t’iu bashkëngjiten nesër protestuesve të radhës. Marshimi nis nga sheshi Nënë Tereza në rrugën Makedonia në orën 13;00, dhe atij do t’i bashkëngjiten edhe qytetarë që do të grumbullohen në vatrën e dytë në Çairçanjë, pas namazit të xhumasë.