[justify]Përgatitej për dasmë, ndërsa përfundoi në varr. Ky është rrëfimi i familjes së Besnik Shehapit 26 vjeçar, që ditëve të fundit ka trishtuar të gjithë banorët e Gostivarit ngase në pranverë po bëhej gati për t’u martuar. Tragjedia njëjtë ka pllakosur edhe familjen e Imran Mehmeti, i cili pas vetes ka lënë djalin një vjeç dhe bashkëshorten. Ekipi i TV Alsat M sot vizitoi këto dy familje, të cilat nga e marta e javës së kaluar duket se i kanë thënë lamtumirë ditëve të lumtura. Mërzia e tyre, shpesh zëvendësohet me zemërim sepse asnjëherë më parë tashmë dy të ndjerët nuk kishin pasur ndonjë lidhje me vrasësin, policin Jakim Trifunovski.
Por pavarësisht gjithë kësaj, ata thonë se drejtësinë do ta kërkojnë deri në fund, ndonëse nuk u besojnë institucioneve të drejtësisë në vend, sidomos pas deklaratave të zëdhënësit të Policisë, Ivo Kotevski, se kolegu i tyre ka qenë në vetëmbrojtje.
“Përballimi është shumë I rëndë, çdo kujt mundë ti ndodh, por neve shumë rëndë e përballojmë. Me personin që e bëri këtë krim ne assesi s’kemi pas marrëdhënie të këqija, përkundrazi jemi përshëndetur si fqinjë, nuk kemi pasur asnjëfarë marrëdhënie të keqe me atë”, u shpreh Jakup Shehapi, babai i Besnikut.
Madje i ati i Besnikut, tregon se fëmijët e tij as që janë njohur me vrasësin Trifunovski.
“Djali si më I ri shkaku se nuk janë në gjeneratë as që e ka njohur, por ne si më të vjetër njiheshim me të. Kërkesa jonë është që të çohet drejtësia deri në fund dhe nëse ka nevojë do e kërkojmë edhe më tutje, drejtësia patjetër të del edhe pse besim nuk kam, un besoj veç në Zot”, tha Jakup Shehapi, babai i Besnikut.
Tragjedia ka prekur rëndë edhe familjen e Imranit. Ai prej tre vjetësh nuk ka qenë fare në shtëpi, por në Itali. Pikërisht për këtë arsye, familjarët shprehin habinë ndaj të gjitha mediave që thonë se Imrani është njohur me njeriun, i cili i dha fund jetës së tij.
“Nipi memzi morri rrugën e kafshatës së bukës, doli në Itali meqë spati sukses erdhi, dhe nuk mundë të ishin këta zënka paraprake pasi ai morri rrugën e kurbetit, morri rrugën e halleve për të mbajtur familjen sepse edhe prindërit nuk I ka mirë me shëndet. Vëllazëria jonë njerëzit që na përfaqësojnë në institucione do të shohin pak se ky popull I ka dërgua atje për tu mundu për ne”, kështu shprehet Feim Ismani, daja i Imranit.
Lotët nuk i mundësuan të shprehte revoltën e saj motra e Imranit. Por, shkurt tha se vrasja e vëllait, ka fikur familjen e saj, ngase kishte qenë i vetmi që ishte kujdesur për prindërit e sëmurë. Dhe si në çdo tragjedi tjetër, edhe kësaj radhe fati i zi, i kishte bashkuar familjet Shehapi dhe Mehmeti, duke pritur bashkërisht miqtë dhe familjarët e shumtë që shkonin për t’u shprehur ngushëllime. Bashkim Sulejmani