Zëri i shoqërisë ndërkombëtare po ngrihet gjithnjë e më shumë për t'i thënë "ndal" akteve të dhunës së regjimit të Bashar Al-Asadit ndaj popullit të Sirisë.
E enjte 29 Mars 2012 14:21
Në këtë kuadër më se kritik është Takimi i Miqve të Sirisë, që do të organizohet më 1 prill në Stamboll.
Përpara këtij takimi në Stamboll realizuan një mbledhje edhe opozitarët e udhëheqjes së Asadit, të cilët Këshillin Kombëtar të Sirisë e pranuan zyrtarisht si përfaqësues të opozitarëve.
Ky vendim është shumë i rëndësishëm për faktin se opozitarët sirianë do të kenë mundësinë të dalin përballë regjimit të Asadit si një zë i vetëm.
Pritet që Këshilli Kombëtar i Sirisë të pranohet si përfaqësues ligjor i popullit sirian edhe në takimin e 1 prillit në Stamboll.
Në Takimin e Miqve të Sirisë, që do të organizohet pas 3 ditësh në Stamboll, pritet gjithashtu që t'i jepet mbështetje e plotë edhe planit të Përfaqësuesit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan.
Dy prej aspektativave më të mëdha lidhur me takimin e sipërcituar janë krijimi i një fondi për mbështetjen e opozitarëve sirianë dhe shtimi i presionit mbi udhëheqjen e Damaskut me zë më kumbues nga shoqëria ndërkombëtare.
Autoritetet turke theksojnë se aktualisht nuk ka përgatitje për formimin e një zone tampon në kufirin turko-sirian, por nëse krijohet ndonjë situatë, që e bën këtë gjë të domosdoshme nga aspekti i interesave kombëtare të Turqisë, atëherë Ankaraja zyrtare do të përdorë kompetencat që i jep e drejta ndërkombëtare lidhur me çështjen e lartpërmendur.
/trt/