Gjatë fjalës së tij para parlamentit turk, ministri i jashtëm Ahmed Dautoglu është shprehur se Turqia do të vazhdojë të menaxhojë valën e ndryshimeve të fundit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Ai tha se shtetet që preferojnë diktaturat, kurrë nuk do e perceptojnë dot qëndrimin mbështetës të Turqisë ndaj popullit sirian. Ai shtoi:”U bëj thirrje atyre që e kritikojnë qëndrimin tonë ndaj Sirisë, të shkojnë në kryeqytetet e vendeve arabe si Kajro, Tripoli, Bejrut, Aman, Kuds etj... dhe ti pyesin qytetarët rreth politikave që ndjek Ankaraja lidhur me krizën siriane dhe rajonale. U siguroj se nuk do të dëgjojnë veçse vlerësime dhe mirënjohje për shtetin turk.”
Ai tha se Turqia do të vazhdojë ta luajë rolin e saj në rajon dhe paralelisht do të ruajë dhe interesat e saj kombëtare. Dautoglu tha se:”Ashtu siç kemi qëllim të ndërtojmë një Turqi të re, kemi dhe një qëllim tjetër: Të ndërtojmë një Lindje të Mesme të re, e cila ka si bazë sigurinë, paqen dhe vëllazërinë, jo konfliktet sektare dhe etnike.” /ardhmeriaonline/