Një nga njerëzit e mirë ka thënë:”Kush e sheh pasurinë tek llogaritë e tij bankare, është fukara. Kush e sheh pasurinë tek zemra e tij, vazhdon të jetë i pasur. Kush e sheh pasurinë tek Zoti i tij, është shkëputur një herë e mirë nga termi fukarallëk.”
Nga: Dr. Xhasim Mutava
Ka shumë individë të cilët posedojnë me miliarda në llogaritë e tyre bankare. E megjithatë, jo çdo gjë mund të blihet me para. Më poshtë, kam shënuar dhjetë gjëra të cilat njeriu nuk mund ti sigurojë dhe blejë, sado i pasur të jetë. Ato janë dhjetë gjëra në të cilat barazohet i pasuri me të varfrit.
E para: Një mik i sinqertë dhe i besës. Jo çdo shok dhe mik është i besës. Ka shumë njerëz të cilët kërkojnë të miqësohen me ty dhe të afrohen, për një interes, për shkak të pasurisë, për hir të një posti, interesa familjare etj... Po, mund ti blesh shokët me para, por me tu sosur këto të fundit, këta shokë i merr zbatica.
E dyta: Një emocion dhe ndjenjë e sinqertë, gjë e cila është tepër e vështirë në marrëdhëniet sociale mes njerëzve. Nëse ajo është e mundur mes teje dhe një familjari, të afmëri, apo miku, dije se realisht je i pasur dhe i lumtur.
E treta: Dashuria për Profetin tënd, prezantimi sa më i thellë me të, ndjekja e traditës dhe respektimi i traditës së tij, të rendisin tek njerëzit e dashur të Muhamed Mustafasë a.s. Kështu, ti garanton ringjalljen krahas Profetit a.s, gjë e cila normalisht nuk mund të blihet me para.
E katërta: Respekti i njerëzve dhe vlerësimi i tyre, për shkak të respektit dhe vlerësimit tënd për ta, si dhe virtyteve të tua të larta. Nëse e arrin këtë, dije se do të xhelozohesh nga shumë njerëz. Shumë njerëz e blejnë respektin me pasuri, por me të falimentuar, respekti i njerëzve për ta humbet dhe shuhet. Nëse e siguron respektin dhe vlerësimin pa para, dije se sinqerisht je i privilegjuar.
E pesta: Shëndeti, gjë të cilën e uron dhe dëshiron secili prej nesh. E kush nuk dëshiron që gjatë gjithë jetës të jetë në gjendje të mirë shëndetësore. Më kujtohet një biznesmen shumë i pasur i cili më tha një ditë:”Jam gati të jap çfarëdo shume, nëse më largon stresin dhe pagjumësinë natën.” Unë ia ktheva:”Mbaji milionat për vete, por thjesht lexo ajetin Kursi dhe dy suret e fundit para se të flesh, të shoqëruar me lutje e ziqër. Do të shohësh vetë si do të qetësohet zemra dhe të zërë gjumi si qengj.”
E gjashta: Përjetshmëria dhe rinia pambarim, gjë të cilat janë dëshirat dhe ëndrrat e secilit. Por, jo gjithçka që dëshiron njeriu e arrin dhe realizon. Sot mjekësia moderne ka zbuluar injeksione që të japin fuqi dhe energji për dhjetë vite, por pas këtyre viteve pason sërish dobësia. Çdo qenie e gjallë do e shijojë vdekjen, pasi jeta është e kufizuar.
E shtata: Të jesh i kënaqur me veten dhe të mos e urresh atë. Të paktë janë njerëzit që janë të kënaqur me veten e tyre dhe pamjen. Por nëse njeriu arrin të jetë i kënaqur me veten, sapo ka hedhur hapin e parë drejt lumturisë. E për këtë nuk lipsen para, pasi as nuk blihet as nuk shitet. Ajo është një bindje e brendshme, me burim zemrën dhe shpirtin e njeriut.
E teta: Bashkimi dhe qëndrimi pranë teje i familjarëve, gjë e cila është një mirësi dhe privilegj i cili nuk mund të blihet me para, por që realizohet duke u falur dashuri dhe dhembshuri.
E nënta: Të ndihesh i sigurtë dhe i qetë me personat që të lidh puna, familjarët qofshin, miqtë, punonjësit apo kushdo tjetër. Të gjithë e kërkojmë këtë lloj ndjenje, por të paktë ata që gjejnë, pasi edhe ajo nuk blihet me para.
E dhjeta: Besimi tek Zoti, bindja dhe të qenit i kënaqur me gjithçka që të ka dhënë Ai. Ajo është renditur e dhjeta në këtë artikull modest, por që zë vendin e parë për nga rëndësia. Si gjithë të tjerat, edhe ajo nuk blihet me para.
Nuk është çdo i pasur i lumtur dhe as çdo i varfër i vuajtur. Në fakt, lumturia e vërtetë i ka rrënjët tek zemra e njeriut, jo tek fiziku i tij. Problemi është se mediat dhe muhabetet e njerëzve fokusohen vetëm tek kënaqësia që paraja u fal njerëzve, se kush ka paranë ka gjithçka tjetër. Dhjetë pikat e mësipërme, janë gjëra që na falin lumturi dhe kënaqësi në këtë jetë dhe që nuk ka nevojë të blihen me para. Një nga njerëzit e mirë ka thënë:”Kush e sheh pasurinë tek llogaritë e tij bankare, është fukara. Kush e sheh pasurinë tek zemra e tij, vazhdon të jetë i pasur. Kush e sheh pasurinë tek Zoti i tij, është shkëputur një herë e mirë nga termi fukarallëk.”
Po, pasuria duhet dhe lipset, gjë të cilën s’kemi përse ta mohojmë, por njeriu nuk duhet të shndërrohet në skllav të parasë. Ai duhet t’ia nënshtrojë paranë objektivave të tij të fisme.
Send ibnul Musejjib ka thënë:”Nuk ka mirësi tek një person i cili nuk e do pasurinë për ti forcuar marrëdhëniet me farefisin dhe për të përmbushur misionin e tij.” Kështu, nëse pasuria jepet për të shtuar veprat e mira dhe bindjen ndaj Zotit, e mirëpresim me krahë hapur.
Një nga zahidët dhe burrat e mirë, e ka përkufizuar pasurinë krejt ndryshe nga çe kanë përkufizuar njerëzit e zakonshëm. Kur u pyet mbi pasurinë, ai u përgjigj:”Unë kam dy lloj pasurish: Besimi tek ajo që është në duart e Zotit dhe këputja e shpresës nga ajo që kanë njerëzit në dorë.”
Ky është një këndvështrim i ri për pasurinë, i cili është i lidhur ngushtë me besimin. Që këtu, ne e shohim të pasur atë që beson tek Zoti dhe i këput shpresat nga ajo që kanë njerëzit në dorë./AO/