Oferta financiare të bazuara në vlera islame. Me këtë parim synon të thithë klientë banka Kuveyt Türk, banka e parë konforme ndaj fesë islame, që do të hapë një filiale në Gjermani.
Heqje dorë prej bizneseve financiare spekulative dhe oferta financiare të bazuara në vlera. Në kohët e krizës financiare në Evropë shumëkush është pro një ideje të tillë. Dhe ky është edhe parimi i bankës nga Stambolli Kuveyt Türk, banka e parë konforme ndaj fesë islame, e cila do të hapë një filiale në Gjermani.
“Ideja është një bankë islame që ndjek parimet e depozitave dhe të fesë islame”, thotë Zaid el-Mogadedi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Institute for Islamic Banking and Finance” (IFIBAF) në Frankfurt në bisedë me Deutsche Welle. Të ndaluara janë ndër të tjera investime në lojërat e fatit, pornografi, tregtinë e armëve apo në firma që prodhojnë dhe tregtojnë mish derri dhe alkool, apo janë të zhytura në borxhe. Të gjitha produktet financiare që ofrohen kontrollohen prej një komisioni etike.
Jo përqindje por fajde
Produktet financiare që ofron një bankë islamike janë të lidhura më fort me ekonominë reale, se sa ato të bankave konvencionale. Sipas Sharisë, pas çdo biznesi financiar duhet të ketë një biznes në mall apo një shërbim. Spekulimet financiare ndalohen, sikurse edhe përqindjet si formë fitimi vetëm mbi paratë e dhëna hua.
Klienti i një banke islamike nuk merr pra një kredi në kuptimin klasik, pra në vend të tij është banka që ble p.sh. një pasuri të patundshme që dëshiron klienti. Klienti ja kthen bankës shumën me këste duke paguar fajde. “Edhe në sistemin financiar islamik ka mekanizma që imitojnë efektin e përqindjeve – megjithatë kjo s’është e njëjta gjë” thotë Martin Schulte, ekspert për “Islamic Banking” pranë Shoqatës së Bankave të Huaja në Gjermani.
“Paraja s’jep fryte”
Me sistemin e fajdeve edhe një bankë islamike nxjerr fitime, dhe madje duhet ta bëjë këtë. Por për shkak se ajo e ble vetë objektin, ajo është bashkëpjesëtare në rast rreziku, pra në rast se vlera e objektit bie. Ndarja e fitimit dhe e humbjes mes bankës dhe klientit që e shohin njëri-tjetrin si partnerë kooperimi, është një parim tjetër i rëndësishëm themelor i bankave islamike. Pra përmes fjadeve edhe klienti përfiton përqindje të ngjashme interesi për pasurinë që ka depozituar.
Martin Schulte mendon se për të kuptuar konceptin e një banke islamike duhet hedhur një vështrim në konceptin islamik për paranë: “Paraja nuk jep fryte, pra vetëm dhënia e parave si kredi nuk sjell ndonjë përfitim për ekonominë e përgjithshme. Paraja është vetëm një mjet këmbimi, që vetë nuk ka ndonjë lloj force ekonomike.” Sipas tij në rast se bazohemi në këtë koncept, nga bankat mund të ofrohen produke që kanë kuptim për ekonominë e përgjithshme dhe mund ta plotësojnë shumë mirë biznesin konvencional të bankave edhe nga perspektiva makroekonomike.
Deri tani jo ndonjë model suksesi
Në Britaninë e Madhe ka sot një bankë islamike, por ajo duhet të mbështetet tek paratë e bankës nënë. Edhe në SHBA apo Francë produktet financiare që ofrohen konform fesë islame nuk kanë shumë sukses. Fondi i parë islamik i investimeve i regjistruar në maj 2012 pranë Autoritetit gjerman për Mbikqyrjen e Bankave, BaFin, prej sipërmarrjes nga Malajzia CIMB Principal, është në fazën e testimit. Sipas një studimi të Institutit Stresemann, botuar në korrik 2012, “Islamic Finance” është e dështuar në vendet evropiane, sepse klientët myslimanë për shkak të të ardhurave të pakta thuajse nuk kanë fare potencial për investime.
Zaid el-Mogadedi nga “Institute for Islamic Banking and Finance” mendon se shkaku për mungesën e deritanishme të suksesit të produkteve financiare islamike lidhet më tepër me strategjinë e keqe të marketingut dhe beson se Kuveyt Türk Bank do të ketë me portofolin e produkteve dhe shërbimeve të saj sukses në Gjermani. Kjo bankë do të ishte pioniere edhe në tregun global, sepse bankat islamike janë një fenomen i ri edhe në vetë vendet islamike, ku shumica e myslimanëve vazhdojnë të shkojnë ende tek bankat konvencionale.
(DW)