Gjatë një fjale të mbajtur me rastin e inaugurimit të 53 banesave të reja për studentë, kryeministri turk Rexhep Erdogan, u shpreh se numri i universiteteve në vend, gjatë pushtetit të partisë së tij ka arritur 168. Ai shtoi se dëshiron që banesat e studentëve të shihen si një mundësi për akte bamirësie, pasi ato strehojnë 40 mijë studentë nga 41 rrethe të vendit.
Erdogani tha se vetëm gjatë dhjetë viteve të shkuara, në Turqi janë hapur 92 universitete të reja, 50 prej tyre shtetërore dhe 42 pronë e vakëfeve dhe organizatave turke. Numri i universiteteve para dhjetë viteve ka qenë 76. Ai tha se që tani, shërbimi i internetit në godinat e studentëve do të jetë falas. Ai iu drejtua dhe disa pjesëtarëve të një grupi ekstremist, të cilët janë kundër lirisë së mendimit, duke u thënë:”Kush është i bindur në mendimet e veta, nuk ka përse të ketë frikë nga mendimet dhe idetë e tjera.”/ardhmeriaonline/