Rreth 400 mijë vizitorë pritet të mbërrijnë në Vlorë në 24 orët e ardhshme për të qenë pjesë e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Të gjitha hotelet e qytetit janë prenotuar kohë më parë, raporton AS. Ndërsa u njoftua nga bashkia se pronarët e tyre do të ulnin me 50% çmimin e akomodimit, kjo nuk ka ndodhur pasi, siç konfirmohet nga Dhoma e Tregtisë së qytetit çmimet kanë pësuar rritje me më shumë se 50 %.
Hotelet e vogla brenda qytetit ku më parë një natë kushtonte 2 mijë lekë, në ditët e festave ky çmim ka shkuar në 5 mijë lekë, ndërsa në hotelet e mëdha përgjatë vijës bregdetare Vlorë - Uji i Ftohtë një natë qëndrimi kushton deri në 7 mijë lekë. Çmimet në restorante dhe fast food nuk kanë ndryshuar. Ashtu si hotelet, objektet artistike të festës flamujt, shallet, kapelet e gjithçka identifikuese me flamurin kanë pësuar rritje çmimi në dy ditët e fundit, raporton Koha.
Vetëm në 24 orët e fundit kanë mbërritur në Vlorë 1500 shqiptarë nga Maqedonia, një pjesë e tyre të nisur nga vendet ku jetojnë në mënyra simbolike nga më të ndryshmet më kuaj, karroca apo të veshur si Ismail Qemali, Isa Boletini e patriotë të tjerë kontribues në shpalljen e pavarësisë. /mesazhi/