Dje, në Tetovë është prezantuar fasada e re e Xhamisë së Larme të Qytetit
Projekti është financuar me 94.000 dollarë amerikan nga fondi ambasadorial i ambasadorit Uolers dhe 500.000 denarë mjete të Ministrisë së kulturës. Konservimi i Xhamisë së Larme ka filluar para një viti e gjysmë dhe është projekti me fond më të madh në Evropë të ndara nga fondet ambasadoriale të ambasadorëve Amerikan.
Ambasadori amerikan, Poll Uollers është shprehur i kënaqur nga përfundimi i suksesshëm i projektit, i cili ishte pjesë i 11 projekteve që Ambasada e SHBA-së në Shkup i ka mbështetur në kuadër të Fondit ambasadorial për mbrojtje kulturore.
"Me këtë ruhet fasada e këtij objekti të jashtëzakonshëm kulturoro-historik në bukurinë e tij origjinale. Ashtu që edhe njerëzit nga Maqedonia, si dhe vizitorët, pavarësisht origjinës së tyre religjioze ose etnike, mund t'i ndjejë artin e lartë dhe trashëgiminë kulturore të pasur që ka inspiruar në krijimin e kësaj xhamie të shkëlqyer", tha Uollers.
“Ky është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe për këtë arsye Ministria e Kulturës, i kushton kujdes të veçantë këtij objekti me çka në periudhën e kaluar në disa raste është trajtuar nga institucionet tona”, theksoi ministrja e kulturës Elizabeta Kamçevska Milevska.
Kreu i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti ka falënderuar ambasadorin amerikan në Shkup, për përkrahjen që jep ai për ruajtjen e monumenteve kulturore në vend.
"Xhamia e Larme në Tetovë paraqet një monument të rëndësishëm, jo vetëm për Tetovën, por për gjithë rajonin. Kjo vlerë e trashëgimisë kulturore mbetet simbol i identitetit të Tetovës, një vlerë e padiskutueshme që reflekton pasuri historike dhe kulturore në qytet. Falënderojmë ambasadën Amerikane në Shkup, për këtë investim domethënës për konservimin e fasadës së jashtme të Xhamisë së Larme, që mundëson të ruhet origjinaliteti i bukurisë së këtij monumenti kulturor në qytetin tonë", tha Bexheti.
Në ngjarje morën pjesë edhe kreu i Bashkësisë fetare islame, Sulejman Rexhepi si dhe drejtori i Qendrës kombëtare për konservim, Memet Selmani.
Në fund, për investitorët u ndanë edhe makete të xhamisë së larme të Tetovës, në shenjë rikujtimi për ndihmën që dhanë në ruajtjen e këtij objekti kulturorë.