Më të vertetë lumturia dhe shpëtimi i robit të Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër është në këto tri gjëra, robi i Allahut i cili e kupton qëllimin e ardhjes së tij në ketë botë, jeton në njerën nga këto tri forma, kjo si rezultat i mëshirës së Allahut që i dha sukses t'i kuptoj ato.
Forma e parë është kur Allahu e begaton robin e Tij ndersa ai e falenderon Atë, ai i kthen mirësitë e Allahut me falenderim ndaj Tij, atëher Allahu i begaton dhe i shton ato mirësi, ndërsa ai gëzohet me ato mirësi.
Forma e dytë është kur Allahu e sprovon atë ndersa ai duron, sepse besimtari është i bindur që sprova është dhuratë nga Zoti i tij. Vështirësitë në këtë botë i sheh si shperblim për në botën tjetër. Çështja e besimtarit është e gjitha e mirë, për ketë ai duron dhe nuk ankohet, mirëpo ai jeton me plot vullnet dhe durim në caktimin e Allahut. Ai jeton me bindje të plotë që sprova është mëshirë dhe shpërblim dhe thesar i madh, me të cilën sprovë shpreson xhennetet e Allahut si shpërblim.
Ndërsa e treta është kur robi mëkaton, ai shpejt pëndohet dhe kërkon falje tek Allahu. Ç’do bir i Ademit është mëkatar, ndërsa më i miri prej tyrë është ai që pendohet tek Allahu. Robi i Allahut e din që adhuron një Zot Bujar dhe Falës, i cili e don faljen, dhe mëshira e Tij është më e madhe se mekati i robit të Tij, prandaj ai shpejton për tek Zoti i tij i Cili e pret me falje dhe dashuri, e kjo gjendje robit i sjellë gëzim dhe lumturi.
Pra, robi i Allahut jeton vazhdimisht në njerën nga këto tri mirësi gjatë gjithë jetës se tij, ose jeton në begati të Allahut duke e falenderuar për ato, ose jeton në sprovë duke e kaluar atë me durim, ose i rrëshqet këmba e tij në mëkat, pastaj kthehet me vrap tek Zoti i tij për të kërkuar falje dhe mëshirë, dhe kështu ai e kalon jetën e tij dhe e arrinë kënaqësinë e Allahut të madhërishëm në ketë botë dhe në botën tjetër.