Kryeqyteti Indonezian Xhakarta sot u përmbyt nga ujërat që vërshuan vrullshëm. Përmbytjet kanë përfshirë pjesë të kryeqytetit të Indonezisë, Xhakarta, duke bërë që të mbyllen zyra dhe të bllokohen rrugët, disa ditë pas shirave të dendura.
Disa zona, përfshinë lagjen qendrore të biznesit, CBD, janë mbuluar nga ujërat, që kanë detyruar bizneset të mbyllin dyert dhe kanë bllokuar trafikun
Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se shiu, që është sezonal, mund të bëhet edhe më i rrëmbyeshëm në ditët e ardhshme. Ndërsa guvernatori i Xhakartës, Joko Widodo ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Autoritetet deklaruan të mërkurën se mbi 9 mijë persona ndodhen të strehuar në çadra pasi u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.
“Shirat e dendura shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati dhe për rrjedhojë përmbytje deri në 3 metra thellësi”, deklaroi zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Katastrofave për “AFP”.
Gjatë së enjtes zyrat e qeverisë dhe bizneseve në Xhakarta do të qëndrojnë të mbyllura, pasi stafet përkatëse e kanë të pamundur të arrijnë ambientet e punës.
/mesazhi/