Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan, pas bisedimeve në lidhje me Parku Gezi, foli me një gjuhë të qartë për pikën e arritur sot.
“Ne themi referendum , themi që të hedhim hapa sipas përfundimit që do të dalë do të hedhim edhe hapat, çfarë mund të them më shumë. Ata më thonë se jam diktator, vallë një diktator a kërkon referendum?”, tha kryeministri i cili u bëri thirrje të rinjve edhe një herë të shkojnë në shtëpi.
Kryeministri Erdoan mbajti një fjalim në mbledhjen e Kryetarëve të Rretheve të Partisë AK, në rend të të cilit ishte Parku Gezi.
Kryeministri Erdoan pas takimeve që pati me artistët, akademikët, sindikalistët dhe protestuesit foli për fazën e arritur.
Kryeministri Erdoan vuri në dukje se lidhur me çështjen ata do të presin vendimin e gjykatës dhe në rast se vendimi është negativ ata do t’i përmbahen këtij vendimi, në rast se vendimi do të jetë pozitiv ata do të shkojnë në referendum.
Kryeministri turk tërhoqi vëmendjen edhe mbi forcat e huaja të fshehura mbrapa protestave të Parkut Gezi.
Duke treguar reagim edhe ndaj institucioneve mediatike të cilat bënë transmetime për t’i hedhur baltë Turqisë, Kryeministri Erdoan iu drejtua edhe një herë medias ndërkombëtare dhe fuqive të huaja të cilat kanë shtrembëruar ngjarjet.
“Imazhi, respekti, dhe fuqia e Turqisë nuk mund të lëkundet me 3 lajme të gënjeshtërta. Këto institucione të medias të shkojnë në republikat e bananeve dhe me lajme të gënjeshtërta të bëjnë atje operacione, sepse operacione të tilla nuk pinë ujë në vendin tim, ata nuk mund të bëjnë ndërhyrje të tilla këtu”, tha kryeministri turk.
Ai iu drejtua me fjalë të ashpra edhe Parlamentit Evropian që ka marrë vendim kundër Turqisë.
Duke thënë se Turqia nuk mund t’i thotë ‘po’ këtij vendimi, Kryeministri Erdoan tha se ata nuk e njohin dhe se e refuzojnë këtë vendim.