Dhjetra persona kanë vdekur në Laosin jugor, pas përplasjes së një aeroplani në lumin Mekong. Pasagjerë të huaj nga 10 vende të ndryshme, përfshi 7 nga Franca, ishin mes viktimave, ku kishte edhe disa vendas.
Aeroplani, që i përkiste kompanisë ajrore shtetërore “Lao Airlines”, u përplas si pasojë e motit të keq, vetëm pak përpara se të ulej në aeroportin Pakse.
Një deklaratë e “Lao Airlines” në Facebook njoftonte për 49 të vdekur në total, pavarësisht se raportimet e para flisnin për rreth 44 të tillë. Në deklaratë thuhet se nuk ka asnjë lajm për të mbijetuar deri më tani.
Fluturimi QV301 nga kryeqyteti i Laosit, Vientiane, u rrëzua rreth 8km nga aeroporti Pakse. Sipas njoftimit të kompanisë, në bord ishin 44 pasagjerë dhe 5 anëtarë ekuipazhi.
Më herët, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Tailandës, Sek Ëannamethee, tha se ishin 39 pasagjerë dhe 5 anëtarë ekuipazhi në aeroplan, duke cituar informacionet e dhëna nga ambasada tailandeze në Vientiane.
Televizioni tailandez shfaqi një foto të aeroplanit të zhytur pjesërisht në ujërat e cekta, bishtin e saj të këputur pak më larg se grupet e shpëtimit që kishin ardhur me varka të vogla, bën të ditur agjencia e lajmeve “Reuters”.