Një nga urdhrat bazë të Islamit është që myslimanët ta shohin njëri-tjetrin si
vëllezër dhe të bëjnë atë që kërkon vëllazëria. “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër!..”
Pra, besimtarët nuk janë gjë tjetër përveçse vëllezër dhe për rrjedhojë, duhet të sillen si vëllezër me njëri-tjetrin. Ndërsa Profeti (a.s.), ka thënë: “Nuk do të keni besuar (plotësisht), pa dëshiruar për vëllain tuaj atë që dëshironi për veten!”
Po ashtu, në një hadith tjetër Profeti (a.s.), shprehet:
“Betohem në Allahun që e ka në dorë jetën time se, nëse nuk besoni, nuk do të hyni në Xhenet dhe pa e dashur njëri-tjetrin nuk do të besoni.”
Allahu i madhëruar e përcakton në këtë mënyrë qëndrimin e myslimanëve ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj mohuesve të fesë: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre...”
Ndërsa Rasulullahu (a.s.), qëndrimin e besimtarëve ndaj njëri-tjetrit, e përshkruan në këtë mënyrë: “Besimtarët në dashuri, në mëshirë dhe në dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, janë si shembulli i trupit, i cili kur i shqetësohet një prej organeve, edhe organet e tjera ndjejnë shqetësim dhe temperaturë.”
Nuk duhet të ndahesh kurrë prej xhematit
“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj!..”
Profeti ynë (a.s.), personin që ndahet prej xhematit, e ka konsideruar sikur të ketë dalë prej Islamit:
“Kush ndahet një pëllëmbë prej xhematit islam, është sikur ta ketë hequr e ta ketë hedhur veshjen islame.”
“Kush ndahet qoftë edhe një pëllëmbë prej xhematit, është ndarë prej Islamit.”
“Kush ndahet prej xhematit dhe nuk pranon të bindet, ai do të takohet me Allahun pa pasur asnjë vlerë tek Ai.”
Ndihma e Allahut është në xhemat
Është e domosdoshme të ruhesh prej çdo veprimi që do ta shkatërronte unitetin dhe bashkimin. Dihet se herë pas here, në mënyrë të veçantë të rinjtë, bëhen pjesë e grupeve dhe rrymave të gabuara. Me qëllim që të rinjtë të mos anojnë nga grupet dhe rrymat e gabuara, është e domosdoshme që atyre t’u jepet një edukim i mirë fetar. Në këtë pikë, një detyrë e rëndësishme bie mbi prindërit.
Nëse i shohim të rinjtë e mashtruar, vërejmë se atyre u mungon një edukim i mirëfilltë fetar. Madje, disa nuk ia kanë
fare haberin fesë. E disa të tjerë nuk dinë më tepër se disa gjëra që i kanë mësuar përmendsh.
Një gjë është e vërtetë, se pa i njohur mirë dijet në lidhje me Kuranin, nuk mund ta kuptosh atë siç duhet. Botëkuptimi i fesë tek njerëzit e tillë, i ngjan përshkrimit të elefantit në errësirë.
U morën disa të verbër dhe iu kërkua të përshkruanin elefantin duke e prekur. Ai që e prekte elefantin nga këmbëte përngjante me shtyllat, ai që e prekte nga veshët, thoshte se i ngjan gjetheve të palmës dhe ai që e
prekte prej feçke, thoshte se i ngjan zorrës.
Në të vërtetë, asgjë nuk mund të përshkruhet e plotë, nëse njeh vetëm një pjesë të saj.
Për rrjedhojë, këta të mjerë me mendje të cekët që e kuptojnë Islamin vetëm për të vrarë, nuk arrijnë ta kuptojnë kurrë se sa e çmuar është t’i shpëtosh jetën një njeriu: “Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve...”
Këtyre njerëzve që nuk kanë mundësi të lexojnë qoftë edhe një libër që tregon jetën e Profetit (a.s.), duhet t’u kujtojmë edhe faktin historik se: Gjatë luftërave që u zhvilluan nga shteti islam, i cili u zgjerua
me tre milion metër katrorë vetëm dhjetë vite pas vdekjes së Profetit (a.s.), numri i myslimanëve të rënë në luftë, ishte rreth 150, ndërsa numri i të vrarëve në radhët e armikut, nuk i kalonte 250.11
U duhet kujtuar edhe se Resulullahu (a.s.), shkonte për ngushëllim kur vdiste ndonjë jomysliman, i gostiste ata dhe e pranonte gostitjen e tyre, sillej me respekt ndaj tyre dhe madje kur në rrugë kalonte ndonjë kortezh mortor, ai ngrihej në këmbë dhe, kur e pyesnin për shkakun e kësaj, ai përgjigjej: “A nuk është edhe ai njeri?!”.
Nëse shohim sot botën islame, vërejmë se aty rrjedh vetëm gjak e lot dhe padrejtësitë s’kanë të sosur. Numri i myslimanëve që vdesin sot në një ditë të vetme, është shumë më tepër se numri i myslimanëve që vdiqën në të gjitha luftërat gjatë jetës së Profetit (a.s.). Kjo, sepse ndërmjet luftërave të Profetit (a.s.) dhe luftërave të sotme nuk ka asgjë të përbashkët veç emrit dhe mbi të gjitha sot luftojnë vëllezërit e fesë me njëri-tjetrin. Edhe ai që vritet, edhe ai që vret janë njerëz të mjerë e të mashtruar që besojnë të njëjtat vlera.
Sipas të dhënave zyrtare, në luftërat që janë zhvilluar midis viteve 1979-2010,
janë vrarë 11 milion myslimanë dhe janë gjymtuar rreth 60 milionë të tjerë.
Ndërmjet viteve 1990-2009, në botën islame janë vrarë 34.906 punonjës shteti,
127.000 biznesmenë dhe 2.411 lider.
Shumica e këtyre vrasjeve ka ndodhur prej dorës së vëllezërve të fesë. Edhe i vrari pretendon se ka vdekur në emër të Allahut, edhe vrasësi pretendon
se ka vrarë në emër të Allahut. Mirëpo, Profeti ynë (a.s.), ka thënë: “Nëse dy myslimanë ngrenë shpatat kundër njëri-tjetrit, edhe i vrari, edhe vrasësi janë në Xhehenem.”
Ndërsa Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“...Mos t’ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, pra, kurrsesi të mos ju nxisë që t’i sulmoni! Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!..”
Megjithëse besimtarët në të katër anët e botës luten për bashkimin e myslimanëve dhe ndalimin e gjakut, ende nuk është gjetur një zgjidhje, sepse lutjet po bëhen vetëm me gojë dhe nuk po vihen në jetë.
Mbi të gjitha, çdo mysliman i bie çanakut më vete dhe të gjithë po garojnë me njëri-tjetrin në smirë, intolerancë, zili, mendjemadhësi dhe për çmim.
Njëherë, Profeti ynë (a.s.), tha: “Umetit tim do t’i ngjiten sëmundjet e umeteve (të mëhershme)”.
Kur sahabët e pyetën: “Cilat do të jenë sëmundjet e umetit?”, ai u përgjigj: “Teprimi, lazdrimi, mburrja dhe garimi me njëri-tjetrin në lidhje me këtë botë, largimi ndaj njëri-tjetrit dhe smira. Kështu që do të shfaqen padrejtësitë dhe anarkia.” Mirëpo, Allahu ndihmon grupet që janë të bashkuar. “Dora e Allahut, është mbi xhematin.” “Në xhemat ka mëshirë, në ndarje ka dënim.”
Një nga veprimet më të rëndësishme që e prish bashkimin dhe unitetin midis myslimanëve, është klanizmi si në aspektin individual, ashtu edhe në atë shoqëror.
Elementi më i rëndësishëm që e prish vëllazërinë islame, është klanizmi
Një nga ndikuesit më të rëndësishëm që e prish bashkimin dhe unitetin mes myslimanëve, është klanizmi ose tribalizmi. Klanizëm, do të thotë të mbrosh klanin apo fisin tënd qoftë edhe në padrejtësi, të mburresh me prejardhjen, të pretendosh epërsinë e racës tënde, t’i urresh dhe t’i përçmosh ata që nuk janë prej fisit apo klanit tënd.
“Kush ushqen ndjenja klanizmi, nuk është prej nesh; edhe ai që lufton për shkak të klanizmit nuk është prej nesh; po ashtu edhe ata që vdesin për hir të klanizmit nuk janë prej nesh.”
Ajo që duhet të bëhet, është t’u japim fëmijëve tanë një edukim të mirë fetar, të rishikojmë vëllazërinë islame nën dritën e Kuranit dhe Sunetit, të zbatojmë urdhrat e këtyre burimeve kryesore të Islamit dhe të mos kaplohemi nga ndjenjat e kota të klanizmit.