"URIME NATA E BEKUAR E BERATIT"
Vlera e kësaj nate mubarek.
Përveç emrit Beraet, kjo natë ka emrat: Nata e Begatë, Nata e Pafajsisë, sepse nëse vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për të dalë i pastër nga gjynahet dhe gabimet. Kjo natë quhet edhe “Sak”, dekret shpëtimi. Gjithashtu mban emrin Nata e Mëshirës meqë njerëzit përfitojnë nga mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut (xh.sh.).
Rreth vlerës dhe begatisë së natës së Beraetit po i drejtohemi hadithit të profetit Muhamed (a.s.): “Kalojeni natën e gjysmës së muajit Shaban me namaz, kurse ditën, me agjërim! Atë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartë zbret në qiellin e tokës dhe na bën zë kështu: “A s’ka ndonjë që kërkon falje, ta fal; a s’ka ndonjë që kërkon pjesë, t’i jap; a s’ka ndonjë që kërkon shërim, ta shëroj?”, dhe vazhdon kështu deri në mëngjes” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191).
Një tjetër rëndësi që i jepet kësaj nate është mendimi i disa dijetarëve, të cilët pranojnë se ndërrimi i kibles nga Mesxhidi Aksa drejt Qabes, ka ndodhur vitin e dytë të hixhretit, pikërisht në këtë natë të bekuar.
Pesë veçoritë e natës së Beraetit
Nga burimet Islame, mësojmë se Nata e Beraetit njihet për këto pesë veçori:
1– Në këtë natë bëhet ndarja dhe përzgjedhja e punëve më të rëndësishme.
2– Adhurimet që bëhen në këtë natë dhe agjërimi që mbahet ditën e nesërme, kanë vlera shumë të mëdha.
3– Është një natë e mbushur plot me mirësi hyjnore dhe me begati.
4– Është nata e faljes.
5– I është dhënë e drejta e plotë Resulullahut alejhi selam, për të bërë shefaat (ndërmjetësim për falje) për myslimanët. Muhamedi (a.s.) në natën e 13-të të muajit Shaban kërkoi shefat dhe iu dha një e treta; në natën e 14-të kërkoi përsëri shefaat dhe iu dha një e treta; në natën e 15-të (Nata e Beraetit) kërkoi përsëri dhe iu dha i plotë shefaati për ymetin e tij. Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur (Tefsiri er-Razi dhe Ebu Suud, H. Basri Çantaj).
Një hadith tjetër është formuluar kështu: “Kjo natë është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i shpëton njerëzit nga xhehenemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që ushqejnë urrejtje dhe armiqësi, të atyre që shkëpusin marrëdhëniet me të afërmit, të atyre që mburren dhe që janë mëndjemëdhenj, të atyre që nuk u binden nënës dhe babait dhe, të atyre që vazhdojnë pirjen e alkoolit” (Buhari, et-Tergib ve’t-Terhib, II, 118).
Siç shihet, Allahu i Lartë e ka nderuar këtë natë me mëshirë, mirësi dhe begati, për të falur ata njerëz që drejtohen nga rruga e Tij, duke kërkuar me sinqeritet dhe me lot në sy falje për mëkatet e bëra. Ai (xh.sh.) i thërret robtë për t’i rishikuar edhe një herë punët dhe veprat e tyre, në mënyrë që t’i minimizojnë dhe mos të përsërisin në të ardhmen fajet dhe gabimet e së shkuarës. Nga ana tjetër edhe i dërguari i Allahut i përgjërohet Zotit për ndërmjetësim të plotë ndaj ymetit të tij.
E ajo që na mbetet ne si besimtarë, është ta shfrytëzojmë këtë natë, këtë rast e sidomos ta lusim Allahun për këto netë të veshtira për shkak të ballafaqimit tonë me COVID-19, e të shfrytezojme mundesinë që na dhurohet nga Krijuesi ynë në mënyrën më të hijshme, ashtu siç i shkon një myslimani të vërtetë i cili din dhe si t'i lutet Zotit të Tij.