Njeriu i përkryer pajiset me një moral dhe natyrë aq të përkryer, saqë, përveçse për Allahun, për asgjë dhe me askënd nuk nxehet, nuk ankohet.
Isai (a.s.) hasi në një person me njolla në trup dhe me tëmthat të rëna.
Duke i shpërfillur sëmundjet nga të cilat vuante dhe që, me sa dukej, ishin të shumta, ai thoshte: “O Zot! Falënderime të pafund Ty që më ke shpëtuar nga mjerimi që i ka zënë shumicën e njerëzve!..”
Për ta hetuar cilësinë dhe pjekurinë e mendimit të atij njeriu, Isai (a.s.) e pyeti:
“O njeri! E nga ç’mjerim mund të të ketë shpëtuar Zoti ty?”
I sëmuri iu përgjigj:
“O shpirt i Zotit! Sëmundja dhe mjerimi më paralizues është shkujdesja e zemrës dhe shkëputja e saj nga Zoti! Lavdi pastë Zoti që më ka ruajtur nga kjo! Sepse unë jam i kënaqur me shijen dhe gëzimin e njohjes dhe afërsisë hyjnore që Zoti m’ia ka falur zemrës!
Njeriu i përkryer është, në pamje, si një i vetmuar a i varfër, por, në botën e ndjenjave ai mbretëron në pallate të tilla madhështore, rri ulur në frone të tilla të stolisura që, në sytë e tij, bota s’është gjë tjetër veçse një lojë e luajtur në rërë. Për rrjedhojë, ai s’kërkon gjë prej botës e prej njerëzve!
Në të gjitha punët ai vepron me maturi.
Edhe në adhurimet ai ndjek rrugën më të dobishme.
Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:
“Unë jam, ndër ju, më i maturi dhe ai që e ka frikë më shumë Allahun. Unë, disa herë agjëroj e, disa herë, s’agjëroj, disa herë fal namaz nafile e, disa herë s’fal. Unë pushoj. Unë martohem.” (Buhari, Nikah, 1; Muslim, Nikah, 5)
Kalifi Omer bin Abdulaziz ua pati shpërndarë pasurinë e tij e të familjes duke e marrë edhe pëlqimin e tyre, nevojtarëve, të vetmuarve e jetimëve, duke u bërë shembull për nënshtetasit e vet si dhe për të pasurit e tjerë.
Si rrjedhojë, në kohën e tij pati ardhur puna të mos gjendej njeri për t’i dhënë zeqat! Omer bin Abdylazizi pati shkuar edhe më tej duke e braktisur pa- llatin perandorak për të jetuar në një çadër!
Edhe nëse njeriu i përsosur disa herë dënohet nga të tjerët për nënvleftësimin e jetesës dhe kënaqësive materiale, ai ndodhet në një pozitë të lartë moralo-shpirtërore që, në të vërtetë, kihet zili nga të gjithë.
Duke e përjetuar të vërtetën e këtij ajeti, Hz. Xhaferi e pati falur shërbëtorin që i pati derdhur gjellën sipër dhe i pati bërë të mira të tjera. Kurse Hz. Hasan Basriu i falte ata që e përfolnin dhe I edukonte duke u dërguar dhurata!
Njeriu i përkryer është thesari i enigmave hyjnore. Vetëm ata që janë konfidentë të enigmës hyjnore e njohin përkryerjen e tij. Sepse ai nuk ka ndryshim nga njerëzit e tjerë si kurm, por, si zemër,është ndër robtë që Zoti i ka bërë bujarë. Ai është pasqyrë reflektuese e “krijimit të bukur”.
Zemra, ndjenjat e njeriut të përkryer nuk kalben nën tokë. Prandaj dhe veprat e tij që janë produkte të zemrës së tij, fitojnë pavdekësi.
Prandaj Allahu i Lartë, duke e çliruar njeriun e përkryer nga frika dhe hidhërimi, i ka dhuruar lumturinë e dy botëve.
Në Kur’an thuhet:
“Ta dini se për miqtë e Allahut nuk ka frikë dhe ata nuk do të mbeten të dëshpëruar...” (Junus, 62)
Poeti Junus Emre Fletë kështu ,dollapin e drunjtë të mjerë:
Mua më quajnë dollap i mjerë,
Uji më rrjedh paprerë, paprerë,
Zoti kështu paska thënë një herë;
E kam një hall pra rënkoj!
Më morën në mal si një pemë,
Pastaj duar e krahë m’i prenë
Dhe deshën si dollap të më kenë;
E kam një hall pra rënkoj!
Një dru i rritur në mal unë jam,
As i ëmbël, as i hidhur jam;
I shtënë pas Zotit tim jam;
E kam një hall pra rënkoj!
Dervish Junusi rënkon e qan,
Loti i syrit gjynahet i lan;
I dashuruar pas Zotit jam;
E kam një hall pra rënkoj!
A s’merret mësim nga kjo,që sa e sa njerëz të cilët,megjithëse të krijuar me fytyrë e pamje njeriu e të pajisur me nderin dhe dinjitetin njerëzor të mbeten më të pandjeshëm se gurët e më të privuar se drurët për shkak se nuk arrijnë ta kuptojnë thelbin dhe të vërtetën njerëzore!
Kaq është e qartë se çdo njeri i ftuar nga Allahu në audiencën e Tij, e di se kjo botë është një urëkalim që duhet përshkuar me nder dhe dinjitet. Ai nuk ua lëshon veten shijeve mashtruese të kësaj bote, pasioneve që e thyejnë dinjitetin njerëzor. Ai bëhet udhëzues e pishtar i synimit drejt afërsisë dhe dashurisë hyjnore!
Vetëm personat me sytë e zemrës të verbuara dhe veshët e zemrës të zëna ndaj enigmave hyjnore nuk munden të besojnë e nuk munden ta kuptojnë si mund të flasë një dru apo një send çfarëdo e të tregojë të vërteta të panjohura!
Zoti ynë mos na ndaftë nga klima e begatë e miqve të Tij, me të mirat shpirtërore të të cilëve jemi rritur dhe edukuar!
Amin, ashtu qoftë!
Mundësoi: Bujamin Salija
Shkëputur ky materialë nga Libri: Nga lulishtja e zemrës:
"ENIGMA E DASHURISE PER ALLAHUN DHE PROFETIN"
Autorë: OSMAN NURI TOPBASH