“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.” (Nahl, 97)
Dhimbjet dhe mërzia, stresi dhe ankthi, preokupimet dhe shqetësimet, problemet dhe vuajtjet, shkaktojnë trishtim dhe humbje shprese tek njeriu. Për fat të keq, shumë njerëz mendojnë se e gjithë jeta është e mbushur me probleme të tilla. Sa herë që flas mbi lumturinë në këtë botë, befasohem me një numër të madh mesazhesh në facebook dhe në postën elektronike, nga të rinj dhe të reja që më thonë: “E ku ka lumturi në këtë botë o profesor Amr?! Unë këtë e them nga përvoja ime” dhe vazhdojnë të rrëfejnë hallet dhe problemet e tyre.
Ashtu siç u kam thënë në përgjigjet e mia, e them dhe tani: Kjo nuk është e vërtetë. E kush paska thënë se jeta në këtë botë duhet të jetë e tillë?! Është e vërtetë që lumturia e plotë dhe e përsosur gjendet vetëm në xhenet. Po përse u dashka që lumturinë relative t’ia mohojmë vetes në këtë botë?! Këtë ide e përforcon vetëm Zoti në një ajet të Kuranit ku thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.” (Nahl, 97)
Në këtë ajet, Zoti ka vënë theksin edhe te femrat, pasi shumë prej tyre e shohin jetën vetëm me syze të zeza. Shumë prej tyre vuajnë, u ka kaluar mosha e martesës, shumë prej tyre kanë probleme në jetën bashkëshortore, dhunohen e divorcohen dhe mendojnë se vuajtjet nuk do t’u ndahen.
Ajeti i mësipërm nuk flet për xhenetin, por për jetën e kësaj bote. Në interpretimin e “jetës së bukur” të cituar në ajet, gjejmë se nuk është e thënë që kjo jetë e bukur të mos ketë vështirësitë e saj. Jo, ajo ka problemet dhe vështirësitë e veta, por në vija të përgjithshme është jetë e qetë.
Nëse ke qetësi shpirtërore, dije se ke shpirt të ngjashëm me lindjen e diellit. Dil një ditë në mëngjes dhe shikoje lindjen e diellit. Pastaj shihe veten tënde dhe bëj pyetjen: Po unë, a jam i qetë? A i ngjaj kësaj lindjeje?
Kur shkon të flesh natën, a të zë gjumi menjëherë? Po kur zgjohesh në mëngjes, a zgjohesh turivarur dhe nervoz? Apo je gjithë humor e gaz? Gjatë krizës ekonomike që përfshiu bursat dhe ekonomitë më kryesore, a ndiheshe i trazuar dhe i frikësuar?
A e di se çfarë ndodh kur njeriu e humbet qetësinë shpirtërore? Për këtë, do të sjell historinë e një zonje. I shoqi i saj ishte tregtar armësh. Tregtia e tij fokusohej kryesisht në vende ku kishte shpërthyer lufta civile. Ai i furnizonte me armë të dyja palët që ishin në konflikt dhe sa herë që kishte shkëndija paqeje dhe armëpushimi, ai bënte çmos që lufta të fillonte sërish, me qëllim që të garantonte shitjen e armëve. E shoqja e dinte diçka të tillë dhe filloi të ndihej e shqetësuar. Ajo ndjente se shpirtrat e njerëzve që ishin vrarë nga armët e të shoqit, e ndiqnin çdo natë. Për t’u shpëtuar, ajo vendosi të mos dalë fare nga shtëpia. Duke qenë se ishin shumë të pasur, ajo i kërkoi të shoqit të ndërtonte një pallat me pesëqind dhoma gjumi. Kjo, pasi donte të flinte çdo ditë në një dhomë të re gjumi, me qëllim që të shmangte shpirtrat e të vrarëve. Me gjithë pasurinë e madhe që kishin, ajo nuk ndihej e qetë. Kjo gjendje vazhdoi derisa në fund vdiq në krevatin e saj, por jo nga shpirtrat e vdekur. Pallati i saj me pesëqind dhoma tashmë është shndërruar në muze dhe unë e kam vizituar.
Le ta bëjmë jetën tonë më të lumtur, duke ndjekur pishtarët dhe shkëndijat e dritës të profetit Muhamed (a.s.). Në Kuranin famëlartë, Profeti (a.s.) përshkruhet gjithmonë si dritë. Thotë Zoti në Kuran: “Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani).” (Maide, 15)
“Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Araf, 157)
Prandaj lexoji hadithet e tij si drita të cilat të ndriçojnë udhën në jetë. Tregon Rebia ibn Kab El-eslemij, i cili ishte një i ri gjashtëmbëdhjetë vjeçar: “Flija pranë derës së Profetit (a.s.) dhe e dëgjoja të citonte teksa falej natën në ruku: “Ndaj Teje është përkushtuar dëgjimi im, shikimi im, truri im, eshtrat e mia dhe palca” dhe i përsëriste derisa unë qetësohesha dhe më zinte gjumi.”
Sot ka të rinj, të cilët i zë gjumi duke ndjekur ndeshjet e futbollit, disa i zë gjumi mbi kompjuterin portativ, disa i zë në makinë, disa me telekomandë në dorë duke kaluar nga një kanal në tjetrin, disa me telefon në vesh, kurse disa të tjerë flenë duke dëgjuar: “Ndaj Teje është përkushtuar dëgjimi im, shikimi im, truri im, eshtrat e mia dhe palca.”
Tregon Rebia: “Një herë, Profeti (a.s.) u nis të dalë jashtë dhe më gjeti të shtrirë tek dera. Ai më tha: “Më kërko ç’të duash o Rebia, pasi çfarëdo të më kërkosh, do ta jap.” Unë i thashë i habitur: “O i dërguari i Allahut! Gjithçka që do ta kërkoj do të ma japësh?!” Profeti (a.s.) m’u përgjigj: “Po.” Unë i thashë: “O i dërguari i Allahut! Kjo është diçka me peshë dhe më nevojitet kohë që të mendohem mirë.” Unë vazhdova të mendohem dhe kur vendosa, shkova te Profeti (a.s.) i cili më pyeti: “A u mendove mirë o Rebia?” Unë iu përgjigja: “Po o i dërguari i Allahut.” Ai më pyeti: “Hë, çfarë do kërkosh?” Unë i thashë: “Kërkoj të jem në shoqërinë tënde në xhenet.” Profeti (a.s.) më pyeti: “Kush ta mësoi këtë o Rebia?!” Unë iu përgjigja: “Vetë o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) më tha: “A dëshiron diçka tjetër o Rebia?” Unë iu përgjigja: “Jo o i dërguari i Allahut. Nuk dua gjë tjetër.” Profeti (a.s.) më tha: “O Rebia! A me të vërtetë dëshiron të jesh shoqëruesi im në xhenet?!” Unë iu përgjigja: “Po o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) më tha: “Atëherë më ndihmo në luftën kundër nefsit tënd me
të shumta.”
Bëj shumë
për Zotin derisa ta mposhtësh nefsin, ta orientosh atë drejt Zotit dhe të ndihesh i qetë. Atëherë mund të fitosh xhenetin në botën tjetër dhe do të kesh fatin të jesh në shoqërinë time atje.
Meqë ne kemi provuar shumë gjëra në jetë në kërkim të lumturisë, përse të mos provojmë dhe qetësinë shpirtërore, të cilën ta fal lidhja me Zotin?
Vallë sa prej nesh e njohin veten e tyre, ashtu siç njohin modelin e makinës, markën e celularit dhe të orës që blejnë? Një nga fatkeqësitë më të mëdha për njeriun, është të mos njohë veten. Por ka edhe më keq, kur dikush tjetër të njeh më mirë se ç’njeh ti veten dhe të përdor për interesat e tij. Është njëlloj sikur ti të mos e dish kodin e telefonit, ndërkohë që një nga shokët e tu e di. Ai kryen telefonata me telefonin tënd, kurse faturat e majme të vijnë ty, edhe pse nuk e ke përdorur fare. Nëse kjo është e hidhur me një telefon celular, çfarë mund të themi për jetën dhe veten tonë?
Llojet e vetes (nefsit)
Në Kuran, ceken tre lloje veteje (nefsi-bota e brendshme e njeriut) dhe çdo njeri hyn tek një nga këto lloje. Lidhur me llojin e parë, është nefsi i mbushur me ligësi.
“Unë nuk e shfajësoj veten, sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqen, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” (Jusuf, 53)
Në këtë kategori, hyjnë ata njerëz të cilët epshi u kontrollon mendjen dhe arsyen. Sa herë që ai vihet të zgjedhë mes arsyes dhe epshit, ai zgjedh këtë të fundit. Shembull tipik për këtë është gruaja e Azizit të Egjiptit, e cila nuk e përmbajti dot epshin, por filloi të joshë Jusufin (a.s.). Zoti thotë në Kuran: “Por ajo në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi t'a joshë në kundërshtim me dëshirën e tij.” (Jusuf, 23)
Cilësia e dytë është se e liga e mposht gjithmonë të mirën e këtij njeriu. Shembulli i gruas së Azizit vlen dhe për këtë cilësi, pasi përveçse e joshi Jusufin (a.s.), edhe e akuzoi për tentativë çnderimi, duke demonstruar një moral shumë të ulët. Zoti thotë në Kuran: “Ajo tha: “Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate, përveç burgosjes apo dënimit të dhembshëm?” (Jusuf, 25)
Sa herë që vihet në peshore urrejtja, zilia dhe smira, me dashamirësinë dhe butësinë, ai zgjedh urrejtjen dhe smirën.
Cilësia e tretë është se moralet e këqija, dominojnë mbi ato të mirat. Dije o vëlla dhe o motër se nëse i keni këto tre cilësi, keni një botë të brendshme të mbushur me ligësi.
“Por, nëse ai nuk bën atë që e urdhëroj unë, me siguri që do të burgoset dhe do të poshtërohet”. (Jusuf, 32)
Bazuar mbi ligësinë e nefsit, Profeti (a.s.) na mëson që kur të çelim një fjalë, ta nisim me lutjen: “Me të vërtetë që falenderimet i përkasin Zotit, Atë e falenderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. E lusim Zotin të na ruajë nga e liga e nefseve tona...”
Lloji i dytë është shpirti qortues. Thotë Zoti në Kuran: “Betohem në Ditën e Kiametit! Betohem në shpirtin qortues!” (Kijame, 1-2)
Në këtë kategori hyjnë ata njerëz të pavendosur dhe të lëkundur, herë me gjynahe dhe herë me pendime dhe vepra të mira. Njerëz të tillë bëjnë gjynahe, pastaj pendohen, qajnë nga dhimbja që u ka lënë pas gjynahu, premtojnë se nuk do ta bëjnë më sërish, por nuk e mbajnë dot veten. Aspekti pozitiv i kësaj kategorie është se kanë ndërgjegje të zgjuar dhe të ndjeshme sa herë që veprojnë një gjynah. Vetë Zoti betohet në këtë nefs dhe në një ajet më lart, i kujton dhe Ditën e Kiametit.
Lloji i tretë është nefsi (shpirti) i qetë
Ai është quajtur i qetë, pasi e ka të qartë hartën e lumturisë. Zoti thotë në Kuran:
“O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” (Fexhr, 27-30)
Ky është shpirti dhe nefsi, të cilin duhet të synojmë. Ai është një shpirt dhe nefs i ndriçuar, që e sheh të qartë rrugën që ka para. Ai është një shpirt i qetë, pasi ndërkohë që të gjithë janë të trazuar dhe të lëkundur, ai është i stabilizuar. Me gjithë shkatërrimet përreth, krizën ekonomike, gripin e derrave, përmbytjet e shumta etj... një shpirt i tillë ndihet i stabilizuar dhe i qetë. Kjo qetësi nuk i vjen nga hiçi, por e ka burimin tek besimi dhe siguria që ka te Zoti i lartësuar.
Po ti o vëlla dhe oj motër, cilit lloj i përket? A e keni të mundur të vetëdiagnostifikoheni?
Ka njerëz që brenda një dite e shohin veten tek të tria këto lloje. Me t’u ngritur në mëngjes, ai është kritikues, në drekë është i qetë, kurse në darkë me të rënë perdet, fillon ligësitë dhe gjynahet. Ka njerëz të tjerë, të cilët gjysmën e jetës e kalojnë me një shpirt të qetë, kurse pjesën e dytë e damkosin si shpirt i ligë.
Transmeton imam Buhariu, se Ebu Bekri ka thënë: “Ndodheshim me të dërguarin e Zotit (a.s.) i cili njëherë kohë bëri një vijë të drejtë në tokë. Pastaj, bëri disa vija të lakuara majtas dhe djathtas. Pastaj, duke shënuar vijën e drejtë na tha: “Kjo është udha e drejtë e Zotit. Kurse për sa u përket këtyre të tjerave – vijave të lakuara – në fillim të secilës prej tyre ndodhet një shejtan që fton drejt zjarrit.”
Ky hadith, sikur na drejtohet dhe na thotë: Po ti, cilën rrugë ke zgjedhur? Secila nga rrugët e lakuara, përfaqëson një greminë, fundi i së cilës është zjarri. Po re në fund, nuk do të mund të dalësh më. Kurse udha e drejtë, përfaqëson veten dhe shpirtin e qetë. Cilën nga këto dy rrugë ke vendosur të zgjedhësh ti o vëlla dhe oj motër? Nëse ke zgjedhur udhën e drejtë, ke garantuar qetësinë shpirtërore dhe do të jetosh i qetë.
Me qëllim që të jetosh i qetë dhe të garantosh qetësinë shpirtërore, secili prej nesh duhet të bëjë katër gjëra dhe kështu do të realizojë premtimin e Zotit në Kuran për një jetë të bukur.
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)
Modele njerëzish me qetësi shpirtërore
Një nga brezi i tabi’inëve, tregon: “Në fillimet e mia, jetoja një jetë larg ligjeve dhe dispozitave të Zotit, i humbur mes udhëve të lakuara. Një vit, në vend kishte pllakosur zia e bukës dhe njerëzit nuk kishin me ç’të ushqeheshin. Ndodhesha në Pazar bashkë me shumë njerëz të vuajtur dhe të uritur. Në një çast, vjen një skllav, i cili dukej i lumtur dhe i gëzuar. Kjo më revoltoi dhe menjëherë i thashë: “Si qeshke ti ndërkohë që të gjithë vuajmë nga uria?! Si guxon e qesh, kurse ne të gjithë po vdesim për të ngrënë?!” Skllavi më pa në sy dhe më tha: “E përse u dashka të shqetësohem?! Unë jam skllav i një padroni që ka magazina me ushqime, burime uji etj... Përse duhet të hidhërohem?!”
Në atë çast, mua me erdhi një ide në kokë dhe me vete thashë: “Nëse ky skllav nuk shqetësohet për urinë, sepse ka një padron që zotëroka magazina me ushqime, po unë përse të shqetësohem, ndërkohë që kam një Zot që posedon gjithçka në qiej dhe në tokë?! Përse të mos ndihem i qetë?!” Që atë ditë u pendova dhe ndoqa udhën e Zotit të lartësuar.
Zoti thotë në Kuran: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Al Imran, 26)
Përse duhet të stresohesh o vëlla dhe oj motër, ndërkohë që jeni robër të Allahut fuqiplotë, në dorën e të Cilit gjendet gjithçka në qiej dhe në tokë? Ibrahimi (a.s.) kur e përshkruante Zotin të cilit i besonte, thoshte: “i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë; dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit!” (Shuara, 79-82)
Nëse e gjithë dynjaja përmbyset dhe çrregullohet, një shpirt i qetë as që e humbet qetësinë që e karakterizon.
Ndërkohë që e gjithë bota po komplotonte kundër Profetit (a.s.), kurejshët nuk linin gur pa lëvizur për ta eliminuar dhe xhaxhai i tij Ebu Talibi i pohonte se nuk mund ta mbronte më, Profeti (a.s.) pohonte me vendosmëri: “Për Zotin o xhaxhai im! Nëse do më vinin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën, nuk do të heq dorë, derisa të triumfoj ose të vdes në krye të kësaj çështjeje.”
A mund të kesh dhe ti një vendosmëri dhe qetësi shpirtërore të tillë në çështjen të cilës i beson?
Shembulli i radhës është i një të riu tetëmbëdhjetë vjeçar, që quhej Harithe. Atë e pyet një ditë Profeti (a.s.): “Si u gdhive o Harithe?” “Jam gdhirë besimtar i vërtetë, o i dërguar i Allahut”- ia kthen.
Profeti (a.s.) e pyet përsëri: “O Harithe, mendoje atë që thua, pasi çdo fjalë e ka një të vërtetë, po besimin tënd me çfarë e vërteton?”
“O i dërguari i Allahut – i përgjigjet - më duket sikur e shoh Arshin e Allahut me sy dhe sikur shoh banorët e xhenetit, duke u kënaqur në xhenet dhe banorët e zjarrit duke vuajtur brenda tij. Prej kësaj hoqa dorë nga të mirat e kësaj bote, duke e kaluar natën me namaz dhe ditën me agjërim.
“Meqë e ditke, atëherë mos iu ndaj o Harithe”- ia ktheu Profeti (a.s.).
Ai ishte një i ri, të cilit Zoti ia kishte ndriçuar zemrën me dritën e besimit.
Abdullah ibnu Hudhafe, një nga shokët e profetit Muhamed (a.s.), ishte rritur dhe edukuar me qetësi shpirtërore. Ai u kap rob nga bizantinët, bashkë me disa shokë të tjerë. Komandanti bizantin, bëri disa tentativa që ta thyejë dhe të nxjerrë në pah tranzicionin e tij shpirtëror, por dështoi. Fillimisht, ai e lidhi në një pemë dhe i urdhëroi ushtarët të hidhnin shigjeta drejt tij, por pa e goditur. Abdullahu nuk lëvizte fare dhe nuk tregonte shenja frike dhe dëshpërimi. Komandanti mori dy nga shokët e Abdullahut dhe i hodhi të gjallë në një kazan me vaj të nxehtë. Ai i kërkoi të braktiste fenë Islame, në këmbim të faljes së jetës, por Abdullahu sërish refuzoi. Kur e afruan pranë kazanit me vaj të nxehtë, Abdullahut i rrodhën disa pika lot. Kjo e gëzoi komandantin bizantin, pasi mendoi se e kishte rrënuar qetësinë shpirtërore, e cila e kishte karakterizuar gjer atëherë. Duke qeshur me ironi, ai i tha: “Përse qan? Apo je gati që tani ta braktisësh fenë tënde, në këmbim të jetës?”
Abdullahu iu përgjigj: “Jo, unë qava pasi kam vetëm një shpirt të vetëm, të cilin do ta jap për hatër të Zotit. Do të doja që të kisha shpirtra aq sa kam qime në trup dhe të gjithë t’i jepja për hatër të Zotit.”
A ke një shpirt kaq të qetë edhe ti o vëlla dhe oj motër? A keni shpirt të qetë siç kishte Ibnu Tejmije kur thoshte kur e burgosën: “E çfarë do të më bëjnë mua armiqtë? Nëse më vrasin, vdes si shehid. Nëse më burgosin, më japin mundësinë të jem vetëm me Zotin. Nëse më dëbojnë nga vendlindja, më shërben si shëtitje. Xheneti im i vërtetë është në zemrën time, kudo që shkoj e kam me vete.”
Një i ditur thotë: “Në dynja ekziston një xhenet, kush nuk e shijon atë, nuk e shijon xhenetin e ahiretit. Ai xhenet është njohja e Zotit, dashuria për Të dhe qetësia shpirtërore.”
Padyshim që ka njerëz që duan të përjetojnë çaste gjatë të cilave ndihesh sikur ndodhesh në xhenet dhe të thonë: “Për Zotin, nëse banorët e xhenetit ndihen siç ndihem unë tani, do t’u mjaftonte.”
Ka njerëz, të cilëve jeta u ngjan me një luginë të thellë dhe plot rreziqe, nga e cila nuk dinë si të dalin. Ndërkohë ka të tjerë që u duket sikur janë në një fushë dhe e kanë të qartë destinacionin.
Një ditë, dy të rinj bënë aksident me makinë dhe të dy ndërruan jetë. Të dy u përkisnin familjeve të ndryshme. Nëna e njërit qante, vajtonte, çirrej dhe ankohej përse i kishte ndodhur kjo gjëmë dhe ky kob i zi. Kurse nëna e tjetrit lotonte dhe e buzëqeshur thoshte: “Elhamdulilah, një pjesë e imja më parapriu në xhenet.”
Kur mori vesh një miku im se pas analizave të shumta e shoqja ishte e sëmurë me kancer dhe se kishte vetëm gjashtë muaj jetë, më kërkoi që t’i flas dhe t’i jap zemër. Unë fillova t’i jap zemër dhe ta inkurajoj, por ajo ma ktheu me qetësinë më të madhe: “Elhamdulilah. Unë jam më mirë se shumë njerëz të tjerë të lodhur e të munduar. Kjo nuk është veçse diçka e vogël në krahasim me të mirat e Zotit.” Në fakt, ishte ajo që më dha zemër mua.”
Profeti (a.s.) thotë: “Ata njerëz që mblidhen në një nga shtëpitë e Zotit (xhamitë), lexojnë Kur’an dhe e mësojnë me njëri – tjetrin, do t’u jepet qetësia shpirtërore, do t’i rrethojnë melekët, do t’i përfshijë mëshira e Zotit dhe do t’i përmendë Zoti tek banorët e qiellit.”
Nëse kërkon të jetosh i lumtur në këtë botë, fillimisht duhet ta njohësh mirë veten tënde, pastaj të bësh çmos që të kesh qetësi shpirtërore. Ti duhet ta fusësh veten tek një nga kategoritë që kemi përmendur më lart. Për këtë, të ndihmon shumë qëndrimi vetëm, ecja vetëm në një vend të qetë dhe pyetja: Cilës kategorie i përkas unë? Qëndro vetëm qoftë dhe një orë në javë. Mos u mashtro nga idetë se ritmi i jetës është i shpejtë dhe nuk ke kohë të qëndrosh vetëm. Mos u bëj si dikush që ishte nisur me makinë drejt një qyteti të largët dhe kur i thanë mbushe makinën me karburant, u tha: “Jo se nxitoj.” Dhe në mes të rrugës makina u ndal, pasi iu sos karburanti.
Për shkak se nxitojnë dhe nuk mbushen me energji, shumë njerëz kanë humbur rrugën në luginat e kësaj bote. Pasi të përfundosh së lexuari këtë temë, gjej një vend të paqtë dhe ulu me veten që të zbulosh se cilës prej tre kategorive i përket. Por mos u mashtro dhe të besosh se gëzon qetësi shpirtërore, ndërkohë që ndodh e kundërta.
Një nga shokët e Profetit (a.s.), Vasibe, tregon: “Një ditë ndodhesha në xhami dhe u nisa drejt të dërguarit të Zotit (a.s.) që ta pyes mbi të mirën dhe të ligën. Unë fillova të kapërcej rreshtat e njerëzve drejt Profetit (a.s.) dhe disa më thoshin: “Largohu nga i dërguari i Zotit, o Vasibe!” Unë ua ktheja: “Më lini rehat! Nuk ka njeri që zemra ime ta dojë më fort se atë.” Kur më pa Profeti (a.s.), ma bëri me shenjë dhe më tha: “Afrohu o Vasibe!” Unë u ula dhe gjunjët e mi prekën gjunjët e Profetit (a.s.). I dërguari i Allahut më tha: “O Vasibe! A të të tregoj se përse ke ardhur?” Unë iu përgjigja: “Po, o i dërguari i Allahut!” Ai tha: “Ke ardhur të pyesësh mbi të mirën dhe të ligën.” Unë i thashë: “Ashtu është, o i dërguari i Allahut.” Mandej, Profeti (a.s.) i bashkoi tre gishtat dhe duke më cytur në kraharor drejt zemrës, më tha: “O Vasibe! E mira është ajo me të cilën ndihet e paqtë vetja dhe qetësohet zemra. Kurse e liga është gjithçka që të ngushton kraharorin dhe nuk e lë ndërgjegjen të qetë. O Vasibe! E mira gjendet këtu – në kraharor - sado mendime të ndryshme të japin njerëzit.”
Katër gjërat që të garantojnë qetësinë shpirtërore janë:
1 – Përkujtimi i shpeshtë i Zotit, sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Nëse të ndihmon, merr një palë tespihe dhe çdo ditë bëj sa më shumë tesbih, la ilahe il-lallah,
, estagfirullah etj... Është një premtim i Allahut të lartësuar, që kushdo që përmend shpesh Zotin, siguron qetësi shpirtërore. Zoti thotë në Kuran:
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Rad, 28)
Sa herë që të shkosh të flesh gjatë Ramazanit, vendosi tespihet nën jastëk dhe sapo të shtrihesh, fillo të përkujtosh Zotin gjersa të të zërë gjumi.
Profeti (a.s.) thotë: “Ai që e kujton Zotin dhe ai që nuk e kujton, është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.”
2 – Mundoje veten, që të arrish qetësinë shpirtërore. Kjo, duke ia ndaluar vetes gjynahet dhe shkarjet. Shumë burra e gra, sot ia ndalojnë vetes shumë ushqime të shijshme, që të bien në peshë. Shumë femra e frenojnë veten para çokollatave të shijshme, që të ruajnë linjat e trupit pasi do të fejohen e martohen. Po ti, përse të mos e privosh veten nga gjynahet? Përse të mos e privosh veten nga pirja e duhanit që sot? Përse të mos zgjohesh për të falur sabahun në kohë që sot?
Që sot, cakto një ves të lig tëndin dhe vendos të shkëputesh prej tij. Nëse ti o motër nuk ke veshur akoma hixhabin, vendos që ta veshësh këto ditë të shenjta Ramazani. Nëse deri tani ke vepruar një gjynah të caktuar, që sot privoje veten prej tij.
Abdullah ibnu Mubarek thotë: “Armiku më i rrezikshëm të cilin duhet ta thyesh është nefsi yt. Nëse e thyen atë, e ke më të kollajtë të thyesh armikun e jashtëm. E nëse thyhesh para nefsit, para armiqve të tjerë do të jesh më i dobët.”
Dikush e pyeti Abdullah ibnu Umer: “Çfarë mendon lidhur me përgatitjet për luftë?” Abdullah iu përgjigj: “Fillimisht, nise luftën dhe betejën me nefsin tënd.”
3 – Shtoji veprat e mira gjatë Ramazanit. Të kesh qetësi shpirtërore, nuk do të thotë të mos rrëshqasësh dhe të mos bësh gabime. Është normale të gabojmë, pasi jemi qenie humane dhe të gabueshme. Që të kemi qetësi shpirtërore, duhet të kemi një llogari të konsiderueshme me vepra të mira.
“Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” (Hud, 114)
Një burrë në kohën e Profetit (a.s.) kishte puthur një grua të huaj dhe shkoi dhe i tregoi Profetit (a.s.) se ç’të bënte. Por Profeti (a.s.) i kthen shpinën i zemëruar. Atëherë zbriti ajeti i mësipërm. Kur e dëgjoi këtë ky njeri, i tha Profetit (a.s.): “A vetëm për mua është kjo, o i dërguari i Allahut, apo për të gjithë njerëzit?” Atëherë Profetit (a.s.) iu shpall dhe fundi i ajetit: “Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud, 114)
Abdullah ibnu Revaha vajti tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “Më këshillo, o i dërguari i Allahut!” Profeti (a.s.) i tha: “O Abdullah! Nëse ke gabuar nëntë herë, mos e humb shpresën që një herë të veprosh mirë. E mira shpërblehet me dhjetë syresh, kështu do të të pranojë Zoti i lartësuar.”
Ndihmoji të varfrit gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit, përgatit një çantë plot ushqime dhe çoja një familjeje të varfër.
4 – Bëj sa më shumë
gjatë Ramazanit. Kur Rebia kërkoi të jetë në shoqërinë e Profetit (a.s.) në xhenet, ky i fundit i tha: “Atëherë më ndihmo në luftën kundër nefsit tënd me
të shumta.”
Nëse arrin qetësinë shpirtërore, dije se do të shijosh një kënaqësi të papërshkrueshme. Betohem në Zotin që do të jetoni të lumtur, nëse keni qetësinë shpirtërore dhe besimin në Zot. Zoti thotë në Kuran:
“Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar.” (Taha, 123-124)
“Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” (Merjem, 96)
“Vërtet, punëdrejtët do të jenë në Xhenet,” (Infitar, 13)
Njerëzve të mirë dhe besimtarëve, Zoti ua bën xhenet dhe këtë botë.
Në fund, e lusim Zotin të na pajisë me qetësi shpirtërore në të dyja botët! Amin!
Sat 31 Dec 2011 - 20:24 nga Zudi Fejzuli