Shejh Jusuf Kardavi është shprehur se populli sirian do të triumfojë në fund, kundër çdo komploti i cili synon ti thyejë vullnetin dhe vendosmërinë. Sirianët – tha ai – do i nxjerrin para gjyqit të gjithë ata që orvaten ti kthejnë sërish në kohën e skllavërisë, erresirës dhe shtypjes. Ai shprehu dëshirën se kërkon të marrë pjesë në festën e fitores dhe të falet në xhaminë Omejade në Damask.
Gjatë hytbes së ditës së Xhuma, shejh Kardavi u bëri thirrje ushtarëve dhe oficerëve sirianë që të heqin dorë nga regjimi i Asad, pasi e ka humbur legjitimitetin e tij për shkak të gjakderdhjes në popull. Ai u kërkoi ti bashkangjiten popullit i cili kërkon liri, drejtësi, dinjitet dhe largim të regjimit diktatorial i cili ka 40 vite në pushtet.
Ai tha se të gjithë ata që marrin pjesë në derdhjen e gjakut të popullit sirian, do të japin llogari dhe do i përndjekë mallkimi përjetë. Njëkohësisht, ai e dënoi qëndrimin mbështetës të Rusisë, për shkak të interesave që e lidhin me shitjen e armëve. Shejhu dënoi dhe qëndrimin e dijetarëve të cilët kanë vajtur ngado ka fryrë era e regjimit, të cilit po i dridhen leqet e këmbëve për shkak të demonstratave popullore.
Kardavi e qetësoi popullin sirian me fjalët:”O vëllezërit tanë në Sirinë e dashur! Jini të qetë pasi fitorja është pranë! Bëhuni të qëndrueshëm si malet dhe mos pranoni t’ju lëkundë askush, derisa të arrini qëllimin! Zullumi kurrë nuk mund të triumfojë ndaj drejtësisë. Në dashtë Zoti, ju jeni triumfuesit e vetëm!”
Shejh Kardavi u bëri thirrje të gjithë popujve të përfshirë në Pranverën Arabe që ta mbyllin faqen e të shkuarës dhe të mos hakmerren ndaj mbështetësve të regjimit, përveç atyre që i kanë duart me gjak. Ai tha se xhihadi i vërtetë filloi me triumfin e revolucioneve. “Xhihati i paqes, është më i mirë pasi ai ndërton atë që është prishur dhe ofron zgjidhje për hallet e njerëzve.” /ardhmeriaonline/