Qeveria siriane kërkon “garanci të shkruara” nga opozita, përpara se të përmbushë kushtet e saj të armëpushimit, që parashikon tërheqjen e trupave ushtarake nga qëndrat e banuara përpara 10 prillit.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Sirisë vjen vetëm 48 orë përpara skadimit të afatit zyrtar. “I dërguari i paqes, Kofi Annan, nuk ka mundur të paraqesë ende të gjitha garancitë dhe pranimin e këtij plani prej të gjithë grupeve terroriste që veprojnë në vend”, shkruhej në deklaratë.
Ndërkohë, në fundjavë, dhuna mori një përshkallëzim të paprecedent, ndërsa autoritetet përpiqen t’i japin edhe një grusht të fundit rebelimit, përpara tërheqjes së tyre.
Të paktën 160 persona mbetën të vrarë nga bombardimet e rënda në krahinën e Idlibit dhe Alepos, ndërsa dhjetëra viktima u regjistruan në një prej lagjeve të Hamës.
Në një deklaratë të mëparshme, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Jihad Makdessi, theksoi për “Associated Press” se bindja që Damasku do të tërheqë të gjithë trupat nga qytetet kryesore është një shpjegim i gabuar i kushteve të armëpushimit.
Shtetet perëndimore, të kryesuara nga SHBA, kanë kërcënuar me masa të ashpra nëse plani i Annan nuk do të respektohet nga qeveria e Bashar al-Assad, por pa saktësuar se cilat do të jenë këto masa që do të përdoren./tch/